“Ishim superiorë”, kapiteni Arapi: I lumtur për golin, tani dua finalen

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 25, 2020 | 22:35

“Ishim superiorë”, kapiteni Arapi: I lumtur për golin, tani dua finalen

Renato Arapi ishte shpëtimtari i Teutës. Me atë gol të shënuar në të 76-ën u dha qetësi dhe kualifikimin durrsakëve. Kapiteni i gëzohet rrjetës, ndërsa tashmë e thotë hapur që do edhe finalen.

arapii

Gjatë një interviste të dhënë për “Panorama Sport”, mbrojtësi evidenton se skuadra në asnjë moment nuk e diskutoi fitoren ndaj Vllaznisë. Nuk kishte si të mos fliste edhe për Partizanin, ekip që ka shfaqur interes për 33- vjeçarin.

Një “bomber” nga mbrojtja, e priste Renato që do të shënonte sot (dje)?

Jam i lumtur që gjetëm rrjetën dhe këtë nuk e them se isha unë autori, por për faktin që bëmë gol dhe ekipi u kualifikua. Bëmë një hap të rëndësishëm, duke arritur në gjysmëfinale. Besoj se jemi në rrugën e duhur. Ekipi është në formë dhe shpresoj të vazhdojmë kështu deri në fund, pra të kapin finalen e madhe.

Teuta prodhoi lojë dhe raste me bollëk, e megjithatë pati vështirësi në finalizim… Çfarë ndodhi?

Do të thosha që kemi qenë të pafat. Kemi krijuar pa fund raste, por fati nuk ishte në anën tonë. Lojën e menaxhuam, pasi në shumicën e kohës kemi zotëruar topin. Jemi duke bërë mjaft mirë për momentin. Kështu shpresoj të vazhdojmë edhe në sfidat pasardhëse.

Emri juaj ka dalë në skenë te Partizani. Si është e vërteta?

Nuk jam fare në dijeni. Unë jam i fokusuar vetëm te Teuta dhe nuk më duket fare profesionale që, pikërisht në këto momente, të flasim për të tjera ekipe.

Nga Vllaznia te Vllaznia, por këtë herë për kampionat. Parashikoni një tjetër fitore?

Unë jam i sigurt që po të kemi të njëjtin motivim, do ta kalojmë me sukses edhe takimin e së dielës, pavarësisht vështirësisë.

ZAMIR QYPI – PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"