Ironia e fatit, Andi Lila në dorë të priftit të Janinës që e talli në video

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 30, 2017 | 9:32

Ironia e fatit, Andi Lila në dorë të priftit të Janinës që e talli në video

Falja që kërkoi nëpërmjet rrjeteve sociale nuk mjaftoi për të rikthyer qetësinë dhe normalitetin në jetën dhe karrierën e Andi Lilës. Mesfushori i Kombëtares shqiptare ka udhëtuar të mërkurën drejt Janinës për të kuptuar se çfarë vendimi do të marrin këta të fundit kundrejt lojtarit, pas deklaratave dhe shakave të kripura që kishin në qendër figurën e priftit.

Videoja e publikuar nga hoxha Ahmed Kalaja, në të cilën Lila thoshte se kishte shtyrë dorën e një prifti, nuk u prit aspak mirë në shtetin fqinj, por as në Shqipëri nga të krishterët. Ajo shkaktoi një rebelim të madh të mediave greke, të cilat kërkonin menjëherë përjashtimin nga ekipi i Janinës.

Mirëpo, këta të fundit morën kohën e mjaftueshme për të marrë vendimin e duhur dhe për të zgjidhur gjithçka në mënyrën e duhur, ndoshta edhe për të mos i prishur punë futbollistit të tyre.

Lila

IRONIA

Si për ironi të fatit, rikthimi i Andi Lilës te Janina nuk është as në dorën e presidentit dhe as në dorën e drejtuesve të ekipit të Janinës. Falja e tij duhet të pranohet vetëm nga peshkopi i Janinës. Dje lojtari ka biseduar nga afër me drejtuesit e skuadrës dhe është rënë dakord që në ditët e ardhshme të ketë një takim me mitropolitin e Janinës, z. Maksimo, i cili do të vendosë nëse do të pranojë faljen e Lilës në emër të të gjithë të krishterëve apo jo.

Për momentin ende nuk dihet nëse ky i fundit do të pranojë të takohet me futbollistin shqiptar për të biseduar nga afër atë që ndodhi në grumbullimin e Kombëtares në Durrës. Kanë qenë drejtuesit e klubit grek ata që do të bëjnë ndërmjetësin mes futbollistit shqiptar dhe mitropolitit për të vendosur paqen, por portali grek “onsports.gr” shkruan që ende nuk dihet nëse ky i fundit do të pranojë faljen dhe takimin me Andi Lilën.

Qartazi nga kjo situatë kuptohet që skuadra në të cilën luan shqiptari është e “pafuqishme” për të vendosur për fatin e tij, por fillimisht duhet të marrë miratimin, përpara se Lila të flasë dhe t’i kërkojë falje personalisht mitropolitit të Janinës. Ditë më parë e vuri në lojë, sot pret faljen prej tij…

Lila - Prifti

Rituali i puthjes së dorës

Në videoskandal, Andi Lila ironizon me disa nga ritet e klerit ortodoks. Në rast se atij do t’i pranohet kërkesa për të takuar peshkopin, futbollisti mund të përballet me këtë rit. Në bazë të riteve, futbollisti nuk është i detyruar me protokoll për të bërë ritualin e puthjes së dorës ndaj priftit, por është një rit që bëhet vetëm nga besimtarët që e ndiejnë diçka të tillë. Pra, ironia e lojtarit të Kombëtares ka qenë e tepërt.

GENTJAN ALINANI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"