HISTORIA PËRMES GAZETARISË: 40 VJET MË PARË / Sfida e kampionatit të Shqipërisë ndaj atyre të Gjermanisë, Austrisë e Turqisë (PJESA VI)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 28, 2024 | 21:53

HISTORIA PËRMES GAZETARISË: 40 VJET MË PARË / Sfida e kampionatit të Shqipërisë ndaj atyre të Gjermanisë, Austrisë e Turqisë (PJESA VI)

Nga BESNIK DIZDARI
KAPITULLI VI
1.
TRIER I GJERMANISË – 19 NËNTOR 1983:
AJO QË NUK U ARRIT MË: SHQIPËRIA NË 8- she TË EUROPËS
E vërteta është se viti 1983 për sportin shqiptar nuk kishte vetëm suksesin e “Shpresës”. Kishte edhe Pavlina Evron, e cila i ka sjellë Shqipërisë medaljen e parë europiane në atletikën e lehtë: nënkampione e Europës në 1500 metra (4.13.77); Emanuela Kolën e cila shpallet kampione e Europës në pistoletë për të reja; Partizanin në basketboll për meshkuj i cili eliminon Interin e Bratislavës së Çekosllovakisë (89-80, 91-83) dhe hyn për herë të parë dhe të vetme deri sot, në 12 skuadrat më të mira të Kupës së Kampioneve të Europës.

19 NËNTOR 1983. Trier. RF Gjermane - Shqipëria 1-1. Mirel Josa duke realizuar golin që çoi Shqipërinë në 8-en e Europës

19 NËNTOR 1983. Trier. RF Gjermane – Shqipëria 1-1. Mirel Josa duke realizuar golin që çoi Shqipërinë në 8-en e Europës

Mandej mbërrin “Shpresa”.

Dhe sado që të mundohemi ta tjerrim, të diskutojmë, të komentojnë, të argumentojmë për të bërë një renditje suksesesh apo dhe specifikime, veçime, vlerësime, analiza, histori, ajo çka ka arritur “Shpresa” e Shqipërisë më 19 nëntor 1983, është e pakrahasueshme. Sepse ajo është e vetmja prej të gjitha llojeve e kategorive të skuadrave, klubeve, përfaqësueseve shqiptare të derisotme, qysh nga NEN 15 deri te NEN 21 dhe atyre të Kombëtares “A”, që ia ka arritur të jetë midis 8 më të mirave të kontinentit të Europës. Para saj këtë nuk e kishte arritur askush tjetër. Pas saj, gjithë këto 40 vjet, prapë atë, pra që të hyjë në 8 skuadrat më të mira të Europës, nga Shqipëria nuk e ka arritur askush tjetër.

“Shpresa” e Shqipërisë, e cila në atë 19 nëntor 1983, barazonte 1-1 në Trier të Gjermanisë Perëndimore ose RFGJ, siç ishte asokohe, me “Shpresën” (NEN 21) gjermane të drejtuar nga Berti Vogts – njeriu i cili më pas do të bëhej trajner i Gjermanisë së parë – sot e kësaj dite, edhe mbas 40 vitesh, është unike. Dhe për fat, siç ngjet rëndom me kombin dhe administratën shtetërore shqiptare, gati e harruar. Dhe tash 40 vjet asgjë, me përjashtim të nëpërmendjes sonë dhe shkrimeve tona.

Kam pasur fatin e çmueshëm të jem i vetmi gazetar në ngjarjen e Trierit me cilësinë e kryeredaktorit të gazetës së vetme sportive “Sporti Popullor”. Kuptohet, kam shumë kujtime nga profesioni im. Po ky ndoshta është më i veçanti. Isha gazetari i parë shqiptar që shoqëroja një Kombëtare në Europë mbas gati 13 vitesh. E bënë sepse Shqipëria për herë të parë në histori, po mbërrinte në Gjermani duke qenë në krye të grupit të saj, dhe së cilës i mjaftonte një barazim i vetëm që ajo të ishte për herë të parë në 8 skuadrat më të forta të Europës. Por ndoshta edhe sepse ia kishim arritur që brenda kornizave të regjimit, në më pak se 18 muaj, ta çonim “Sportin Popullor” në rekordin e saktësisht të 54.194 kopjeve, prej të cilave 39.511 të abonuar – rekord që do ta thyenim vetëm më 1990 (73.530 kopje)! I ulur në tribunën, që sot i thonë VIP, të stadiumit “Moselstadion” të Trierit, kam përjetuar kualifikimin e bujshëm, që bëri sensacion në gjithë Europën. Kanë kaluar 40 vjet, dhe sot nuk ka njeri që mund të marrë me mend sesi një skuadër shqiptare mund të mbërrijë në 8 më të mirat e Europës! Kjo e bën ngjarjen e madhe të Trierit edhe më unike.

