Idrizi: FSHF, një grup gjobëvënësish. Po na vjedhin paratë, por do durojmë deri në mars

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 5, 2017 | 11:26

Idrizi: FSHF, një grup gjobëvënësish. Po na vjedhin paratë, por do durojmë deri në mars

Flamurtari nuk e njeh detyrimin e dytë ndaj ish-trajnerit Ernest Gjoka. Për “Panorama Sport”, administratori Sinan Idrizi ka reaguar dje shumë ashpër. Ai theksoi se 26 mijë eurot janë gjobëvënie e FSHF-së, ndërsa bëri të ditur se ky sistem e detyron që edhe ai të mos njohë më detyrimet ndaj Tatimeve dhe të mos derdhë më asnjë qindarkë.

idrizi

REAGIMI

“Nuk ka detyrime Flamurtari, por thjesht kjo është një gjobëvënie e radhës. Pranë FSHF-së është instaluar një rreth vicioz me disa gjobëvënës që duan të marrin atë punë që nuk kanë bërë, atë djersë që nuk kanë derdhur. Kanë krijuar një miksim grupi, që këtë herë duhet të ndahet ‘shapi nga sheqeri’. Nuk ka më, kjo është vija e fundit e demarkacionit.

FSHF nuk njeh asnjë lloj detyrimi dhe në këto kushte, unë nuk do të bëj asnjë lloj detyrimi më ndaj zyrës së Tatimeve. Do të çoj një letër te Tatimet. Do të bëj një padi në Prokurori për të gjithë anëtarët e Dhomës së Zgjidhjes së Konflikteve. Ata kanë krijuar një rreth vicioz me disa kalemxhinj, që të presin fatura në emrin e gazetarit. Nuk është vetëm Gjoka që pret fatura këtu.

Këta janë një grup. Gjoka është thjesht gjobëvënësi. Nuk janë grupe të strukturuara që presin fatura në mënyrë kriminale, por t’i presin si një grup i strukturuar me ndonjë gazetar të tipit Rozafa, që ngriti kalanë për Flamurtarin. Nuk njohin asnjë rregull. Unë derdh detyrime në shifrën e tatimeve të Gjokës, këta më thonë mua tani paguaj Gjokën. Janë të gjithë sekserë.

Këta kanë patur shkelje fantastike në afatet ligjore të kërkesës, nuk kanë marrë parasysh asnjë kontestim tonin. Kemi një rast, ku për fyerje ndaj klubit dënohesh me 10%. Ka fyerje pa fund të Gjokës, madje familjarisht kundër Flamurtarit dhe këta nuk e marrin parasysh. Çudia është që gazeta pranë FSHF-së ka tre muaj që shkruan shifrën e saktë, 26 mijë euro ndaj Gjokës dhe atë kërkojnë këta dhe e ekzekutojnë.

Çështja deri në fund do të kalojë në KAS dhe do të ketë një denoncim në Prokurori. Këta nuk duan të dinë më për shtet. Dhoma e Zgjidhjes së Konflikteve është një institucion gjobëvënës. Nuk ka konsultim me Tatimet, ka një kontratë me Gjokën që është e vitit të parë kur e kam marrë unë, që kam thënë nëse Flamurtari shkon në Kupat e Europës, do ta rimbursoj unë detyrimin ndaj Tatimeve.

Ky thotë dua 26 mijë euro, po tatimet që bëjnë 22 mijë euro dhe 4 mijë euro gjobë, i ka llogaritur zotëria?! Të paguaj tatimet unë, të paguaj dhe 26 mijë euro shpërblim! Do t’i çoj letër Ministrisë së Financave dhe Prokurorisë. Ky është kulmi. Me këto gjobëvënie, këta mendojnë se do ulin ritmin tim kundër ilegalitetit, por gabojnë. Lekët që do t’i marrin qoftë Gjoka, sekserët e Gjokës, gazetari i Rozafës, i hëngshin për të mira e në gëzime”, është shprehur fillimisht Idrizi për gazetën.

AKUZAT

Administratori Idrizi parashikon se në mars do të ketë zhvillime dhe se në futboll do të nisë një erë e re, duke paralajmëruar reformim total të FSHF-së pas zgjedhjeve për kreun e saj.

“Deri në mars unë do bëj si do bëj. Do të ketë një erë të re në futbollin shqiptar. Era e re nuk bëhet me ata që qelbin njerëzimin. Dhoma e Zgjidhjes së Konflikteve janë një grup grabitësish dhe të korruptuarish. Nuk njohin më shtet në këtë vend. Ky thotë mos paguaj tatime, pasi unë u prish sistemin.

Mua nuk më dekurajojnë, por unë tatimeve të Vlorës do t’u bëj një letër me shkrim dhe do t’u them që për shkak të këtij sistemi do të rishikoj gjithë aktivitetin tim dhe nuk paguaj më detyrime. Këto para kanë për t’i vjedhur. Të gjithë këta gjobëvënës mendojnë se kanë futur dy gola dhe kanë fituar ndeshjen. Të presin të bjerë bilbili i fundit dhe të shikojnë. Këto do të jenë kujtime të hidhura”, përfundon kreu i klubit të Flamurtarit, Idrizi, në prononcimin e tij për “Panorama Sport”.

ERMAL SIKA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"