INTERVISTA/ Flet tifozi: Ja si më ra në dorë mesazhi i Dukës (FOTO)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 15, 2016 | 18:46

INTERVISTA/ Flet tifozi: Ja si më ra në dorë mesazhi i Dukës (FOTO)

Gentian Kelmendi

Gentian Kelmendi

Gentian Kelmendi, ish-anëtari i krye sisë së TKZ, bëri publik “e-mail”-in e kreut të FSHF-së, në të cilin ofendoheshin disa prej anëtarëve të këtij grupimi.

Megjithatë, në një intervistë për “Panorama Sport”, Kelmendi thekson që është vazhdimësi e veprimeve të FSHF-së për të penguar këtë grupim tifozërie.

Largimin ai e cilëson si përgjegjësi të marrë mbi vete si anëtar i kryesisë përballë anëtarëve të tjerë që nuk kanë mundur të jenë në Francë.

Me çfarë kishte të bënte takimi që flitet në “e-mail”- in e Dukës për shefen e Protokollit?

Para nisjes së Europianit, shefja e Protokollit në FSHF, Elira Kajtazi, na ka kontaktuar dhe është prezantuar si personi i ri që do të ishte në marrëdhënien me TKZ. Ndërkohë që më parë ishte Gazmend Malo.

Pra, bëhet fjalë për personin që komunikon dhe flet në emër të presidentit të FSHF-së. Çdo gjë ne e kemi refuzuar dhe i jemi përgjigjur që do të komunikojmë vetëm pas Europianit.

Ai “e-mail” ka ardhur pas disa shkëmbimesh mes nesh dhe asaj, për një takim me kreun e FSHF-së ku, veç të tjerash, do të sqaronim edhe ngjarjet që ndodhën para Europianit.

Si ju ra në dorë “e-mail”-i i Dukës juve personalisht?

Isha ndër dy anëtarët e kryesisë së TKZ-së për Kosovën. Mua personalisht nuk më çudit aspak si shkrim, por thelbi ka të bëjë me veprimet ndër vite. Nuk mund të thuhet tashmë që paska kaluar pa u vënë re fakti që TKZ nuk kanë qenë masivisht në Francë. Në gjykimin tim,  TKZ nuk duhet të flasë më me të.

E-maili i publikuar nga Gentian Kelmendi

E-maili i publikuar nga Gentian Kelmendi

Pra, nuk e konsideroni lapsus faktin që ishit edhe ju në atë “e-mail”?

Nuk e kuptoj këtë pyetje. Nuk është lapsus kur ndodhin veprime të tilla në vazhdimësi. Nuk ishte hera e parë në Europian që FSHF tentoi të krijojë tifozëri të kontrolluar, pasi ka pasur disa tentativa edhe më parë që kanë dështuar.

Pse vjen një kundërvënie e tillë nga FSHF, sipas jush?

Sepse veprimtaria jonë si shoqëri TKZ ka një dinamikë shumë të shtrirë dhe, mbi të gjitha, punë vullnetare të çdonjërit nga ne që e bën këtë gjë, pa asnjë lloj përfitimi. Duke qenë grup i vetëfinancuar pa asnjë kacidhe nga kushdo tjetër ne kemi dhe bërë anëtarësi që kanë sjellë mendime të ndryshme edhe brenda nesh. Puna e FSHFsë ndër vite ka pasur rëniet dhe ngritjet e veta dhe, në shumë raste, ne kemi reaguar dhe kemi qenë shpeshherë opozitë për veprimet dhe mosveprimet e tyre.

Dje, kur postuat “e-mail”- in pati shumë kundërshtime nga disa anëtarë kryesie. Pse erdhi kjo gjë?

Kjo gjë erdhi si pasojë e faktit që nuk e paskam diskutuar më përpara si çështje. Gjithsesi, dua të them që s’kam trilluar asgjë. Në Francë kanë qenë grupe me jo më shumë sesa 30 veta bashkë për të bërë tifozllëk, e kjo si pasojë e disa vendimeve nga FSHF.

Si e shpjegoni edhe krijimin e “Klubit të tifozëve” nga FSHF?

Si diçka e pakërkuar nga UEFA. Ne menduam që të anëtarësoheshim në të, si mundësi për të marrë bileta, por duke qenë se FSHF na kërkoi nga 1500 lekë të rinj, nuk mund ta pranonim, si dhe nuk mund të pranonim që të anëtarësoheshim në një grup inekzistent. Kështu ruajtëm pavarësinë tonë, edhe pse shumë nga ne mbetën jashtë Europianit. Rasti i grupimit të tifozëve ishte si ai i sloganit që Duka promovoi për autobusin në Francë. Pra gënjeshtër.

Pse u larguat nga TKZ?

TKZ nuk është e varur nga individët, megjithatë unë personalisht, djersën e shokëve dhe sakrificat ndër vite nuk i fal. Është çështje parimore. Duke qenë anëtari i kryesisë, kisha përgjegjësinë jo vetëm të një grupi, por të të gjithë tifozërisë shqiptare nën ombrellën e TKZ. Unë personalisht kam arritur të jem në Francë, por ku është përgjegjësia për ata anëtarë që e kanë ndjekur ndeshjen nga televizioni? Atë “email” e kanë pasur të gjithë anëtarët e kryesisë, por publikimi ka qenë individual.

Në reagim e kishit personalisht me kreun e FSHFsë?

Duhet të hapë rrugë që FSHF të udhëhiqet me dinjitet, pasi ka shumë figura që mund ta bëjnë diçka të tillë, si dhe shërbimet e FSHF-së nuk duhet të jenë sipas qejfeve personale, por në shërbim të masës. Që nga themelimi, ëndrra jonë ka qenë që ta ndjekim Kombëtaren në nivelet më të larta dhe tani që u krijua mundësia Duka na e hoqi këtë shans.

OLSI TUJANI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"