Historike, Partizani dhe Erzeni sfidohen bashkë në Europë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 27, 2019 | 18:44

Historike, Partizani dhe Erzeni sfidohen bashkë në Europë

Pas një mungese disavjeçare në Kupat e Europës, volejbolli shqiptar nga sezoni 2019- 2020 rikthehet të përfaqësohet në rang klubesh në arenën ndërkombëtare me tri ekipe, Partizanin për meshkuj dhe femra, si dhe Erzenin për meshkuj.

partizani vllaznia volej

Ndërkohë, dje në Luksemburg u hodh edhe shorti i edicionit të ri të Kupave të Europës për meshkuj dhe femra dhe nga shorti do të kemi një sfidë historike për volejbollin tonë. Duket e pabesueshme, por për ironi të fatit, në “Challenge Cup” për meshkuj do të kemi një përballje tërësisht shqiptare, pasi Partizani dhe Erzeni do të sfidohen me njëra-tjetrën në raundin e dytë, me takime me sistem vajtje-ardhje.

Shorti i fazës eliminatore zhvillohet sipas zonave, ku kryeqytetasit dhe shijakasit bëjnë pjesë në rajonin ballkanik “BVA Cup”. Kështu, pas tri vitesh mungesë të skuadrave tona në Europë, volejbolli shqiptar rikthehet me një ndeshje të zjarrtë ku dy ekipet më të mira të viteve të fundit do të masin forcat në eventin kontinental. Takimi i parë do të luhet në kryeqytet më 12 nëntor, ndërsa ndeshja e kthimit, dy javë më vonë në sallën sportive “Dhimitraq Goga”, aty ku i zhvillojnë shijakasit takimet e tyre.

Capture1

Kujtojmë se këtë sezon Partizani e mposhti Erzenin në takimet gjysmëfinale “play-off”, duke hapur rrugën e rikthimit te titulli kampion pas plot 38- vitesh. Ekipi që do të kualifikohet nga ky çift do të përballet në raundin tjetër me skuadrën italiane “Allianz Powervolley Milano”, me ndeshjet që do të luhen në datat 10 dhe 17 dhjetor.

PARTIZANI FEMRA

Në volejbollin e femrave, Shqipëria do të përfaqësohet në Champions Ligë, me skuadrën e Partizanit. Ekipin e drejtuar nga Roland Tarja, shorti e vuri përballë ZOK Bimal-Jedinstvo BRCKO, skuadrës kampione të Bosnje-Hercegovinës.

Kundërshtaret boshnjake janë një skuadër me eksperiencë disavjeçare në Kupat e Europës, ndërsa Partizani është debutues në Champions Ligë. Ndeshja e parë do të zhvillohet më 8 tetor në Tiranë, ndërsa pas një jave vajzat e kuqe do të udhëtojnë në transfertë. Skuadra që kualifikohet nga ky çift do të ndeshet në raundin pasardhës me fituesen e duelit ndërmjet malazezeve të Luka Bar dhe hungarezeve të Vasas Budapest.

ARTIN LLESHAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"