Përveç të gjithçkaje tjetër, suksesi i madh ishte vepër e dy miqve të mi, trajnerët Ramazan Rragami në Shkodër dhe Petraq Ikonomi në Durrës. Djem simpatikë, plot gjallëri, modestë, të afërt e të shoqërueshëm, figura të mëdha të futbollit kombëtar, veprën e tyre pak kush jua kujton përveç nesh këtu në gazetën “Panorama Sport”. Kësaj here, siç e keni ndjekur gjithë këto javë, duke risjellë në këtë 40 vjetor, për ne legjendar, të gjithë shkrimet e reportazheve asokohe, të autorëve Skënder Begeja, Namik Mehmeti, Bashkim Tufa, Astrit Hafizi, Besnik Dizdari. Padyshim nuk mund të harrojmë këtu kontributin edhe të dy zyrtarëve në mbështetje të kësaj skuadre: kryetari (presidenti, si thuhet sot) i Federatës Shqiptare të Futbollit të asokohe, Kristaq Miço dhe kryetari i Komitetit të Kulturës Fizike dhe Sporteve, Mehdi Bushati, kontributi i të cilëve ka qenë krejt i pazakontë.

Po e ribotoj kësisoj edhe në këtë 40-vjetor, shkrimin e atij nëntori të largët ’83 pa i luajtur presjen, sepse kurrë nuk kam ditur të fshihem sado që epokat kanë rënë dhe qeshë me fat se përjetova edhe epokën tjetër, të ëndërruar, e cila më blatoi mundësinë e shkrimit dhe të rishkrimit të historisë së vërtetë të sportit kombëtar (libra, gazeta, revista, histori autentike). E këtu, nuk pyes aspak për një farë mungese të modestisë, sidomos kur kujtoj mohuesit që nuk kanë bërë asgjë për këtë vend…

Shkrimi i 22 nëntorit 1983 është çuditërisht, krejt i pazakontë në lirshmërinë e tij për asokohe. Aq më tepër për atë kohë të Partisë. I botuar në 54.194 kopje, kur kam mbërritur në Tiranë, bash në atë të martë të daljes së gazetës “Sporti Popullor” të 22 nëntorit, në mjedisin tim jam pritur edhe unë si një lloj protagonisti. Për ditë të tëra kam qenë i detyruar të jap “intervista” kudo: në kafe, në rrugë, në korridoret e zyrat e Ministrisë së Arsimit ku ishte redaksia, në mjedis shokësh, në atë familjar e të afërm. Nuk është si sot kur informacioni është krejt i hapët dhe i lirë. Mos harroni: ka qenë Shqipëria 1983, më e mbyllur se kurrë. Kjo e bën shkrimin e Trierit të mbetet në histori për shumëçka.

Nuk mund ta harroj kryetarin e Federatës Shqiptare të Futbollit, Kristaq Miço, në “Novotel” të Hafenstrasse 8 në Saarbrücken, teksa i kërkohej përmes telefonit që “Shpresa” të nisej për në Tiranë, ndonëse vetëm mbas disa orëve do të luhej ndeshja tjetër e madhe, ajo e skuadrave të para RFGJ-së – Shqipëria, e cila me 2-1-ishin e saj dramatik, ndonëse tash për gjermanët, megjithatë do të ishte një tjetër perlë e futbollit shqiptar. Po a mund të kishte gjë më të hijshme dhe më me kuptim se sa ta rreshtoje 24 orë më mbas “Shpresën” fitimtare të Shqipërisë në tribunën VIP të “Ludëigspark-Stadion” të Saarkbrucken-it? E pra, ajo Shqipëri ka qenë! Ndoshta askush nuk kishte faj, megjithatë…

Trajneri Ramazan Rragami dhe përgjegjësi i ekipit Miço Papadhopulli në gazetën gjermane “Trierischer Volksfreund” një ditë para ndeshjes

Trajneri Ramazan Rragami dhe përgjegjësi i ekipit Miço Papadhopulli në gazetën gjermane “Trierischer Volksfreund” një ditë para ndeshjes

Ndeshja e Trierit vjen mbas 40 vitesh po me shkëlqim të fortë e trajtesë të re. Thjesht ngaqë askush nuk ka mundur deri më sot të shkëlqejë më fort se ajo. Ndonëse kanë kaluar 40 vjet. Kërkon studim dhe shpalosje. Prej saj brenda 10 muajve u formua një ndër Kombëtaret tona më të bukura, ajo e 1984-s, që tronditi Belgjikën e Shifos dhe Poloninë e Bonjekut. Dhe për pak sa nuk qe duke shkuar në fundoret e Kupës së Botës në Meksikë! Çka ia rrit edhe më tej vlerën të talentuarve të mëdhenj të 1983-shit: Hysen Zmijanit, Skënder Hodjes, Sulejman Demollarit, Mirel Josës, Adnan Ocellit, Arben Vilës, të cilën u bënë bërthamë e asaj Kombëtareje të pashlyeshme e të paharrueshmëve të trajnerëve Shyqyri Rreli e Medin Zhega! Rrallë një Kombëtare shqiptare kishte lindur prej një “Shprese” të tillë!

