Iu drejtuan me thirrjet “majmun”, Vinicius i përgjigjet tifozëve të Atletikos: Shajnë ata që qanë në Lisbonë e në Milano

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 20, 2022 | 22:45

Iu drejtuan me thirrjet “majmun”, Vinicius i përgjigjet tifozëve të Atletikos: Shajnë ata që qanë në Lisbonë e në Milano

Polemikat në lidhje me sjelljen raciste të ti fozëve të Atletikos së Madridit në adresë të sulmuesit të Realit të Madridit, Vincius Zhonior, nuk ndalen. Gjithçka nisi që para derbit, me një polemikë të lindur në televizion, ku presidentit i shoqatës së menaxherëve sportivë ofendoi i pari brazilianin, duke e cilësuar atë “një majmun që nuk duhet të kërcejë më”.

VINICIUS

Reagimet ndaj deklaratave të tilla fyese ishin të shumta, madje edhe nga vetë mbreti i futbollit brazilian Pele. Vinicius u përgjigj me anë të një letre të hapur, duke e bërë të qartë se nuk ka ndërmend të ndalet së festuari e së kërcyeri. Kjo në një farë mënyre edhe në përgjigje të deklaratave të kapitenit të Atletikos, Koke, i cili pat paralajmëruar Vinciusin të mos kërcente në “Metropolitano”. Situata e nxehtë para derbit vijoi edhe gjatë tij. Në momentin e futjes në stadium, një grup i tifozerisë së Atletikos ka ofenduar sulmuesin brazilian, teksa mediat spanjolle kanë raportuar se koret:

“Vinicius është një majmun”, ishin vërtet të turpshme. Si të mos mjaftonin këto kore, edhe brenda në stadium, me takimin që kishte filluar, nga shkallët e “Metropolitanos” janë dëgjuar thirrjet: “Vincius më mirë i vdekur”. Braziliani gjithsesi nuk e ka prishur rehatinë e tij. Ai ka qenë protagonist absolut në suksesin 1-2 të Realit në fushën e Atletikos.

Ai dhe Rodrigo kanë kërcyer samba në fushë, në momentin kur Rodrigo shoi golin e epërsisë së Realit pas 18 minutash lojë. Kjo bëri që acarimi të shtohej dhe më shumë në stadium, teksa drejt tyre dhe lojtarëve të tjerë të Realit janë hedhur sende nga më të ndryshmet, madje dhe një shishe rumi.

PËRGJIGJJA – Reagimi i Viniciusit nuk ka përfunduar këtu. Braziliani ka vijuar me polemikat pas ndeshjes, duke provokuar jo pak tifozerinë e Atletikos. Për t’iu përgjigjur tifozëve radikalë të “Colchoneros”, Vincius ka zgjedhur t’i bëjë “like” (pëlqim) një mesazhi të një tifozi të Realit, që i kujtonte Atletikos dy finalet e humbura përballë “Los Blancos” në Ligën e Kampioneve në Lisbonë.

“Vitet kalojnë, por gjithçka mbetet e njëjtë, duke humbur finale përballë Realit. Ofendojnë ata që qanë në Lisbonë, ofendojnë ata që qanë në Milano. Para Reali i Madridit”.

KRYETARI I BASHKISË – Për ngjarjet e shëmtuara në “Metropolitano” ka reaguar ashpër dhe kryetari i bashkisë së Madridit, Hoze Luis Martinez-Almeida. Si një tifoz i Atletikos, ai ka kritikuar sjelljen e patolerueshme të një grupimi të tifozëve të Atletikos në adresë të Viniciusit.

“Ajo që ndodhi në ‘Metropolitano’ ishte e turpshme. Ata tifozë nuk e meritojnë të shkelin më në stadium. Shpresoj që institucionet ligjzbatuese të identifikojnë menjëherë këta pseudotifozë. Është vërtet për të ardhur keq për atë çfarë ndodhi, jam i turpëruar nga ajo sjellje”, tha mes të tjerash kryetari i bashkisë së Madridit.

Përgatiti: LEDJO SEFERKOLLI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"