I pari ishte Partizani…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 2, 2015 | 21:16

I pari ishte Partizani…

1962 PARTIZANI NORKOPING

Në kujtim të premierës së Shqipërisë në Kupat e Europës

Nga BESNIK DIZDARI

Ndoshta titullin e këtij Dossier-i disi të shpejtë mund ta vija ndryshe. Bie fjala, mund ta vija kësisoj: “E ku ta gjej më atë Partizan?”…

Por ndoshta kjo është një retorikë që ngre më lart sesa duhet një skuadër të 50 e mâ vjetëve. Partizanin 1962, kampionin e parë shqiptar, që është nisur në Europë, më saktë është nisur e para për Shqipërinë për në Kupën e Kampioneve të Europës, kur për shtetet e tjera ajo kishte nisur qysh 7 vjet më parë.

E megjithatë, në këtë ditë të sotme, kur klubet shqiptare nisin për herë të 45-të (jubilare kjo) në histori pjesëmarrjen e tyre në Kupat e Europës, vetvetiu më mundon kjo retorikë: “E ku ta gjej më atë Partizan?”….

Dhe po e nisi me foton që shoqëron këto radhë. Është një foto e vetme (unikale), që qëndron si një margaritar gazetarie në arkivin tim. Dhe për të cilën unë nuk kam asnjë meritë tjetër, përveç vlerësimit dhe respektit profesional të saj. Ndërkaq, historia se si unë e kam në zotërim këtë foto, për të cilën prej vitesh nuk arrij të njinjisoj autorin, kërkon një shkrim të posaçëm, për çka nuk është vendi këtu.

Kështu që po ia “dhuroj” gazetës “Panorama Sport”, natyrisht i sigurt se plagjiatorët nuk do ta përvetësojnë “pa pikë turpi”, siç ndodh shpesh, sidomos këto vitet e fundit…

Fotoja i përket 12 shtatorit 1962. Stadiumi Kombëtar       “Qemal Stafa”. Para ndeshjes Partizani – IFK Norrköping 1-1 për Kupën e Kampioneve të Europës. Lojtarët e Partizanit (me fanella të errëta -në të vërtetë kanë qenë të kuqe)radhazi  lart nga e majta nisin me sulmuesin e krahut Kolec KRAJA, i papërmbajtshëm dhe atlet, teksa vazhdojnë me Miço NDININ, stoik në mesfushë, mbas të cilin vjen një sulmues legjendar për ne me emrin Refik RESMJA. E mandej Robert JASHARI – qendërsulmues tipik e shënues tejet elegant. Në atë drejtim radha e parë lart mbyllet me qendërmbrojtësin e fuqishëm Miço PAPADHOPULLI. Ndërkaq, nis radha ulur nga e majta me sulmuesin po aq golashënues origjinal, Tomor GJOKA, mandej Fatmir FRASHERI – mbrojtësi epokal, e mbas nja tre lojtarëve suedezë vjen mbrojtësi tjetër Fatbardh DELIALLISI – kapiteni i parë i Kombëtares në ndeshjet europiane. E këtu, menjëherë mbas një suedezi që çuditërisht i ka hedhur krahun në sup, shfaqet “ai”, Panajot PANO i madh, i cili atë ditë nuk ndalej! Ngjitur me të është portieri më akrobatik që ndoshta ka pasë Shqipëria: Mikel JANKU. Dhe në mbyllje kapiteni i madh i Kombëtares së mbas pak kohëve: universali Lin SHLLAKU.

Me përjashtim të Tomor Gjokës, të gjithë të tjerët kanë bërë histori edhe nën fanellën e Kombëtares së Shqipërisë.

Kështu pra: “E ku ta gjej më atë Partizan?”…

Sepse sot është e pamundur të kesh një Kampione të Shqipërisë, ku të gjithë lojtarët e saj të jenë të Kombëtares.

Dhe është plot 53 vjet më parë. Prehistori! Në të vërtetë një histori.

Një histori jo fort me fat e Shqipërisë që niste pra më 26 gusht 1962, me ndeshjen IFK Norrköping (Suedi) – Partizani 2-0. Kthimi mbas pak ditëve në Tiranë, më 12 shtator 1962, ishte një barazim i madh 1-1. Kjo ishte pjesëmarrja e parë e Shqipërisë në kupat, që fillonte me pjesëmarrjen në Kupën e Kampioneve të Europës (sot Liga e Kampioneve).

E filluar kështu në qytetin Norrköping (Norçeping) të Suedisë me ndeshje për Kupën e Kampioneve të Europës, ky gjysmëshekull futboll i klubeve shqiptare në Europë, i nisur me një eliminim dinjitoz të 53 vjetëve më parë, përmbledh një histori modeste, ndonjëherë nderuese, sa zhvilluese, po aq vendnumruese, sa krenare, po aq kryeulëse. Por premiera e Partizanit ka qenë e kalibrit të një stili të vërtetë europian.