2.
PLOT 25 PROTAGONISTË QË NUK MUND TË HARROHEN KURRË!

Dhe ja ku erdhi radha të rreshtojmë si asnjëherë tjetër 25 protagonistët e 6 ndeshjeve të mëdha europiane të “Shpresës” së Shqipërisë 1982-1983. Po i paraqes simbas radhës së daljes në fushë të tyre në këto ndeshje, duke dhënë numrin e ndeshjeve të luajtura për secilin dhe golat e shënuar. Janë këta:
DURIMI (Mersini) / 17 Nëntori (6)
ZMIJANI / Vllaznia (6)
HODJA / 17 Nëntori (4)
BIMO / 17 Nëntori (1)
OCELLI / Partizani (5)
CANAJ / Dinamo (6/2)
DEMOLLARI / Dinamo (6/1)
JERA / Vllaznia (5)
JOSA / 17 Nëntori (5/1)
NOGA / Dinamo (2)
VILA / 17 Nëntori (6/2)
TOPÇIU / Lokomotiva (6/3)
POPA / Labinoti (1)
SKURO / Naftëtari (1)
ÇANGA / Vllaznia (1)
LITI / 17 Nëntori (4)
LEKBELLO / 17 Nëntori (1)
DEDJA / Vllaznia (1)
KUSHTA / Partizani (2)
KOKALARI / Tomori (1)
NDREU / Dinamo (1)
MUÇA / 17 Nëntori (1)
BRAHO / Luftëtari (1)
* Trajnerë: R. RRAGAMI, P. IKONOMI

Ndërkaq pasqyra e plotë e ndeshjeve dhe renditja përkatëse e grupit ishte kjo:

sdfsdfsfsffsdsfsfdsdff

Kanë qenë 32 shtete pjesëmarrëse, çka do të thotë se Shqipëria ka lënë mbrapa plot 24 shtete. Midis të cilëve edhe të tillë si Belgjika, BRSS. Portugalia, Çekosllovakia, Holanda, Suedia, pa harruar RF të Gjermanisë, Turqinë e Austrinë të grupit tonë. Tetëshja e kualifikuar e Europës do të ishte kjo: Skocia, Polonia, Anglia, Jugosllavia, Italia, Shqipëria, Spanja, Franca. Vështroni se si Shqipëria papritmas ka hyrë midis këtyre 7 fuqive apo superfuqive të futbollit të Europës. Në 1/4- tat e finaleve, ajo do të ndeshej me Italinë, duke u eliminuar mbas dy ndeshjeve po aq të nivelit më të lartë të Europës. Histori me të cilën besoj të takohemi mbas disa javëve…

Por… Gjermania, pra! E eliminuar nga Shqipëria! Një “Shpresë” gjermane e cila në këtë turne i dha Gjermanisë plot 9 lojtarë për Kombëtaren e parë të saj. Me në krye as më shumë e as më pak deri legjendarin Lothar Matthaus, i cili do të mbërrinte në bukur 150 ndeshje me Gjermaninë e parë. Në grupi tonë, që po më pëlqen ta quaj “shqiptar”, ai luajti dy ndeshjet ndaj “Shpresave” të Turqisë dhe Austrisë. Për fat jo me Shqipërinë. Do ta vishte fanellën e Kombëtares së Gjermanisë në ndeshjen e Saarbrucken-it (2-1 për gjermanët) të nesërmen e kualifikimit të “Shpresës” së Shqipërisë. E, me Gjermaninë e madhe do të arrinin pra, edhe 8 të tjerë të dalë po prej kësaj “Shprese” gjermane: Herget – 39 ndeshje me Gjermaninë, Kunz (25), Ëaas (11). Dhe me më pak ndeshje: Falkenmayer, Wutke, Reinhadt, M.Rumennige, Steiner. Dhe sa peshë që i jep edhe kjo e dhënë kualifikimit të Shqipërisë!

3.
“WORLD SOCCER”: “SHPRESA” E SHQIPËRISË NË 10 SKUADRAT MË TË MIRA TË BOTËS!

Dhe rasti më sensacional: që revista e famshme angleze “World Soccer” në Anketën e saj Tradicionale të Vitit, përfshin “Shpresën” e Shqipërisë në 10 skuadrat më të mira të Botës për 1983, madje në vendin e 8-të, pas Hamburgut, Aberdeen, Kombëtares së Danimarkës, Romës, Liverpool-it, Anderlecht, Gremio të Brazilit dhe para Kombëtares së Francës dhe asaj të Belgjikës! Askush si anglezët , shpikës të futbollit, nuk di të nderojë e të vlerësojë më mirë. Si shumë kush e di, kam revistën të ruajtur me faqen e posaçme të cilën plagjiatorët e pandreqshëm e ribotojnë pa pushim sikur të ishin ata redaksia e “World Soccer”-it.

