Kalari dhe Xhika drejt Partizanit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 15, 2012 | 13:11

Kalari dhe Xhika drejt Partizanit

Ashtu siç ishte parashikuar, drejtuesit e Partizanit do të jenë shumë aktivë gjatë merkatos së janarit, ndërsa kontaktet me futbollistë të ndryshëm kanë nisur që në mbylljen e fazës së parë. Koordinatori i merkatos, Hasan Lika, në bashkëpunim me presidentin Sallaku, kanë arritur edhe dy firmat e para me Sokol Ishkën dhe Fatjon Tafajin, të cilët kanë firmosur kontratat dhe tashmë janë pjesë e të kuqve. Por, drejtuesit duket se kanë bërë gati edhe dy goditje të tjera, të cilat mund të realizohen në vazhdim. Behët fjalë për Rejnaldo Kalarin dhe Dashamir Xhikën, me të cilët kontaktet kanë nisur.
Kalari Burime të besueshme pranë klubit të kuq dhe lojtarit bardheblu kanë konfirmuar për “Panorama Sport” se kontaktet me futbollistin në fjalë kanë nisur, por jo në mënyrë të drejtpërdrejtë me të, gjë që pritet të ndodhë shumë shpejt. Vetë Kalari aktualisht është nën kontratë me bardheblutë, pasi e ka rinovuar atë në verë dhe mësohet se nuk ka shumë dëshirë të lëvizë nga Tirana. Mirëpo, këmbëngulja e drejtuesve të kuq mund ta bindin atë që të transferohet te Partizani që, edhe pse në Kategorinë e Parë, ka një jehonë të madhe në futbollin shqiptar.
Xhika I transferuar dy vite më parë te Besëlidhja, pasi u largua nga Partizani, skuadra tek e cila u formua si futbollist, portieri Dashamir Xhika është shumë pranë rikthimit tek të kuqtë. Ditët e fundit bisedimet e lojtarit me drejtuesit kanë qenë intensive, ndërsa pengesa e vetme për portierin është kontrata që ka me lezhjanët, si dhe vendosmëria e presidentit Noka për të mos ta lënë të lirë, si një pikë kyçe për skuadrën e tij. Por deklarata më e fundit e Gjokës, i cili shprehet se do ta lërë Xhikën të lirë, bën që rrjedha e ngjarjeve të ndryshojë dhe transferimi i tij te Partizani të jetë një realitet i prekshëm. Te Partizani sezonet e fundit porta ka qenë një nga repartet me problematikë dhe rikthimi i Xhikës do të sillte qetësi. Gjithashtu Xhika është edhe një nga lojtarët e preferuar të tifozëve. Këta të fundit shpeshherë u kanë bërë thirrje drejtuesve për afrimin e tij te Partizani.

Alcani: Po ndërtohet Partizani i madh
Kapiteni i “demave”, Alert Alcani, është i bindur se tashmë po ndërtohet Partizani i madh, pasi drejtuesit janë duke bërë një merkato vërtet cilësore. “Për skuadrën është duke u menduar deri në detaje dhe shumë shpejt do të afrohen futbollistë të rinj, të cilët do të na përforcojnë akoma më shumë. Jam i bindur se fazën tjetër Partizani do të jetë i pathyeshëm në kampionat dhe do të sigurojë kalimin në Superiore”, – thotë Alcani. Më pas kapiteni, i cili ka dhënë shumë për skuadrën në dy sezonet e fundit, pasi ka luajtur te të kuqtë edhe kur ata ishin pjesë e Kategorisë së Dytë, flet edhe për merkaton: “Drejtuesit kanë premtuar se do të afrojnë lojtarë cilësorë dhe mendoj se do ta bëjnë një gjë të tillë”. Vetë Alcani ende nuk e ka firmosur kontratën e re me drejtuesit për fazën e dytë, megjithatë ka deklaruar se shumë shpejt do ta bëjë një gjë të tillë dhe do të bashkohet me ekipin në seancat stërvitore.

Tkurret “grupi shkodran”, lajmërohen vetëm Lini e Tafa
Gjatë fazës së dytë të kampionatit te skuadra e Partizanit nuk do të ketë më pesë futbollistë shkodranë, por vetëm dy të tillë. Kjo është lënë të kuptohet gjatë ditës së djeshme nga ana e klubit, i cili ka lajmëruar vetëm Orgest Linin dhe Armir Tafën për të firmosur kontratat e reja dhe për të nisur seancat stërvitore. Kjo do të thotë se Abaz Karakaçi, Aris Djepaxhia dhe Erys Buliç tashmë nuk konsiderohen më pjesë e të kuqve, ndaj pritet që të marrin edhe lejekalimet. Gjatë fazës së parë të kampionatit, përveç Djepaxhisë dhe Buliçit, i cili pësoi një dëmtim të rëndë, Karakaçi, Tafa dhe Lini kanë qenë pjesë e padiskutueshme e formacionit, madje ky i fundit ka bërë një paraqitje shumë të mirë, duke shënuar edhe gola. Konfirmimi – “Në vazhdën e ndërtimit të grupit për pjesën e mbetur të sezonit me futbollistë që do të vijnë nga merkatoja, por edhe ata të grupit aktual, kemi lajmëruar për të firmosur kontratën dhe për të nisur stërvitjen Orgest Linin dhe Armir Tafën, të cilët do të vazhdojnë të jenë pjesë e Partizanit”, – tha dje zëdhënësi Ranxhi për mediat.

Katër lojtarë afrohen nga akademia
Bordi drejtues i skuadrës së Partizanit gjatë ditës së djeshme ka vendosur që: katër futbollistë të akademisë t’i bëjë pjesë të ekipit të parë. Një gjë të tillë e ka konfirmuar për mediat zëdhënësi për shtyp i të kuqve, Olsi Ranxhi. “Bordi i ka vëzhguar për një kohë të gjatë lojtarët e akademisë dhe ka vendosur që katër prej tyre t’i bëjë pjesë të skuadrës gjatë fazës së dytë të kampionatit. Aktualisht emrat e tyre nuk mund t’i bëjmë të ditur, por mund t’ju them se kjo do të jetë politika që do të ndiqet në të ardhmen te skuadra e Partizanit”, – tha Ranxhi. Ndërkohë dje të kuqtë kanë vazhduar stërvitjen e lehtë me një grup të cunguar futbollistësh, pasi kanë qenë vetëm shtatë të tillë, ashtu si një ditë më parë.
ARMAND HALILI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"