Iu bashkua Tomorit, portieri Haremi: Jemi pretendentë për Superioren

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 31, 2020 | 21:50

Iu bashkua Tomorit, portieri Haremi: Jemi pretendentë për Superioren

Një nga afrimet e kësaj vere, “gardiani” 27-vjeçar lushnjar Oltjan Haremi, është vlerësuar në Berat si një element shumë i vlefshëm për Tomorin. Pas eksperiencave te Lushnja dhe Egnatia, ai do jetë titullari i portës beratase dhe shpreson të bëjë më të mirën. Në një intervistë për “Panorama Sport”, ai tregon pse zgjodhi Tomorin.
26105310_1618678244905943_532768992_n
Tomori, stacioni juaj i radhës. Pse bëtë këtë zgjedhje?
E kam mirëpritur lëvizjen te Tomori, sapo mësova ofertën. Kam vlerësuar profesionalizmin e teknikut Sinella dhe nuk kam hezituar në përzgjedhjen time. S’duhet mohuar se kur të kërkon një skuadër me emër si Tomori dhe një qytet si Berati, nuk mund ta refuzosh. Në unison me shokët e mi, nuk e vura në diskutim bashkimin me skuadrën beratase. Ndihem si në Lushnjë, pasi të gjithë na kanë pritur shumë mirë.

A do të jetë Haremi në lartësinë e paraardhësve të tij si Shefa dhe Kaloshi, që kanë fituar respekt në Berat?
E di që te Tomori janë aktivizuar dy portierë të njohur nga Lushnja, Sami Shefa dhe Mikel Kaloshi. Kam mësuar se për ta ruajnë respekt të jashtëzakonshëm. Për mua është një motivim ekstra që do luaj te Tomori si një pasues i dy bashkëqytetarëve të mi, do jap më të mirën që të fitoj të njëjtin respekt.
Tomori Kategoria e Dyte
Si e vlerësoni paraqitjen e skuadrës në miqësoren ndaj Egnatias?
Jemi në hapat e parë të punës dhe skuadra nuk është në maksimumin e saj, nuk është në kondicionin e plotë fizik. Megjithatë, gjithçka ka nisur shumë mirë. Miqësorja ndaj Egnatias ishte prezantimi ynë i parë në fushë dhe skuadra do harmonizohet. Edhe pse kishim pak ditë stërvitje, dhamë sinjale pozitive.

Ku mendoni se do të arrijë Tomori në kampionatin e ri, pas këtyre përforcimeve që ka bërë?
Puna dhe kërkesat e larta të teknikut Sinella, angazhimi që po tregon skuadra në stërvitje dhe afrimet cilësore e bëjnë Tomorin një nga skuadrat pretendente për Superioren. Shikoj qartë se me interesimin e madh që kanë të gjithë faktorët mbështetës, ngjitja është e mundshme. Do ta nisim dhe përfundojmë kampionatin si pretendentë.

EDI SPAHIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"