Ish-i i madh i supersfidës Roma-Inter, Zhoze Murinjo nxjerr thikën para ndeshjes

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 4, 2021 | 13:33

Ish-i i madh i supersfidës Roma-Inter, Zhoze Murinjo nxjerr thikën para ndeshjes

Quhet “Chopon” edhe është kos tumi tradicional i Uzbekistanit. Një bluzë me prerje të drejtë deri në fund të gjunjëve, e cila lidhet në mes me një shami, përveç se një tip pelerine “Tubeteika”, plus një kapele të thurur. Zhoze Murinjo ka vendosur që të dëfrehet kështu përpara ndeshjes së sotme, në orën 18:00, kur në stadiumin “Olimpiko” do të presë ishskuadrën e tij, Interin.

MURINJO

Trajneri portugez, i cili kishte lajmëruar se do të bojkotonte konferencën për shtyp përpara duelit me zikaltrit, ka pritur dhe ka respektuar një delegacion të shtetit të Uzbekistanit, duke kujtuar se kjo vizitë ka ardhur edhe si rrjedhojë e faktit se një uzbek luan në radhët e Romës, si sulmuesi Eldor Shomurodov.

Në të njëjtën kohë, miqtë nga shumë larg të skuadrës verdhekuqe, përveç kostumit tradicional të vendit të tyre, i bënë “Special One”-it edhe një dhuratë tjetër të veçantë, siç ishte një thikë, gjithashtu tradicionale uzbeke, të quajtur “pichok”, e cila si simbol u jepet maestrove të profesioneve të ndryshme, siç është pa dyshim Zhoze Murinjo në sportin e futbollit.

“Eldor Shomurodov është një futbollist dhe një djalë i përulur, një shembull për të rinjtë tanë këtu te Roma. Transferimi i tij në një prej klubeve më të mëdha ishte një dhuratë e madhe për të gjithë popullin dhe tifozët uzbekë, për 30- vjetorin e themelimit të Republikës sonë”, u shpreh ambasadori i Uzbekistanit.

Përgatiti: NISLI GJINI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"