Nga faqja e revistës së mirënjohur të Anglisë, “World Soccer” e dhjetorit 1983, që e përfshinte Shqipërinë NEN 21 në 10 skuadrat më të mira të botës për vitin 1983

Nga faqja e revistës së mirënjohur të Anglisë, “World Soccer” e dhjetorit 1983, që e përfshinte Shqipërinë NEN 21 në 10 skuadrat më të mira të botës për vitin 1983

Sot mund të them se asnjë medalje dhe asnjë dekoratë nuk mund ta mbërrijë këtë çmim të “World Soccer”. Ndonëse edhe mbas 40 vjetëve nuk është vonë që Shqipëria ta nderojë atë Shqipëri të vitit 1983, madje bash ashtu si në radhë të parë i takon veç asaj.

E tash? Vallë përse këtë cikël historike e titullova: “Sfida e kampionatit të Shqipërisë ndaj atyre të Gjermanisë, Austrisë e Turqisë”?

Besoj se e kuptoni. E titullova kështu për t’i kujtuar Shqipërisë sime të futbollit, se ky vend i vogël, ka pasur dhe ka futboll e futbollistë të talentuar të rangjeve të larta ndërkombëtare. Dhe të gjithë kanë dalë prej kampionateve të tij kombëtare, pra nga kampionatet e Shqipërisë. Nuk më pëlqen ta mbyll këtë cikël me kritikë. Vetëm po përsëris esencën: “Shpresa” e Shqipërisë në 8 më të mirat e Europës, me të gjithë lojtarët pjesëmarrës të kampionatit kombëtar të Shqipërisë! Vetëm të Shqipërisë!

Kësisoj, unë për vete “e festova” edhe këtë 40-vjetor. Ashtu siç “e festoi” edhe “Panorama Sport” me hapësirën e gjerë që i blatoi në gjithë këto ditë në faqet e saj. Them se ishte një buqetë fort e bukur kujtese sidomos për brezin e ri të futbollistëve, lexuesve e futbolldashësve po të rinj. Dihet, pa të kaluar nuk mund të ketë të ardhme.

Gjithçka tjetër i mbetet Federatës së sotme Shqiptare të Futbollit. Asaj i takon të jetë bërë e vetëdijshme për atë se çka ka ndodhur me futbollin shqiptar 40 vjet më parë në tokën e 4 herë kampiones së botës dhe 3 herë kampiones së Europës që është Gjermania. Pikërisht për atë 19 nëntor 1983, në Trier të Gjermanisë – pikë referimi ende e pambërrishme në gjithë historinë e futbollit shqiptar – për nderimin dhe rivlerësimin e vetë historisë së saj.

Pa harruar se në atë vit, 1983, përveç mbështetjes së fuqishme ndeshje mbas ndeshjesh, që gazeta i dha asaj, po ajo gazetë “Sporti Popullor”, e nderoi duke e përfshirë edhe në anketën asokohe të famshme “10 Sportistët më të mirë të vitit”. Pa harruar ndërkaq, dhe përfshirjen si individ në këtë dhjetëshe të Sulejman Demollarit – çka do të thotë se ky futbollist i rrallë do të mbeste i vetmi në histori emri i të cilit është dy herë në “10 më të mirët”. Dhe mandej festa madhështore e Pallatit të Sportit “Partizani’ (sot “Asllan Rusi”) me mbrëmjen e artit dhe të sportit para gati nja 4000 shikuesve të elektrizuar, çka duket e pabesueshme, por është e vërtetë. Një shfaqje e rrallë me regjisor të shquarin tonë Bujar Kapexhiun e sapo dalë nga persekutimi dhe me drejtuesin e paharrueshëm, aktorin e madh Mirush Kabashi në mbështetje të të cilit do të ishte aktorja tjetër e talentuar Shpresa Berdëllima. Teksa emra tjerë janë të pambarim. Ishin aktorët dhe këngëtarët më të shquar të Shqipërisë. Do t’i përjetësonte reportazhi i gazetarit tonë të madh Ismet Bellova. Ndërsa shteti, si të thuash brenda ditës, kishte kurorëzuar me titullin e Mjeshtrit të Sportit këta 11 futbollistë: Durimi, Zmijani, Ocelli, Hodja, Jera, Liti, Canaj, Josa, Demollari, Vila, Topçiu.

Tash, këtë histori të pashlyeshme po e mbyll duke ribotuar pra, ashtu si ato të Begesë, Mehmetit, Tufës e Hafizit, edhe reportazhin tim të para 40 viteve që është botuar ditën e martë të 22 nëntorit 1983. Një shkrim që qëndron i paprekshëm, shumë pak i politizuar, ndonëse nuk mund të shpëtojë as ai pa pak Parti, e për përkim historik të Trierit, as edhe pa pak Karl Marks. E tillë është “diktatura” e historisë së vërtetë…

*Ribotimi është i rezervuar
*Për vazhdimësi ju kujtojmë pesë kapitujt e parë në “Panorama Sport” të 14 e 27 dhjetor 2023 dhe 6, 12 e 20 janar 2024.