Tek janë edhe dy skedat e fillimit të pjesëmarrjes sonë, të cilat në thelb na kujtojnë dy ndeshje të rralla, të paharrueshme në krejt përmbajtjen tyre befasuese për një vend të vogël si Shqipëria – e vetmja e cila kishte munguar të shfaqej në Europë në shtatë vitet e para të Kupave të Europës (1955-1962). Për fat do të ishte një mungesë, që Shqipëria me gjeopolitikën e regjimit të saj do ta përsëriste shpesh. Kështu, të duket sikur ne mbetemi te befasia e pjesëmarrjes së parë, dy ndeshjeve tona të para që kanë këtë pamje të paharrueshme historike:

Norrköping, 26.08.1962. St.: “Idrottsparken”.

IFK Norrköping – Partizani 2-0

IFK Norrköping: Nyholm – Lind, Rosander – Ohlsson, Johansson, Nordqvist – Lagerlund, Björklund, Martinsson, Bild, Bergstrand. TRAJNER: V.Varszegi.

PARTIZANI: Maliqati, – Deliallisi, Frashëri, Papadhopulli, Shllaku – Ndini, Merja, – Kraja, Pano, Resmja, Jashari. TRAJNER: L.Boriçi.

GOLAT: Bild 55’, Rosander 74’

GJYQTAR: L.Gulliksen / NOR.

SHIKUES: 12.271

 

Tiranë, 12.09.1962. St. Kombëtar “Q.Stafa”

Partizani – IFK Norrköping 1-1

PARTIZANI:  Janku – Deliallisi, Frashëri, Papadhopulli, Ndini – Shllaku, Gjoka, Kraja, Jashari, Pano, Resmja. TRAJNER: L.Boriçi.

IFK Norrköping: Nyholm – Lind, Rosander – Björklund, Johansson, Nordqvist – Lagerlund, Martinsson, Kindvall, Bild, Bergstrand. TRAJNER: V.Varszegi.

GOLAT: Kindvall 6’, Kraja 48’.

GJYQTAR: V.Korelus / CZE.

SHIKUES: 18.000.

 

Këto ishin dy ndeshjet e para të atij edicioni të Kupës së Kampioneve, një lloj turi kualifikues, siç përcaktohej, ku fituesja e këtij çifti përurues do të bënte pjesë në 28-shen e turit të parë. Duke rezistuar në ndeshjen e parë, atë të 26 gushtit 1962 në Norrköping deri në të 55’, Partizani i Loro Boriçit kishte mbajtur në ankth “Idrottsparken” të  Norrköping-ut. Mandej, ndeshja e kthimit në Tiranë, një 1-1 i paharrueshëm, që befasonte Europën e futbollit e cila nuk po e kuptonte se si kishte qenë e mundur që Shqipëria të kishte vonuar kësisoj të merrte pjesë në garat e klubeve! Tre kombëtaras të shquar të Suedisë, Nyhol, Bild dhe Johansson, shto këtu dy kombëtarasit e tjerë të një talenti të madh që sapo mbërrinin, siç ishin 20-vjeçari Nordqvist dhe 19-vjeçari Kindvall, të drejtuar nga trajneri hungarez Vilmos Varszegi, i përvijonin kampiones së Suedisë një skuadër të mrekullueshme, çka bënte që të ngriheshin edhe më lart kuotat e paraqitjes së kampiones shqiptare. Në turin e dytë IFK Norrköping, tash i pafat, do të takonte Benfica-n legjendare (ajo që do të mbërrinte deri në fundoren (finale) me Milanin 1-2) të Eusebios, Augustos, Torresit, Colunas dhe Simoesit: 1-1 në IFK Norrköping dhe natyrisht 1-5 në Lisbonë.

I pranishëm si një spektator i ri, student 19-vjeçar, diku në tribunën anësore, por fare pranë me atë qendrore, të stadiumit kombëtar “Qemal Stafa”, kam përjetuar edhe unë si njëri midis 18.000 shikuesve kryeqytetas, një ndeshje të rrallë jo vetëm në të dhënat e shifrave 1-1 (gol i Kolec Krajës), por sidomos një ndeshje tejet taktike, që vetëm një Loro Boriç i mbështetur edhe te të rinj të tillë si Janku, Frashëri, Shllaku, Gjoka e Pano, ia kishte arritur të shpaloste. Në kujtesën tonë të pashlyeshme, atë shtator plot diell të vitit fatal për ne, 1962, mbeti një futboll modern i nivelit të lartë. Një brilant i pashlyeshëm i futbollit shqiptar.

Ka ndodhur plot 53 vjet më parë!

Për fat pra kemi foton e rrallë, historike, të para kësaj ndeshjeje, ku Partizani dhe kampionia e Suedisë, IFK Norrköping, kanë pozuar së bashku në një pamje të rrallë të miqësisë, “fair play” unik europian edhe për sot. Është një foto që të emocionon tejet, teksa paraqet një Shqipëri futbollistike të harruar, por ndoshta në nivel klubesh më ndërkombëtare se kurrë.

