I bashkoi Shqipëria, “Spiderman” i Dinamos rrëfen besimtarin Daliç: Më solli Bibël nga Vatikani

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 12, 2022 | 22:24

I bashkoi Shqipëria, “Spiderman” i Dinamos rrëfen besimtarin Daliç: Më solli Bibël nga Vatikani

Për të mbërritur në atë që sot është skena më e madhe e futbollit në botë, Zlatko Daliçit i është dashur të përshkojë një rrugë të gjatë. E ka nisur në Kroaci, për të vazhduar më vonë në Shqipëri, Arabinë Saudite e Emiratet e Bashkuara Arabe, deri kur në 2017-ën iu besua stoli i kombëtares kroate në një nga momentet më delikate të saj.

dalic

Ballkanasit po luftonin për kualifikimin në Botërorin e Rusisë dhe u duhej edhe një pikë në ndeshjen e fundit eliminatore ndaj Ukrainës për të siguruar një vend në “play off” dhe me Daliçin në stol morën tri të tilla, që u pasuan më pas nga një tjetër fitore ndaj Greqisë për të siguruar vendin e tyre në Rusi. Pjesa tjetër është histori, me Kroacinë që mbërriti deri në finale dhe mban sot titullin e nënkampiones së botës.

Por padyshim që përveç gjithë cilësisë që ka në përbërje kombëtarja kroate, një ndikim shumë të madh në gjithë rrugëtimin e tyre dhe Daliçit në veçanti ka pasur besimi, një pikë e fortë e trajnerit. “Çdo gjë që kam arritur në jetën time dhe në karrierën time është falë besimit tim dhe i jam mirënjohës Zotit”, tregonte 56-vjeçari që si fëmijë shoqëronte priftin në kishën pranë shtëpisë. “Është diçka që ma ka transmetuar mamaja ime dhe unë nuk i jam larguar asnjëherë besimit dhe çdo të diel përpiqem të shkoj në kishë kudo që të jem”, ka thënë Daliç, duke zbuluar edhe atë që e konsideron si hajmalinë e tij: “Mbaj gjithmonë me vete një rruzare dhe sa herë që ndihem se po kaloj një moment të vështirë, fus dorën në xhep dhe shtrëngoj rruzaren. Pas kësaj çdo gjë është më e thjeshtë”.

RUBEN ÇEKO – Por ndërsa besimi në Zot është edhe një nga tiparet dalluese të rivalëve të ardhshëm argjentinas, Daliç ka një tjetër episod në jetën e tij që i përmbledh të dyja këto pika. Në Tiranë, te Dinamo, Daliç ka stërvitur Ruben Çekon, sulmuesin argjentinas që ka rrëfyer së fundi lidhjen me trajnerin dhe anën e tij kristiane: “Kur e kam njohur që ishte rreth të 40-ave, dukej që ishte një person shumë i aftë, shumë punëtor dhe që gjithmonë i paraqiste me shumë elegancë idetë e tij të lojës. Më ka kërkuar gjithmonë të kisha besim në Zot dhe më ka sjellë nga Vatikani një Bibël dhe një rruzare që ende i mbaj në shtëpi, për të më treguar që më donte dhe më vlerësonte”. Çeko, i lindur në Rosario ashtu si Mesi, sigurisht që të martën do të lutet për Argjentinën, ndërsa Daliç shpreson që edhe nëse i lind nevoja për të prekur rruzaren, ajo ta ndihmojë.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"