Ikardi zbulon objektiva: Interi ëndërron tripletë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 31, 2018 | 20:07

Ikardi zbulon objektiva: Interi ëndërron tripletë

Dje, Interi (bashkë me të edhe skuadrat e tjera italiane) njohu fatin që e pret në Ligën e Kampionëve, por Mauro Ikardi atë kupë e ëndërron prej shumë kohësh. E ka rrëfyer vetë kapiteni zikaltër për “Corriere della Sera”, në rubrikën “Intervistë e dizajnuar”. Një intervistë, pra, ndryshe nga të tjerat: bomberit zikaltër i është kërkuar t’i pikturojë përgjigjet në vend që të përdorte fjalët. Gjatë ditëve të ardhshme pritet takimi mes futbollistit dhe klubit për të diskutuar rinovimin: menaxherja-bashkëshorte, Vanda Nara, mendohet të ketë bindur drejtorin sportiv, Piero Auzilio, dhe së shpejti palët do të ulen në tavolinën e bisedimeve.

Ikardi

GJËRA TË MËDHA – Por, fillimisht, duhet menduar për rezultatet personale dhe ato me fanellën interiste. Nga të qenit kapiten i Interit në moshën 22-vjeçare, te raporti me Vanda Narën, Argjentina kur ai ishte fëmijë, objektivat e radhës së Interit dhe si ndërtohet një grup fitues… Champions-i, megjithatë, është objektivi kryesor i Ikardit, që do debutojë në kompeticionin e shumëpritur.

Mauro, që nesër shpreson të zhbllokohet kundër Bolonjës, kundër së cilës ka shënuar 4 gola dhe nuk ka humbur kurrë (4 fitore e 4 barazime mes Interit e Sampdorias), këtë herë është shprehur kështu: “Ku do jetë Interi në fund të sezonit?”. Si përgjigje, Ikardi ka pikturuar veten duke fjetur në krevat, teksa ëndërron tripletën: titull, Kupë të Italisë dhe Champions. “Interi ëndërron gjëra të mëdha”, ishte dicitura në vizatim.

ikardi

Përgjigjet edhe mbi Vanda Narën. Te pyetja si gjendet ekuilibri mes bashkëshortes dhe menaxheres, Ikardi vizaton një këpucë me takat mbi topin dhe veten teksa kap për dore Vandën, me shkrimin ekuilibër-dashuri, besim, besnikëri. Është edhe Zaneti, që vendos dorën mbi një Ikardi “të vogël”: ai është shembulli që Mauro ka ndjekur kur mbante veshur fanellën e kapitenit, 22 vjeç. Rregullat për një goditje me kokë perfekte? Ideja kryesore (e thënë nga një bomber i nivelit të tij vlen si “ari”) është koordinimi në kërcim. Argjentina e tij? Shfaqet Roziario, qyteti ku ka lindur; shton më pas disa fëmijë që luajnë futboll në rrugë.

100 gola me fanellën e Interit: objektivi i radhës? Përgjigjja e Ikardit është një rrugëtim ende larg finishit. Dhe si kapiten i mirë, i përgjigjet edhe pyetjes se si ndërtohet një grup fitues: pesë interistë që përqafohen dhe poshtë duken fjalët e Alfredo Di Stefanos: “Asnjë lojtar nuk është aq i zoti sa të gjithë të bashkuar”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"