Nuk dua të vazhdoj me retorikë, por prapë pyes veten: a mos rrezikojmë të jemi 53 vjet disi larg në cilësi në ndeshjet me klubet në Europë edhe në krahasim me këtë Partizan të paharrueshëm 1962?

Nuk kam të drejtë ta pohoj këtë. Ndonëse, përjashto  shpërthimin e KF Kukësit të dy vjetëve më parë, pak histori kemi për të treguar në gjithë këto vite ‘2000. Aq më tepër kur kujtojmë se asnjë kundërshtar nuk i afrohet Kampiones së Suedisë IFK Norrköping të vitit 1962, kampiones së një vendi i cili katër vjet më parë kishte qenë nënkampion i Botës: Suedia pra! Ndonëse në atë shtator ishte diçka tjetër, por prapë ishte Suedi: Nyhol, Bild, Johansson, Nordqvist, Kindvall…

E mû këtu kërkon të marrë fund ky Dossier. Mirëpo, historia gjithnjë është një vazhdimësi.

E nuk po mund të rri pa kujtuar se një vit më vonë, më 1963, Partizani fiton 1-0 në Tiranë me Kampionen e Bullgarisë Spartak Plovdiv, përsëri me golin e pamungueshëm të Kolec Krajës, sulmues i krahut të djathtë, i shpejtë, teknik, goditës i shkëlqyer. Dhe humbje 1-3 në Plovdiv. E mandej, kur mbërrin 1964-tra dhe në Tiranë vjen Kampionia e parë e Bundesligës, Köln i Gjermanisë, me në krye kapitenin e Kombëtares së Gjermanisë, Kampionin e Botës (1954) Schafer dhe Kampionin e ardhshëm të Botës, Owerath, po dhe dy nënkampionët e ardhshëm të Botës, Weber e Löhr, atëherë historia gati shndërrohet në legjendë për Shqipërinë e vogël e cila po merrte pjesë vetëm për herë të tretë në Kupën e Kampioneve.

Dhe Partizani – Köln 0-0 para 25.000 shikuesve të shtrënguar në tribunat e gurta të stadiumit kombëtar “Qemal Stafa”. Ka qenë një 0-0 përtej historisë. Është absolutisht një nga ndeshjet më të mëdha të historisë së futbollit shqiptar, një 0-0 të cilin për 90 minuta të tana Partizani e kërkoi ta shndërronte të paktën në 1-0 për të. Lin Shllaku ndoshta qe lojtari më i mirë dhe këtë nuk e them vetëm për episodin e paprecedentë të fundit të ndeshjes kur kapiteni Schafer, i ndalur në mesin e fushës, e kërkoi me sy ku ishte Shllaku dhe nxitoi të shkonte t’i shtrëngonte dorën…

Dhe kujtojmë kthimin po aq dramatik, edhe pse 0-2! Të dy golat e Kampiones së Gjermanisë i përkasin minutave 80 dhe 90! S’ka nevojë për koment. Loro Boriçi me këto dy ndeshje, përveç ato të IFK Norrköping-ut suedez, ka dy kryevepra të tjera të tij. Në ndeshjen e Köln-it gjithçka ka qenë një ankth i vërtetë dhe betoni shqiptar është plasaritur vetëm në fund dhe vetëm me sakrifica të jashtëzakonshme të kampionëve të parë të Bundesligës. Dueli ka pasur jehonë në gjithë Europën dhe sot mbas 51 vjetëve gjithçka na duket disi e pakapshme edhe pse nuk përbënte një kualifikim.

I ndikuar tejet prej këtyre dy kujtesave të pashlyeshme të shekullit që kaloi, a vërtet mund ta humbas pra, baraspeshën e gjykimit, deri aty saqë sot të mendoj se me kupat e kemi të vështirë të rivalizojmë edhe me një Partizan të mrekullueshëm të 53 vjetëve më parë?…

Edhe në këtë rast mund të gaboj, teksa nuk më hiqet nga mendja premiera madhështore e Partizanit 1962.

Sot Shqipëria nis garën 2015-16, ose një nga garat e saj të shekullit XXI. E nis edhe Partizani. Një Partizan i vitit 2015 që i takon të jetë “bir” apo “nip” i Partizanit” të rinisë sonë, atij të premierës së vitit 1962. Do të luajë për Ligën e Europës, diçka tjetër natyrisht. Por me një “ngjashmëri” të vogël, edhe pse disi abstrakte: do të ndeshet po me një skuadër nordike, ashtu si Partizani i vitit 1962. Nuk i përngjan assesi. Vërtet është diçka krejt tjetër…

Nuk më mbetet tjetër veçse ta uroj që të përpiqet t’i përngjajë sadopak Partizanit 1962.

Dhe jo vetëm ai, por dhe KF Kukësi e KF Laçi. E mandej edhe kampionia Skënderbeu. Kurrë nuk është vonë për të bërë diçka të bukur.

Ndoshta në ndihmë të gjithë kësaj shkon edhe pak prej kësaj historie të bukur si kjo që përkujtuam.

E pra! Nisje të mbarë në Kupat e Europës!…

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"