“SHPRESA” E RFGJ-SË – “SHPRESA” E SHQIPËRISË 1-1 (1-1)

Lojë me nivel të lartë, sukses i madh

– “Shpresa” e RPS së Shqipërisë eliminon nënkampionen e Europës, “Shpresën” e RFGJ-së dhe hyn midis 8 më të fortave të kontinentit.

– Skuadra shqiptare duartrokitet në Trier. E shtunë, 19 nëntor 1983, në stadiumin “Mozelstadion të Tririt, para 18.000 shikuesve.

RFGJ: Zimmermann – Schafer, Hergert, Falkenmayer, Steiner – Brunner, Von Heesen, Schon (Storck 46’) – Reichert (Thiele 67’), M. Rummenige, Kuntz.
TRAJNER: B.Vogts.
SHQIPËRIA: Durimi – Zmijani, Hodja, Jera, Ocelli – Liti, Demollari, Canaj, Josa – Vila (Kushta 89’), S.Braho (Topçiu 60’).
TRAJNER: R. Rragami.
SHËNUES: M.Rumenige 38’, Josa 41’.
GJYQTARË: Kinu, Ferrari, Hirc (Francë).

Pas “shokut” nervor të humbjes së papritur 0-1 me Irlandën e Veriut, qarqet futbollistike të RFGJ-së i gjetëm përpara një dileme, një si stepjeje të një tronditjeje që kërkohej të kalohej përmes ndeshjes me shqiptarët. Jehona e humbjes mvishej disi me një tis mjegulle, që ndërsa kërkonte të mbushte boshllëkun, kërkonte për t’u davaritur atje, te ndeshje përcaktuese… Si asnjëherë tjetër në RFGJ, ndoshta nuk është shkruar e folur për futbollin shqiptar si këto ditë. Në radhë të parë “Shpresa” e Shqipërisë në krye të grupit e në radhë të dytë rritja e rëndësisë së takimit të skuadrave “A”, ngjallnin shumë diskutime, parashikime, interesa. Rreth skuadrës sonë, një tufë kërkesash, pyetjesh, intervista gazetarësh, duke zënë vendin kryesor ajo e trajnerëve tanë Rreli e Zhega në televizionin e RFGJ-së. Nga ana tjetër, shtypi në gjithë ditët para ndeshjeve sikur kërkonte të zbulonte atë enigmën, çelësi i së cilës ishte në duart e shqiptarëve.

“Ndaj Shqipërisë, – shkruante me germa të mëdha gazeta “Bild”,- kërkohet një sulm i ri, një mbrojtje e re”. “Shikuesit, – nënvizonte gazeta “Saarbrucken Zeitung” në faqen e saj të parë, duke botuar edhe një foto të trajnerit gjerman të rënë në mendime, – i kërkojnë Dervalit formacionin më të mirë ndaj shqiptarëve”. Dhe Dervali, si për të dashur të qetësonte mijëra zemra, deklaronte në gazetën “Frankfurter Allgemejine Zeitung”: “Duhet patjetër të fitojmë kundër shqiptarëve, por kjo akoma nuk është bërë”.

Frontespic e faqes së parë të “Sportit Popullor” me shkrimin historik të 22 nëntorit 1983 për suksesin e Shqipërisë

Frontespic e faqes së parë të “Sportit Popullor” me shkrimin historik të 22 nëntorit 1983 për suksesin e Shqipërisë

Më tej arkivistët vendas më fort se asnjëherë tjetër, do të nxirrnin këto ditë nga analet e tyre atë 0-0 të 1967-s, shifra që spikasnin përmes radhëve të komenteve të tyre. Në faqet e gazetave gjermane ky fakt përsëritej shpesh jo thjesht sa për histori, por për të kujtuar se çka mundet të ndodhë.

Po vallë kështu, mos mbeti si padashur pas, ndeshja e “Shpresave”, kjo finale e parakohshme e kampionatit europian të kësaj moshe? Trajneri Vogst me një seriozitet të pazakontë kishte ditë që e kishte shpërngulur trupën e tij fare pranë stadiumit “Mozelstadion” të Tririt.

