“Jemi gati për Europën”, Egbo: Presim edhe një lojtar, nëse Halili e ka mbyllur merkaton…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 25, 2020 | 10:39

“Jemi gati për Europën”, Egbo: Presim edhe një lojtar, nëse Halili e ka mbyllur merkaton…

Emanuel Egbo në fund të ndeshjes ka qenë i kënaqur nga paraqitja e skuadrës së tij. Edhe pse nuk e shpreh, numri një i stolit bardheblu pranon se nëse nuk ka merkato, ai do të vazhdojë të punojë me këta lojtarë që ka në dispozicion. Thotë se ekipi do të jetë gati për ndeshjen e “play off”-it dhe skuadra hyn në javën decizive që do të vendosë shumë për objektivin e Tiranës, kalimin në fazën e grupeve të Europa League.

Emanuel Egbo

Një miqësore tjetër e fituar, ndonëse loja nuk u ngjit asnjëherë në nivele të larta?

Është një miqësore pak a shumë si ndeshjet e tjera që kemi luajtur. Qëllimi ishte vëzhgimi i ekipit dhe ku është gjendja e skuadrës një javë para ndeshjes “play off”. Bëmë një kontroll se sa është ngritur skuadra nga ndeshja e fundit miqësore deri sot. Në fakt, e kishim menduar si një ndeshje javore, njëlloj sikur po luajmë kampionat. Kemi parë me kujdes të gjithë, sidomos lojtarët që kanë ardhur deri tani. Duhet të kemi një panoramë të qartë të grupit.

E keni këtë panoramë?

Në detaje. E dimë ku jemi dhe ku nuk jemi. Ata që janë në formë dhe ata që nuk janë gati për të luajtur.

Presidenti ka thënë që merkatoja është pothuajse e mbyllur dhe zor se afrohen të tjerë…

Presim edhe një lojtar tjetër. Ai ka firmosur dhe është rrugës. Do të shohim se si është niveli i tij. Për momentin do t’ia dalim me këta lojtarë që kemi. Nëse presidenti ka thënë se ky është grupi që do të punoj nuk kam koment, por do të vazhdoj punën.

eGBO

Është skuadra gati për t’u përballur në sfidën që ka Tirana në Europa League?

Deri diku jemi gati. Kemi edhe një javë kohë dhe do të shohim deri ditën e fundit ku është ekipi. Besoj se me kismet lojtarët janë gati.

Sa ju ka penalizuar bojkoti dhe që nuk luani në ndeshjet zyrtare të kampionatit?

E kam thënë shpesh. Ne na ka penalizuar dhe nuk na ka penalizuar bojkoti. Kishim shumë lojtarë të rinj dhe ata patën kohën e nevojshme për të qenë pjesë e ekipit dhe si do të ambientoheshin ata. Ama nëse e nisnim kampionatin në datën 12, mund të kishim ritëm më të lartë se sot. Edhe për të dëmtuarit them se do t’i kemi gati, sidomos Bathën, ndërsa Hoxhallarin e hoqëm nga loja që të mos rrezikonim. Jam i bindur se do të bëjmë mirë.

OLSI AVDIAJ-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"