“Kalimin te Skënderbeu e kisha peng që nga sezoni kaluar”, Frashëri konfirmon transferimin: Kthehem në shtëpi pas shumë vitesh!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 30, 2021 | 15:32

“Kalimin te Skënderbeu e kisha peng që nga sezoni kaluar”, Frashëri konfirmon transferimin: Kthehem në shtëpi pas shumë vitesh!

Erlis Frashëri do të jetë përforcimi i parë i Skënderbeut në merkaton e janarit. Lajmi i publikuar para disa ditësh në “Panorama Sport” është konfirmuar tashmë edhe nga vetë futbollisti korçar. Frashëri i dha fund “emigrimit” pas aventurës te Drenica në Kosovë dhe tashmë do kthehet tek ekipi ku nisi karrierën e tij.

ERLIS FRASHERI

Ky rikthim vjen pas më shumë se 11 vitesh në qytetin e tij të lindjes. Në një prononcim për gazetën, futbollisti korçar u shpreh se do të jetë pjesë e Skënderbeut duke nisur nga muaji janar, ndërsa detajet e kontratës nuk janë bërë ende të ditura, madje për as vetë lojtarin.

Frashëri gjen një ambient krejtësisht të ndryshëm nga ai që e ka lënë 11 vite më parë, ndërsa rikthehet duke gjetur miq si Liçi e Memelli. Lajmin lojtari e ka konfirmuar, ndërsa është shprehur se në takimin e parë që do të ketë me drejtuesit do të vendosë për detajet dhe zyrtarizimin.

“Po, është e vërtetë që do të jem pjesë e Skënderbeut. Bisedimet kanë nisur prej ditësh, duke mbyllur parimisht detajet dhe këto ditë kryet gjithçka. Jam shumë i lumtur që do jem përsëri pjesë e Skënderbeut.

Për sa i përket kontratës, nuk e di ende si do të biem dakord, pasi me këto kushte do të flas me presidentin në ditën e parë që do të jem pranë ekipit. Rëndësi ka që unë do të rikthehem në shtëpinë time, për të luajtur me ekipin e zemrës.

Për mua kjo është një ndjesi e veçantë. Në Korçë gjej një ambient mjaft të ngrohtë, është qyteti im dhe shtëpia ime. Por, objektiva të ndryshëm dhe kushte shumë herë më të mira se kur unë isha pjesë e Skënderbeut për herën e fundit. Të them të drejtën, rikthimin e kisha peng që nga një sezon më parë.

Isha shumë pranë kalimit te Skënderbeu edhe para një viti, por gjithçka mori kthesë tjetër, pasi mbërriti një ofertë nga Drenica. Nuk është se u tundova ekonomikisht, por doja të provoja një aventurë jashtë Shqipërie dhe prandaj nuk u realizua si transferim”, u shpreh Erlis Frashëri.

33-vjeçari ka qenë pjesë e Skënderbeut në sezonin e largët 2009-2010 dhe më pas ka ndërruar shumë ambiente duke provuar të luajë me ekipe të ndryshme në elitën e futbollit shqiptar, ku veç të tjerash spikasin Teuta dhe Partizani.

Korçari është një lojtar që mbulon të gjithë fushën, megjithëse si pozicion natyral ka krahun e djathtë, ndërsa luan me lehtësi edhe në krahun e majtë duke u shndërruar kështu në një xhol për Memellin.

“Në fakt, mezi pres të jem atje dhe të vesh atë fanellë. Në Korçë gjej miq të mirë si Liçi dhe Memelli, ish-lojtarë që për mua kanë qenë idhuj dhe frymëzim. Sot do t’i gjej si trajnerë në klub. Është diçka mjaft emocionuese dhe mezi pres t’ia nis punës”, mbylli prononcimin Erlis Frashëri.

LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"