Dhe ne udhëtojmë drejt këtij qyteti 85 km larg Sarbrukenit. Skuadra jonë është e vendosur në periferinë e tij piktoreske në hotelin “Vajs”. Ajo sapo është bërë e afërt për banorët vendas të këtij qyteti, më i vjetri në RFGJ, që është në prag të 2000-vjetorit të tij. Ai na ngjall emocione teksa kujtojmë se është vendlindja e Marksit të madh. Në shtëpinë e tij muze, veçanërisht për ne shqiptarët, bij të vendit të shqiponjave ku udhëheq Partia e Punës e Shqipërisë me shokun Enver Hoxha në krye, emocionet, kuptohet janë krejt të veçanta…

Meditojmë kësisoj për një ndeshje të shumëpritur që ka tërhequr 18 mijë shikues, një rekord në historinë e stadiumit “Mozelstadion” të Tririt. “Shpresa” e RFGJ-së, nënkampione e Europës, e cila prej më se 10 vjetësh nuk njeh asnjë humbje në fushën e vet, përveç një barazimi 0-0 me Holandën, kërkon vendin e parë në grup. Tanët po ashtu. Aq më tepër që janë të vetmit deri më sot që luajnë në RFGJ duke patur pikë më shumë se kjo e fundit. Edhe ky një fakt unik.

Po faktet e ndeshjes?

Përsëri te jehona paraprake e saj. “Ata kanë treguar se mund të na mundin, sepse duan të kalojnë turin, aq më tepër që janë në krye të grupit”, deklaronte trajneri Berti Vogst në “Frankfurter Allgemeine Zeitung”, ndërsa shtonte prerë: “Kundër shqiptarëve me 4 sulmues!”

Kështu do të niste. Një sulm i furishëm. Në të 8’ Hodja shpëton portën. Vendasit duan gol shpejt. Por do të gjendeshin përpara një muri, të cilin nuk do ta kalonin kurrsesi. Në të 19’ megjithatë ata janë pranë golit, por Hodja sërish shpëton portën me një gjakftohtësi për t’u marrë shembull. Dhe pasi ka gjuajtur rreptë Herget nga 25 metra, e pasi ka pritur mrekullisht, portieri Durimi, tanët vendosin të shikojnë më larg… 5 minuta më vonë, kombinacioni i shkëlqyer Zmijani-Demollari-Vila-Demollari fiton duartrokitjet e shikuesve me befasinë e tij, me ritmikën, me finesën e veprimit. Gjermano-perëndimoret për një çast e shohin golin në portën e tyre, por Demollari vonon vetëm sekondën.

Shpejtojnë në ritmin, por mbrojtja jonë me në krye Hodjen dirigjent, Jerën, vështrimi i të cilit kërkon gjithnjë M.Rummenigen, Zmijanin, Ocellin dhe Durimin e shkëlqyer, nuk lë shkas. Do të qëndronte në portë Durimi si një mal i pakalueshëm për ta, me trupin e tij të fuqishëm, me kërcimet e grushtimet e tij prej mjeshtri të mbaruar. Çdo ton disi patetik në këto radhë, i dashur lexues është i justifikueshëm edhe për gazetarin më të ftohtë, tek e shikon skuadrën e vet në fushë të huaj të triumfojë me një qëndresë të rrallë, përballë një formacioni të tillë si ky i RFGJ-së, futbolli i së cilës jep tonin në rangun më të lartë botëror.

Do të kishte edhe tri kulminacione loja e parë, dy prej të cilëve u takojnë tanëve. Në të 30’ kundërsulmi i shpejtë përmes shpërthimit të Vilës, fton Brahon te goli. Dhe mjeshtri ynë, që me përvojën e tij dha aq shumë për skuadrën, thuajse ia arrin. Është prapë në këtë situatë pak çaste më vonë, por… Dhe gjermano-perëndimorët shkunden. Vjen minuta e 38-të me të gjithë rreptësinë e ngjarjes së saj. Goditje e lirë për vendësit, një top që endet për disa sekonda dramatike para Durimit, një Rumenige që lëviz si një makinë e papërmbajtur në zonë dhe që më në fund ia arrin të shënojë rreptë me kokë, kur duart e gjata të Durimit ishin vetëm disa centimetra larg: 0-1! Por vetëm 180 sekonda do të mbetej ky rezultat. Një sulm i tanëve nga e majta dhe mbrojtësit e RFGJ-së godasin! Gjuajtje e lirë. Do të ishte minuta që do ta çonte Shqipërinë në tetëshen e Kupës së Europës për “Shpresat”. Canaj rregullon topin, largohet pak, topi në një hark të tërë dhe nga thellësia e fushës do të derdhej një djalosh simpatik, Mirel Josa truphedhur që pasi e ka “thithur” topin me kokë si në një tërheqje magnetike, pa e ndalur fare, tund rrjetën e Zimmermannit tërë elegancë e me një pastërti gjuajtjeje që tërheq simpatinë e 18.000 shikuesve. Duartrokitjet janë për Shqipërinë. 1-1! E kërkonim që të mbeste kështu. A thua?

