Java e fundit e Superiores, sytë edhe nga gara në distancë e dyshes Seferi-Guindo

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 23, 2022 | 23:25

Java e fundit e Superiores, sytë edhe nga gara në distancë e dyshes Seferi-Guindo

Në pak momente gjatë këtij sezoni, Tirana u ndie e kërcënuar në krye, e provoi fillimisht Kukësi e më pas Laçi, por fundi tashmë dihet. Nuk është rastësi që në dy vendet e para e mbyllën Tirana dhe Laçi, dy ekipe që kanë në përbërje dy golashënuesit më të mirë, Taulant Seferi dhe Saliu Guindo.

seferi guindo

Pasi i kanë mbyllur llogaritë me kampionatin, Tirana dhe Laçi do të përpiqen që javën e fundit të dërgojnë sulmuesit e tyre drejt trofeut më të rëndësishëm individual, “Këpuca e Artë”. Gara është e hapur dhe e fortë mes Taulant Seferit të Tiranës dhe Saliu Guindosë të Laçit, që bashkëkryesojnë me nga 18 gola. Gjithsesi, të dy lojtarët, përveç golave të shënuar, kanë edhe numër të njëjtë asistosh. Guindo dhe Seferi kanë shërbyer 11 herë për gol për shokët e tyre të skuadrës, ndërkohë që diferenca është minimale vetëm në numrin e golave të shënuar me 11-metërsh.

Guindo ka shënuar 4 herë nga pika e bardhë, ndërsa Seferi 3 herë. Si te bardheblutë, por edhe te kurbinasit dëshira është që të gjithë të vihen në funksion të golashënuesit të tyre. Si njëri dhe tjetri shënuan këtë javë nga një gol. Shpresohet që kjo garë të jetë “fair play” dhe të mos degjenerojë me hapje portash dhe goleada në javën e fundit. Tirana do të përballet me Kukësin, ndërsa Laçi me Partizanin.

Të dy “bomberat” ndodhen në kuotën e 18 golave dhe nuk heqin dorë nga ky objektiv, një trofe që nuk është një sekret që për Seferin ofertat nuk mungojnë, por edhe Guindo ka përfunduar në radarët e skuadrave të huaja.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"