Interi cinik, triumf edhe në Ukrainë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 19, 2014 | 19:59

Interi cinik, triumf edhe në Ukrainë

InteriInteri di të tregohet edhe cinik. Zikaltrit morën tri pikë të rëndësishme në transfertë, duke mundur me rezultatin 1-0 ukrainasit e Dnjepros. Edhe pse vuajtën në pjesën e parë, italianët përfituan nga dalja me të kuq e Rotanit, për të krijuar shumë raste shënimi dhe për të realizuar golin e fitores. Mendoi D’Ambrozio për t’u bërë heroi i mbrëmjes, duke vulosur fatin e takimit.
Ndeshja Maxarri hodhi në fushë një skuadër me më shumë muskuj dhe mesfushë të ngjeshur, duke praktikuar modulin 3-5-1-1. Ikardi udhëhiqte repartin e avancuar, ndërkohë që Guarin dhe Hernanes alternoheshin për të qenë ndihmësi i tij. Ndërkohë, M’Vila dhe Kuzmanoviç bënin “murin” para mbrojtjes. Gjithsesi, ishin vendësit ata që e nisën më mirë ndeshjen. Dnjepro tregoi agresivitet në aksionet sulmuese dhe e detyroi Interin që të mendonte më tepër t’u mbrojtur sesa të sulmonte me të gjitha forcat. Në pjesën e parë miqtë tentuan në disa raste të përdorin kundërsulmin, por pa qenë efikas. Madje, ukrainasit patën disa mundësi të mira shënimi, pa i finalizuar si duhet.
Pjesa e dytë U duk sikur gjithçka ndryshoi për Interin sapo rizbritën në fushën e lojës. Më tepër kërkues dhe më shumë grintë, çka i bëri ata “zotët” e fushës. Edhe pse po i afroheshin golit të avantazhit falë supremacisë në lojë, ishte dalja me të kuq e Rotanit ajo që u dha një dorë. Mesfushori mori kartonin e dytë të verdhë në minutën e 67-të dhe vetëm katër minuta më pas erdhi edhe goli që vulosi fatin e takimit. Pasi mori një top brenda zonës, D’Ambrozio kaloi me finesë një mbrojtës kundërshtar dhe nuk gaboi për të shkundur rrjetën e portierit Bojko. Ikardi nuk ishte në ditën e tij më të mirë, duke shpërdoruar disa mundësi të pastra shënimi, edhe për meritë të “gardianit” ukrainas. Pjesa e mbetur e minutave foli vetëm për zikaltrit, të cilët këmbëngulën për të realizuar edhe golin e sigurisë, por pa sukses. Start me fitore për djemtë e Maxarrit në Europë, të cilët marrin dhe kryesimin e grupit, duke përfituar nga barazimi i Karabakut me St.Etienin.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"