Interi e ekzagjeron, 6 gola Stjarnanit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 29, 2014 | 8:27

Interi e ekzagjeron, 6 gola Stjarnanit

OsvaldoInteri nuk zhgënjen premisat e 45 mijë ti fozëve të pranishëm në “San Siro”, përkundrazi i kalon ato, duke fituar 6-0 ndaj rivalëve islandezë, shifra të cilat e dërgojnë rezultatin e përgjithshëm në 9-0. Gjithsesi, edhe pse diferenca teknike mes të dyja ekipeve ishte e dukshme, tashmë është euforia ajo që duhet të menaxhohet me kujdes dhe trajneri Valter Maxarri e di këtë. Stjarnani përbënte thjesht një test modest që duhej kaluar për të avancuar në fazën e grupeve të Ligës së Europës, por nga sot do punohet për të qenë gati për Torinon, rivalen e parë të kampionatit.
Ndeshja – Përpara syve të Erik Tohirit, Interi shkëlqen. 3-5-1-1 i trajnerit Maxarri pa titullar Osvaldon dhe italoargjentinasi nuk zhgënjeu. Por surpriza e mbrëmjes ishte fantazisti kroat, Mateo Kovaçiç, i cili nuk kishte shijuar asnjëherë golin në 54 takime të mëparshme, ndonëse dje do zhbllokohej me një tripletë. Ndërsa Osvaldo shkundte traversën në minutën e 12-të, Kovaçiç nisi spektaklin e tij personal duke shënuar dy herë radhazi: fillimisht duke shtyrë në rrjetë një top pranë portës, ndërsa në të 33-n driblon dy kundërshtarë, përpara se të kalojë me finesë portierin, duke mbyllur pjesën e parë në 2-0. Fraksioni i dytë është i çmendur, me Osvaldon që shënon golin e parë interist me kokë pas vetëm dy minutash, ndërsa Kovaçiç katërfishon shifrat me një të djathtë në hyrje të zonës. Kroati i lë vendin Ikardit, por edhe argjentinasi nuk zhgënjen, por shënon dy herë, dy gola fantastikë që konfirmojnë se sulmi i Interit sivjet bind.
Torino – Një tjetër italiane që feston është Torino, e cila, falë një penalltie të El Kadurit në mesin e pjesës së parë, arrin të kualifikohet për në fazën e grupeve të Ligës së Europës. Kroatët e RNK Splitit besonin te një barazim me gola në Piemonte, pas 0-0 në shtëpi, por Torino arrin të ruajë avantazhin minimal deri në fund dhe feston rikthimin e “granatave” në kupat e Europës, pas plot 20 viteve.
Të tjerat – Ndërsa Lioni e ndërlikoi kualifikimin e saj që në ndeshjen e parë në shtëpi, dje ka ardhur zyrtarisht skualifikimi ndaj rumunëve të Astras, edhe pse fituan 1-0. Francezët ishin një nga emrat që ishin mes favoriteve për suksesin final, por ndërkohë ata i kanë dhënë lamtumirën shumë shpejt Europës. Por ndërkohë, ishin favoritet e tjera si Totenhemi, Munshengladbah apo edhe Vijareali që nuk falën sërish. Anglezët shkatërruan 3-0 qipriotët e AEL Limasolit; gjermanët u tërbuan me 7 gola (7-0) ndaj boshnjakëve të Sarajevos, ndërsa Vijareali dëfreu tifozët e saj me 4 gola ndaj kazakëve të Astanas. Të tjerë emra të mëdhenj që kalojnë për në vazot e shortit të sotëm janë Dinamo e Zagrebit, Legia e Varshavës, por edhe PAOK-u e Sparta Praga.
Përgatiti: JETON STAMOLLA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"