I dha fitoren e fundit Vllaznisë ndaj Tiranës, Kalaja i karikuar ndaj bardhebluve: Ata duhet të na kenë frikë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 17, 2020 | 23:04

I dha fitoren e fundit Vllaznisë ndaj Tiranës, Kalaja i karikuar ndaj bardhebluve: Ata duhet të na kenë frikë

Arlind Kalaja është lojtari i cili ka arritur që të shënojë golin e fundit të fitores së ekipit kuqeblu ndaj Tiranës. Në një intervistë të tij për “Panorama Sport”, Kalaja ka rrëfyer emocionet e asaj fitoreje, por edhe atë që dëshiron të arrijë në takimin e kësaj fundjave.
Kalaja
Këtë fundjavë pritet të luhet një nga klasiket e futbollit shqiptar, Vllaznia-Tirana. Si duket gjendja tek ekipi juaj?
Normalisht kjo është një ndeshje me specifikë të veçantë nisur kjo nga fakti që është klasike e futbollit shqiptar dhe për shumë vite i ka dhënë tonin futbollit shqiptar. Në ekip gjendja është shumë e mirë dhe entuziaste. Kjo, si pasojë e startit shumë të mirë që kemi bërë.

A mendoni se kjo Vllazni do të arrijë t’ia dalë ndaj kësaj Tirane?
Mendoj se do të jetë një ndeshje e hapur dhe e bukur. Të dyja ekipet aplikojnë lojë sulmuese. Ne do të jemi aty për të treguar se starti nuk ishte rastësi.

Afro tri vite më parë i keni dhënë fitoren e fundit Vllaznisë, a ndieni edhe tani emocione?
E mbaj mend atë ndeshje. Shënova golin e vetëm të atij takimi që na dha tri pikë me shumë vlerë. Edhe tani kur e kujtoj, e shijoj. Dhe tani dëshiroj që të përjetoj të njëjtin emocion. Kur shënon dhe kur fiton ndaj Tiranës, ka emocione të mëdha, jo unë, por çdo lojtar i ekipit tonë.
vllaznia-tirana
Dëshironi që sërish të kontribuoni në një tjetër fitore të Vllaznisë ndaj Tiranës?
Kam pasur një problem në kavilje dhe do të më duhet të luftoj me kohën që të jem në fushë. Nëse do të jem, normalisht që do të doja të kontribuoja në të gjitha mënyrat për të arritur këtë sukses disi të veçantë. Gjithsesi, do të gëzohesha shumë nëse do të arrinim fitoren. Do ta shijoj po me aq kënaqësi që kam shijuar atë para tri vitesh e kur golin e shënoja unë.

A ka arsye Vllaznia me këtë ekip t’i trembet kësaj Tirane pavarësisht se është kampione?
Mendoj se organikat e të dyja ekipeve kanë ndryshuar këtë sezon. Ne kemi treguar këto 4 ndeshjet e para, përfshirë këtu edhe takimet e Kupës, që jemi kompetitivë dhe të uritur. Nisur nga kjo, s’kemi pse t’i trembemi askujt, përkundrazi duhet që të jenë të tjerët që duhet të na tremben neve.

Do të kënaqeshit edhe me një barazim apo fitorja është alternativa e vetme?
Jo se mendoj për barazimin, pavarësisht se loja ka 3 rezultate. Jemi stërvitur dhe ushqyer me idenë se fitorja është rruga drejt suksesit dhe atë mendojmë sa herë zbresim në fushë, pavarësisht kundërshtarit.

ADMIR URUÇI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"