“Ishim vërtet dobët në Cërrik, në transferta hasim vështirësi”, Krasniqi “djeg” rivalët: Blindojmë vendin e 4-të

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 7, 2022 | 11:29

“Ishim vërtet dobët në Cërrik, në transferta hasim vështirësi”, Krasniqi “djeg” rivalët: Blindojmë vendin e 4-të

Jeton Krasniqi “djeg” ri valët. Ai paralajmëron se Apolonia do ta blindojë vendin e 4-t dhe në finish nuk do të bëjnë më asnjë gabim. Gjatë një interviste të dhënë për “Panorama Sport”, sulmuesi mendon se mungesat bënë të vetën në Cërrik. E pranon që skuadra transformohet në transferta, por me bindje e thotë se autokritika do të vijë që nga Apolonia dhe bindshëm madje.

jeton krasniqi

Mundët kryesuesit në shtëpi, por humbët me Turbinën. Pse kaq shumë luhatje?

Ishte një ndeshje e dobët nga ana jonë. Pësuam dy gola që na shokuan dhe nuk gjetëm më forcë reagimi, e megjithatë mungesat bënë të veten. As goli im me penallti nuk ndryshoi asgjë dhe për pasojë dolëm pa pikë.

Pse hasni vështirësi në transferta?

Gjatë ndeshjeve në transfertë hasim disi vështirësi, nga njëra anë biem në presionin e kundërshtarit dhe nga ana tjetër nuk reagojmë siç duhet kur jemi në disavantazh. Këtu ka të bëjë edhe eksperienca, pasi grupi ynë në tërësi është i përbërë nga lojtarë të rinj pa eksperiencë. Ende nuk e kemi përvojën e duhur për të luajtur njësoj si brenda ashtu dhe jashtë fushe.

Me penalltinë e fundit shkuat në kuotën e 10 golave. Sa mund të shënoni deri në fund?

Jam i kënaqur që shënova, por jo për rezultatin. Për mua dhe gjithkënd në ekip, prioritet kanë pikët. Megjithatë, kam edhe synime personale dhe do bëj çmos që deri në fund të kap kreun e golashënuesve të Kategorisë së Parë. Sa do të shënoj nuk e di, por di të them që do bëj çmos që të mos ndalem deri në fund.

A do të vijë kthesa kundër Pogradecit? A mund të themi se Apolonia nuk dëshiron rezultat tjetër përveç marrjes së pikëve të plota?

Fitorja mbetet synimi kryesor, pasi vetëm kështu do të blindonim vendin e 4-t dhe shuanim shpresat e ekipeve që na ndjekin për të na parakaluar. E megjithatë, duhet shumë kujdes. Tashmë çdo skuadër luan për synimet e veta, përfshi edhe Pogradecin, dhe vigjilenca nuk bën kurrë keq.

HILMI SALIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"