Në pushim, në dhomën e skuadrës sonë, ne do të merrnim përgjigjen në sytë e lojtarëve tanë. Çfarë besimi! Çfarë qetësie! Ndërsa kraharori i tyre ulej e ngrihej, një buzëqeshje e lehtë endej në portretin e tyre. Nuk ishte një eufori, por një siguri që e ka forcën te përgatitja, te vlerësimi i drejtë i vetes dhe i kundërshtarit. Këtë mjedis të qetë, të papërshkruar në të veçantën e tij, e prishin vetëm fjalët e matura të trajnerit Rragami. Këshillat e fundit përpara pjesës së dytë të betejës sportive. Si do të vazhdojë vallë ajo?

E gjej përgjigjen te më i riu i skuadrës sonë, te 19-vjeçari simpatik Sulejman Demollari, që si të ishte një kapiten i sprovuar, inkurajon shokët duke zbritur në fushë: “Kështu do të vazhdojmë!”

Dhe ata kështu do të vazhdonin…

Çfarë qe në vetvete pjesa e dytë? Një dramë, do të thoshim. RFGJ-ja e fillon prapë me sulm, por pritja e rrallë e Durimit në të 6’ pas gjuajtjes së Shafer, ishte një tjetër përgjigje e vendosmërisë së tanëve. Tani loja e ka pamjen e saj të plotë: e shpejtë, me pasime të dendura të gjermanëve, me gjuajtje të tyre, madje edhe një shtyllë tronditëse nga Brunner, dhe nga ana tjetër, krejt e saktë nga shqiptarët. Pasi Durimi duartrokitet për 3 minuta të tëra (20’- 22’) me pritjet e tij të paharruara të gjuajtjeve vibruese të Von Heesenit e të Falkenmayerit, skuadra jonë e mrekullueshme, ka treguar nivel gjithnjë e më të lartë futbolli. Në minutën e 23-të Vila fton në duel Topçiun që i kalon tërë mbrojtjes gjermane e vonon në gjuajtje. Në minutën e 34-t pas një zbritje aq të rrjedhshme të tanëve, Topçiu lëshon një bombë vetëm 3-4 centimetra mbi shtyllën e portës së Zimmermann-it. Në minutën e 42-të shpërthen treshja Zmijani-Topçiu-Demollari, ku ky i fundit pasi vallëzon si i do qejfi midis mbrojtësve përmes një teknike të pagabueshme, vonon pikërisht në çastin e një goli krejt të pastër. Në minutën e 43- të goli të duket punë e kryer: Demollari, Topçiu, prapë Demollari që mashtron edhe portierin, te Vila me portën bosh që… humbet rastin më të sigurt. Golit i mungoi kështu vetëm firma e Vilës. Fundi i lojës i gjen futbollistët shqiptarë te porta gjermane. Një barazim 1-1, që në të vërtetë ka vlerën e një fitoreje të madhe.

Gëzim i futbollistëve shqiptarë pas ndeshjes në foton e gazetës “Frankfur Allgemeine Zeitung”. Nga e djathta në plan të parë: Jera, Liti, Zmijani

Gëzim i futbollistëve shqiptarë pas ndeshjes në foton e gazetës “Frankfur Allgemeine Zeitung”. Nga e djathta në plan të parë: Jera, Liti, Zmijani

Dhe gëzimi i ligjshëm i djemve tanë, mirëpritet nga shikuesi i Trierit. Në stadiumin buzë brigjeve të Mozelit, “Mozelstadion”, duartrokitjet vazhduan derisa nga fusha u largua edhe futbollisti i fundit i skuadrës shqiptare që ua fitoi zemrat, me futbollin e saj tërheqës, luftarak, të një niveli të lartë tekniko-taktik, të një kolektiviteti e harmonie të rrallë. Emocionet për ne të gjithë, për trajnerët, për përgjegjësin e ekipit Miço Papadhopulli e mjekun Profit Canaj janë aq të forta. “Ju lumtë burra!”, dëgjojmë një zë të ngrohtë të një grupi shqiptarësh kosovarë me banim në RFGJ, të cilëve u shkëlqejnë sytë. Ndërsa në dhomën e lojtarëve tanë ka shpërthyer fort kënga jonë e dashur…

Do të binte muzgu mbi Trier, po të rinjtë e qytetit nuk do t’i largoheshin autobusit të futbollistëve shqiptarë që pasi jepnin radhazi autografe, vinin një pas një. Ata janë:

Halim Durimi (Mersini): ai që nuk gaboi asnjëherë.
Hysen Zmijani: 20-vjeçari që ndërsa koha kalonte, ai rriste forcat, ritmin, qetësinë.
Skender Hodja: që padyshim ka bërë ndeshjen më të mirë të karrierës së tij.
Fatbardh Jera: që nga minuta në minutë bllokoi deri në paralizim të plotë shpresën më të sigurt të futbollit të sotëm gjerman, Mikael Rummenigen.
Adnan Ocelli: zotërues i ajrit dhe i tokës, ky talent i futbollit tonë.
Leonard Liti: mjeshtëria e tij, binjake me shpejtësinë e lojës së tij.
Sulejman Demollari: padyshim më eleganti në 22 lojtarët.
Agim Canaj: një kapiten që ndërtoi golin e paharruar.
Mirel Josa: protagonist i rezultatit 1-1!
Arben Vila: një hapësirë të tërë fushe, një mbrojtës i vetëm nuk e mbante dot. Mund të na kishte dhënë 2-1…
Sefedin Braho: një kujtim i paharruar për mjeshtrin që u shkri në forcën rinore të një kolektivi të mrekullueshëm.
Albert Topçiu: e filloi si lojtar rezervë, dhe në 30 minuta lojë shqetësoi një mbrojtje të tërë.

