Humbje në tavolinë dhe 500 mijë lekë gjobë, presidenti i Teutës: Hakmarrje primiteve e federatës. Kërkova shkarkimin e…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 12, 2020 | 22:38

Humbje në tavolinë dhe 500 mijë lekë gjobë, presidenti i Teutës: Hakmarrje primiteve e federatës. Kërkova shkarkimin e…

Pas publikimit të vendimit të Disiplinës, që konfirmoi humbjen në tavolinë për Teutën ndërsa i gjobiti durrsakët edhe me 500 mijë lekë gjobë, ka ardhur edhe reagimi i Arqile Goreas. Presidenti i Teutës ka shpërthyer ndaj federatës, duke e konsideruar të jashtëligjshëm një vendim të tillë.

arqile gorea

“Është një skandal i vërtetë, sepse nga rishikimi i dokumenteve, ashtu siç thotë edhe komisari apo arbitrat, në statut dhe rregullore nuk parashikohet që mund të ndalohet hyrja e presidentit në dhomat e zhveshjes. Një rregull ndërkombëtarisht i pranuar. Në rregullore nuk është pranuar, as në statut gjithashtu, këtë e konfirmon edhe vetë komisari Vjerdha”, deklaron Gorea, i cili më pas tregon se çfarë ka ndodhur ditën e derbit: “Ne jemi paraqitur në ambientet ku do të luhej takimi në orën 15:20 dhe që në fillim vumë re prezencën e madhe të forcave policore private. Djali i Perikli Gogës na komunikoi urdhrin që nuk lejohemi të futemi në ambiente. U detyrova preva një biletë si të gjithë qytetarët e tjerë, ndërsa këtu dua të përmend edhe një herë që sekretari i federatës vazhdon me ciklin e gënjeshtrave, pra ai shprehet që gjoja më ishte rezervuar vend në tribunë.

goga teuta
Siç gënjeu edhe për miratimin e bilancit të buxhetit të FSHB, ku ishin vetëm 10 veta pjesëmarrës dhe ashtu sikurse bën gjithmonë me ato ‘pehlivanllëqet’ e tij në shërbim të shefit. Ne pritëm deri në orën 16:40, ndërsa lojtarët tanë ishin të indinjuar dhe të revoltuar nga e gjithë kjo situatë presioni, ku del pronari dhe thotë kam të drejtën e pronës, në një ambient të regjistruar për aktivitete publike, si Kampionati Kombëtar. Kështu, ne marrim vendimin të largohemi dhe pasi nisemi unë kam njoftuar një konferencë shtypi, ndërsa në orën 16:59 më merr në telefon komisari Vjerdha dhe më thotë Goga ka rënë dakord që ju të futeni në dhomat e zhveshjes. Pas kësaj unë pyeta ekipin a është në gjendje për të luajtur, ndërsa lojtarët në mënyrë kategorike nuk pranuan që të kthehen sepse nuk ishin në gjendje të mirë psikologjike. Kështu, unë i kthej përgjigje komisarit që ta shtyjnë në një ditë tjetër, pasi ekipi nuk është në gjendje për të luajtur. Në procesverbal thuhet që ndeshje i është dhënë në tavolinë Gogës, por ne nuk kemi braktisur pasi kemi qëndruar më shumë se 1 orë e 20 minuta duke pritur. Ndërsa më e çuditshmja është se sot (dje) kam një njoftim nga federata, pasi vendimin nuk ma kanë sjellë, ku thuhet se për braktisje demonstrative të ndeshjes dënohem me humbje në tavolinë dhe me 5 milionë lekë të vjetra gjobë. Vendim që njëri prej anëtarëve nuk ka pranuar të firmosë sepse është jashtë kontureve ligjore”, tregon presidenti i Teutës.

tirana teuta basketboll meshkuj
Sipas Goreas, kjo është një hakmarrje e FSHB, të cilin kreu i durrsakëve e argumenton kështu: “Një vendim krejtësisht i njëanshëm dhe një hakmarrje primitive, sepse unë para disa ditësh i kam kërkuar presidentit Ponari shkarkimin e sekretarit të përgjithshëm për veprime të përsëritura, keqinformim të opinionit publik, influencim në rezultatet e ndeshjeve nëpërmjet arbitrave dhe për konflikt interesi”.

avni ponari
Gorea më pas tregon hapat që do të ndjekë për këtë situatë, ndërsa thotë se kjo që ndodhi ka qenë një kurth i ngritur nga rivalët në bashkëpunim me FSHB: “Teuta do të ndjekë të gjithë hapat ligjorë për të një të drejtë që i takon në basketbollit shqiptar dhe për të sensibilizuar të gjithë opinionin që të kuptojë se ku është katandisur basketbolli dhe me çfarë metodash drejtohet. Ndërsa me këtë rast dua të bëj edhe një apel të gjitha ekipeve dhe shoqatave pjesëmarrëse që të mos qëndrojnë indiferente ndaj veprimeve të tilla arbitrare. Unë besoj që në këtë vend do të gjenden njerëz për ta mbështetur këtë kauzë për ti larguar hyzmeqarët e pafytyrë që gënjejnë pa turp, të cilët kanë konflikt interesi me detyrat që bëjnë. Mendoj që ky ka qenë një kurth i përbashkët, që nga lajmërimi një minutë para ndeshjes, deri te nxjerrja e pengesave artificiale pa bazë ligjore, që kanë treguar një frikë për tu ndeshur në kushte normale me Teutën. Mos harroni që ne i kemi mundur dy herë radhazi”, përfundoi Arqile Gorea.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"