Hoxha i bashkohet Besëlidhjes, Përgjoni vlerëson grupin pas barazimit ndaj Kastriotit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 2, 2020 | 23:10

Hoxha i bashkohet Besëlidhjes, Përgjoni vlerëson grupin pas barazimit ndaj Kastriotit

Sulmuesi Edmond Hoxha i është bashkuar Besëlidhjes dje pasdite. Ai kishte kohë që mungonte dhe vetëm dje është kthyer në Lezhë për t’u vënën nën urdhrat e trajnerit Sinan Bardhi. Nuk është e qartë arsyeja e mungesës së futbollistit kavajas, sepse asnjëra nga palët nuk ka dhënë shpjegime, por tashmë gjithçka ka marrë zgjidhje dhe ai është sërish në ekip.

Beselidhja goli

Kujtojmë që Hoxha ishte shënuesi më i mirë i Besëlidhjes gjatë kampionatit të fundit dhe me kthimin e tij kompletohet sulmi. Të mërkurën lezhjanët luajtën një ndeshje miqësore me Kastriotin në Kamzë, ku barazuan 1-1 dhe golin e shënoi mesfushori 23-vjeçar Florian Përgjoni, i cili për “Panorama Sport” shprehet: “Për mua Besëlidhja është gjithçka, pasi jam lezhjan. Objektivi ynë dihet, luftojmë për t’u kthyer në elitë.

Duke parë ecurinë e skuadrës në stërvitje, ku trendi është pozitiv, jemi optimistë. Lufta në Kategorinë e Parë është e ashpër, ndaj duhet shumë punë deri në fund. Në shumicën e miqësoreve jemi paraqitur mirë, sidomos ndaj skuadrave të Superiores. Pjesa ‘e vjetër’ e skuadrës me të ardhurit rishtas po funksionon dhe kjo është pozitive. Kam shumë besim te stafi drejtues dhe ai teknik”.

Preng GJIKOLA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"