Hoxha thyen rekordin: Ia dedikoj gruas dhe djalit, emocion i papërshkrueshëm

Panorama Sport | Gazeta me e madhe sportive ne vend

Postuar: Dhjetor 14, 2014 | 12:05

Hoxha thyen rekordin: Ia dedikoj gruas dhe djalit, emocion i papërshkrueshëm

alban hoxhaRekordet janë vënë për t’u thyer dhe kjo gjë është vënë në zbatim edhe dje nga portieri i Partizanit, Alban Hoxha. “Gardiani” i të kuqve dje ka arritur të thyejë rekordin 30-vjeçar të vendosur nga portieri i Labinotit të Elbasanit, Bujar Gogunja, që e mbajti të paprekur rrjetën e portës për 1037 minuta.

Rekordi i ri i vendosur nga Alban Hoxha është 1084 minuta, rekord i cili u vendos të shtunën e 13 dhjetorit. Ish-portieri i Elbasanit e vendosi rekordin e tij në intervalin kohor 11 dhjetor 1983 – 13 maj 1984. Ndërsa rekordi i ri i vendosur nga Hoxha nisi më 30 gusht 2014, në minutën e 80-të të ndeshjes me Apoloninë deri më 13 dhjetor 2014, ku në minutën e 85-të ndëshkohet nga Ardit Shehaj. Duhet thënë se për arsye familjare, që tashmë dihen, Alban Hoxha nuk i ka radhazi 12 ndeshjet pa gol, pasi ka munguar në dy sfidat e fazës së dytë me Skënderbeun dhe Kukësin.

Pas ndeshjes, Hoxha është ndier i lumtur për rekordin e thyer, rekord të cilin Gogunja dëshironte ta thyente vetëm Albani. Kur mbërriti minuta e 38-të e ndeshjes, tifozët e Partizanit brohoritën dhe ndezën fishekzjarrë, ndërsa portieri duartrokiti në drejtim të tyre. Gjatë një prononcimi për “Panorama Sport”, Hoxha tha se ai ka edhe një dedikim për këtë sukses, duke ia dedikuar bashkëshortes së ndjerë dhe djalit të tij.

“Kjo është kënaqësia më e bukur e jetës sime, pasi vjen edhe pas më shumë se 30 vitesh. Nuk kam fjalë që ta përshkruaj këtë emocion të madh. Rekordin ia dedikoj bashkëshortes sime dhe djalit. Jam shumë i emocionuar, pasi është një sukses shumë i madh për një futbollist”, u shpreh Hoxha. Më tej, zëvendëskapiteni i të kuqve shprehet i mërzitur për humbjen duke e cilësuar golin e Flamurtarit si aksidental. “Ishte një gol aksidental ai që pë- suam në fund. Flamurtari më shumë tërhiqej sesa sulmonte. Duhet ta fitonim këtë takim, por na penalizoi ai gol që siç thashë ishte aksidental. Unë jam i mërzitur për këtë, por ne kemi forcë për ta kaluar këtë situatë. Partizani është ekip i madh dhe ne do të ecim përpara”, përfundon Hoxha





www.minuta90.com