“Jemi katër skuadra për titull, por të fokusohemi për të mundur Partizanin”, Duro: Laçi për dy trofe, s’ka aleanca

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 17, 2021 | 9:39

“Jemi katër skuadra për titull, por të fokusohemi për të mundur Partizanin”, Duro: Laçi për dy trofe, s’ka aleanca

Laçi nën drejtimin e trajnerit Shpëtim Duro është kthyer te pritshmëritë dhe parashikimet e krijuara në prag të fillimit të sezonit, kur kurbinasit mendoheshin pretendentët kryesorë për trofe. Përveç kryesimit të kampionatit, laçianët kanë ambicie edhe në Kupë, synim i cili kalon nga çerekfinalja e sotme me Partizanin, që do ta luajnë në shtëpi në orën 13:00. Trajneri Shpëtim Duro, në intervistën e dhënë për “Panorama Sport” para ndeshjes me “demat”, pohoi se Laçi i ka mundësitë për të synuar të dy trofetë. Duke qenë se Kupa këtë sezon luhet me ndeshje teke, Duro ndan të njëjtin mendim me trajnerin e Partizanit, Ilir Daja, se kualifikimi mbetet i hapur dhe të dy ekipet i kanë shanset e barabarta. Sipas timonierit të kurbinasve, Laçi fillimisht është i fokusuar te ndeshja e Kupës me Partizanin dhe fill pas saj do të përqendrohen te dueli i kampionatit me Tiranën. Për Duron në këtë moment nuk ka asnjë mundësi kompromisi dhe aleance mes skuadrave, pasi asnjëra e prej tyre nuk ka gjë të sigurt si në Kupë dhe kampionat. Duro vlerëson organizimin e Kupës me një ndeshje, si dhe tregon gjendjen e skuadrës së tij para Partizanit.

Shpetim Duro

Është vetëm një ndeshje, si e shikoni këtë herë ndaj Partizanit?

Është një ndeshje teke dhe ka specifikë të veçantë. Jemi dy skuadra që jemi rivale edhe në kampionat, kështu që do të jetë një ndeshje interesante.

I keni mundësitë të luftoni deri në fund për të dy trofetë?

Patjetër, por sot zgjidhet kualifikimi në Kupë me një ndeshje teke. Mbetet për të parë do të jetë Laçi apo Partizani. Më pas nis përqendrimi në kampionat. Kështu që nuk e shikoj ndonjë ngarkesë të madhe.

Më i rëndësishëm për ju është Partizani sot apo Tirana të dielën?

Normalisht që si fillim duhet të fokusohemi te ndeshja e nesërme me Partizanin në Kupë dhe me mbarimin e saj, pavarësisht rezultatit se cili do të jetë, qëndrimi do të jetë totalisht te ndeshjet e kampionatit dhe konkretisht te Tirana.

Në çfarë gjendjeje e keni ekipin para të kuqve dhe a ka diçka që ju shqetëson?

Gjendja e ekipit është e mirë, por kemi dy mungesa të konfirmuara për ndeshjen e Kupës. Turkaj dhe Xhixha janë të pamundur, ndërsa pjesa tjetër e skuadrës është e gatshme.

Nuabueze, a është i gatshëm ta nisë nga fillimi dhe çfarë i ndodhi Turkajt që u operua?

Pas një periudhe të gjatë rikthehet të luaj edhe Nuabueze, i cili besoj se do të jetë në këtë ndeshje Kupe dhe do të japë kontributin e tij. Gjatë këtij muaji është përgatitur shumë mirë. Ndërsa Turkaj ka bërë një operacion të lehtë dhe mendohet që të jetë larg fushave të blerta për një periudhë 2-3 javore.

Trajneri Daja ka thënë që kualifikimi është 50 me 50, ju si e shikoni?

Duke ditur se Kupa luhet me sistem eliminimi me vetëm një ndeshje, edhe unë jam i mendimit që mundësitë për kualifikim janë 50 me 50. Pra, ndaj të njëjtin mendim me trajnerin Daja.

Më mirë që Kupa luhet me ndeshje teke, apo të ishte në mënyrë tradicionale, vajtje-ardhje?

Për kushtet ku jemi dhe situatën e krijuar me ngarkesë të jashtëzakonshme këtë sezon, zgjidhja me ndeshje teke në Kupë ka qenë e duhura. Kjo skemë u përshtatet shumë situatave që kaluam dhe po kalojmë këtë sezon.

Shpesh Kupa e Shqipërisë ka qenë objekt aleancash mes klubeve. Këtë sezon si e shikoni, aq më shumë që luhet edhe me ndeshje teke?

Varet, por këtë vit dhe deri në këto momente nuk ka dhe nuk besoj se do të ketë aleanca. Mendoj kështu, pasi jemi katër skuadra që luftojmë për kampionat dhe jemi në lojë në këtë raund të Kupës. Asnjëri nuk ka siguri te kampionati, ose Kupa. Kështu që unë them se ndeshjet e së mërkurës në Kupë do të jenë mjaft seriozie.

NDESHJET E DITËS SË SOTME TË KUPËS SË SHQIPËRISË:

kupa 1

ILIR CARA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"