Këta qenë protagonistët, të cilëve trajnerët Ramazan Rragami e Petraq Ikonomi u kanë blatuar edhe mësimet e pedagogut, edhe dituritë e trajnerit këmbëngulës, edhe dashurinë prindërore.

Kjo ishte përmbajtja e tërë shfaqjes së paharruar që interpretoi “Shpresa” e RPS-së të Shqipërisë në RFGJ, duke u bërë me meritë të plotë një nga 8 më të fortat e Europës, madje në garë me RFGJ-në e Austrinë, reputacioni i futbollit të të cilëve njihet si i shkallës së lartë botërore. Me gjuhën teknike do të theksonim se skuadra jonë ka zhvilluar një futboll të pjekur taktik, me një 4-4-2 krejt modern, me një mbrojtje të pakalueshme, me një mesfushë elastike që i dha lojës tone të vërteta sulmuese, që tronditi skuadrën e fortë gjermane, e cila vinte pas një 7-0 të bujshme ndaj Turqisë, e përbërë nga 21-vjeçarët më të talentuar të skuadrave më të njohura të Bundesligës (Kategoria e Parë) së RFGJ-së, të Shtutgartit e Këlnit, të Eintrahtit e Nurenbergut, të Hamburgut, Bajernit e Borusias, ku përveç të talentuarit M. Rummenige, 26-28 vjeçarët Steiner dhe Herget mendohen qysh tani si titullarë të përfaqësueses “A”.

Pasi i është përgjigjur pyetjeve të gazetarëve gjermano-perëndimorë, të të përditshmeve më të mëdha të vendit, trajneri Berti Fogst na thotë:

“Urimet më të mira për kolegun shqiptar. Jam i trishtuar se nuk u kualifikuam, por nuk mundëm. Portieri shqiptar është i mrekullueshëm. Nuk mundëm të shfrytëzonim raste. Mesfusha jonë ishte pak impulsive për sulmin. Lojtarët tanë të rinj që sot kanë rënë përtokë, duhet të ngrihen në këmbë. Edhe nesër po të më duhej ta luaja këtë ndeshje, me këtë formacion do të dilja. Skuadra e re shqiptare që e ka bërë me aq sukses kundërsulmin, është në gjendje të shkojë edhe më tej.

“Nuk më vjen keq që nuk u kualifikuam, – thotë zëvendëspresidenti i Federatës së Futbollit të RFGJ-së, Egidius Braun, – sepse qe një lojë e nivelit të lartë, shqiptarët luajtën shumë mirë dhe publiku u kënaq nga ndeshja.”

“Kisha dëshirë tjetër, – na thotë shoqëruesi i skuadrës sonë Matias Veber,- zëvendëskryetar i Federatës së Futbollit të landit të Rajnit dhe kryetar bashkie, – por me sinqeritet ju admiroj. Keni merituar më shumë se barazimin. Me nivelin e sotëm do të keni sukses më tej. Me sinqeritet ju admiroj”.

BESNIK DIZDARI
Trier, RFGJ, më 19 nëntor
* Botuar në gazetën “Sporti Popullor”, 22 nëntor 1983

PANORAMASPORT.AL

LEXO EDHE: 

Historia përmes gazetarisë: 40 vjet më parë/ Sfida e kampionatit të Shqipërisë ndaj atyre të Gjermanisë, Austrisë e Turqisë (PJESA V)

HISTORIA PËRMES GAZETARISË: 40 VJET MË PARË / Sfida e kampionatit të Shqipërisë ndaj atyre të Gjermanisë, Austrisë e Turqisë (PJESA IV)

HISTORIA PËRMES GAZETARISË: 40 VJET MË PARË/ Sfida e kampionatit të Shqipërisë ndaj atyre të Gjermanisë, Austrisë e Turqisë (PJESA III)

HISTORIA PËRMES GAZETARISË: 40 VJET MË PARË/ Sfida e Kampionatit të Shqipërisë ndaj atyre të Gjermanisë, Austrisë e Turqisë (PJESA II)

HISTORIA PËRMES GAZETARISË: 40 VJET MË PARË / Sfida e Kampionatit të Shqipërisë ndaj atyre të Gjermanisë, Austrisë e Turqisë

 

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"