“Iki nga Flamurtari”, talenti Rrapaj: Vlerësimi i Troisit nuk vlen

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 21, 2020 | 23:08

“Iki nga Flamurtari”, talenti Rrapaj: Vlerësimi i Troisit nuk vlen

Arinaldo Rrapaj është i pari që shpall publikisht “divorcin” me Flamurtarin, duke paralajmëruar largimin pas përfundimit të sezonit. Në intervistën e dhënë për “Panorama Sport”, talenti vlonjat thotë se është në bisedime me disa ekipe brenda vendit. Rrapaj u ul në stol pas ardhjes së trajnerit Marcelo Troisi dhe lojtarëve brazilianë që solli me vete, duke lënë shije të hidhur jo vetëm te lojtari, por edhe tek opinioni sportiv vlonjat.

rrapaj

Rrapaj, me Tiranën, mendoni se mund të dilnit me pikë?

Mund të merrnim një pikë ndaj Tiranës. Patëm raste për të shënuar, por nuk arritëm të ishim konkretë përpara portës. Rezultati më i drejtë i takimit duhet të ishte barazimi. Nuk e meritonim humbjen. Realizuam një ndeshje të mirë, ku patëm raste të mira për të shënuar. Me pak fat mund të kishim dalë me një rezultat të mirë nga ajo transfertë.

Pas ndeshjes me Tiranën, trajneri Troisi ju vlerësoi si lojtar shumë të mirë. Si ndiheni për këtë?

Ndihem mirë për këtë, por për mua nuk është vlerësim, sepse në ndeshje u futa si zëvendësues dhe më nxjerr prapë nga loja. Nuk vlen ai vlerësim si lojtar shumë i mirë.

Keni rënë nga kategoria, cili mbetet objektivi në dy javët e fundit?

Lojtarët kanë dhënë maksimumin në çdo ndeshje. Edhe pse kemi rënë nga kategoria, ne do të vazhdojmë të luajmë. Objektivi do të jetë për t’i fituar këto dy ndeshje të fundit. Do të luajmë mirë dhe me mentalitet fituesi. Do të respektojmë fanellën, Vlorën dhe tifozët tanë. Do të luajmë për veten tonë, që gjithsecili të tregojë vlerat që ka.

Keni menduar për të ardhmen, do të qëndroni te Flamurtari?

Për momentin jam në bisedime me disa ekipe. Mendoj se ka ardhur koha për t’u larguar nga Vlora. Do të provoj një tjetër aventurë. Kam disa oferta dhe po i shqyrtoj. Do të vendos në kohën e duhur. Në sezonin e ardhshëm do të jem në Shqipëri, më vonë mund të shkoj jashtë shtetit.

Ndeshja e radhës me Teutën. Si e shikoni?

Do të jetë një ndeshje e vështirë për shkak se kundërshtari ka bërë mirë. Asnjë nuk e ka pasur të lehtë me Teutën, por ne do të japim maksimumin për ta fituar këtë ndeshje.

Ermal Sika – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"