Intervista/ Zbulimi i Kombëtares, rrëfehet Uzuni: Dua një ekip të madh, ja si arrita deri këtu (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 17, 2018 | 22:39

Intervista/ Zbulimi i Kombëtares, rrëfehet Uzuni: Dua një ekip të madh, ja si arrita deri këtu (E PLOTË)

Myrto Uzuni po kalon momentet më të mira në karrierën e tij me ftesën që siguroi nga trajneri Kristian Panuçi për t’u bërë pjesë e Kombëtares shqiptare. Futbollisti 23-vjeçar nga qyteti i Beratit ka treguar një paraqitje pozitive në ndeshjet ndaj Jordanisë dhe Izraelit, duke marrë dhe vlerësimin e vetë teknikut italian.

Uzuni

Kristian Panuçi, rrallëherë thur lëvdata për lojtarët e tij, e veçanërisht për prurjet e reja. Një ditë përpara ndeshjes me Jordaninë, Panuçi tha se Uzuni ka 5 ndeshje që aktivizohet me Lokomotivën e Zagrebit dhe ka bërë një punë të mirë.

Uzuni, pas shumë përpjekjesh tanimë jeni bërë pjesë e Kombëtares. Sa punë ju është dashur dhe si ndiheni për këtë ëndërr të realizuar?

Të jesh pjesë e Kombëtares, do të thotë që të jesh shumë mirë fizikisht dhe duhet të kesh punuar shumë për t’u piketuar si prurja e re e skuadrës Kombëtare. Më është dashur shumë punë për të arritur këtu dhe gjithmonë kam ulur kokën drejt sfidave më të rëndësishme në karrierë. Nuk është e lehtë, por nëse punon dhe sakrifikon për ambiciet e tua, atëherë gjithçka mund të shkojë mirë.

Cilat janë objektivat e radhës të Myrto Uzunit në karrierën e tij?

Objektivat janë të qarta mbi nivelin e rritjes së karrierës sime, pasi Kroacia do të jetë një trampolinë e mirë për mua, ku unë më pas të kem mundësinë për të luajtur në ndonjë skuadër të madhe. Lokomotiva po më mbështet shumë dhe unë do të përpiqem të bëj mirë dhe të shënoj mjaftueshëm.

Çfarë ju ka thënë Panuçi pas ndeshjes me Jordaninë dhe Izraelin?

Më tha që ishin dy ndeshje pozitive. Ka ngelur shumë i kënaqur nga ajo që tregova në fushën e lojës dhe më ka uruar për debutimin me fanellën kuqezi.

Disa ditë para ftesës së trajnerit Panuçi, babai juaj është shprehur se nuk do të vdiste pa e parë djalin e tij me fanellën e Shqipërisë. Sa emocionuese ka qenë kjo për ju?

Deklarata e babait tim ka qenë tepër emocionuese dhe falë mbështetjes së tij ndodhem këtu. E kam lexuar dhe i kam thënë se ke për të më parë shumë shpejt me atë fanellë. Në momentin e parë që mbërrita te Lokomotiva e Zagrebit çdo gjë ishte në dorën time nëse do të tërhiqja vëmendjen e Panuçit apo jo. Tani ndihem i lumtur dhe ajo që më mbetet të bëj, është të tregoj aftësitë e mia.

Keni pasur kontakte nga klubi aktual apo trajneri Goran Tomiç në lidhje me paraqitjen që zhvilluat në Kombëtare?

Akoma jo. Nuk më kanë telefonuar, por sot do të takohem me trajnerin dhe do të flas mbi këtë.

Si duket kampionati kroat dhe çfarë vlerësimi keni marrë nga tifozëria?

Kampionati kroat është futboll më i shpejtë se në Superligën shqiptare. Nuk ka vonesa në lojë dhe është shumë agresiv. Është një nivel tjetër. Tifozëria dhe njerëzit në përgjithësi janë pozitiv dhe kjo më bën të ndihem mirë.

Keni luajtur për 3 klube në Shqipëri, fillimisht Tomori, pastaj Apolonia dhe Laçi. Cilat janë meritat e klubeve të mësipërme?

Është e vërtetë që kam luajtur vetëm për 3 klube në Shqipëri. Gjithsecili ka meritat e veta për arritjen time deri këtu dhe për këtë u shpreh mirënjohje. Tomori ishte klubi i vendlindjes sime dhe jam krenar për ato ngjyra. Apolonia është klubi, i cili më afirmoi si lojtar, ndërsa Laçi ishte trampolina ime për të arritur këtu ku jam sot.

 

ERIS SYLYKU

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"