HISTORIA PËRMES GAZETARISË: 40 VJET MË PARË/ Sfida e Kampionatit të Shqipërisë ndaj atyre të Gjermanisë, Austrisë e Turqisë (PJESA II)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 27, 2023 | 17:15

HISTORIA PËRMES GAZETARISË: 40 VJET MË PARË/ Sfida e Kampionatit të Shqipërisë ndaj atyre të Gjermanisë, Austrisë e Turqisë (PJESA II)

NGA BESNIK DIZDARI
KAPITULLI II: 1-0 TURQISË NË MANISA!
Për të mbërritur te ndeshja e dytë e “Shpresës”, saktësisht te fitorja e dytë e saj radhazi, madje përsëri jashtë fushës, që është ajo me Turqinë, do të duheshin vetëm 35 ditë: 26 tetor 1982.

NE FOTO: 19 nëntor 1983. RF Gjermane - Shqipëria 1-1. Siç kemi njoftuar, shkrimet e kësaj historie do të kenë gjithnjë një foto të rrallë nga ndeshja kulminante në Trier të Gjermanisë, të ruajtura në arkivin e autorit të tregimit të kësaj historie B.Dizdari. Kësaj radhe është “Shpresa” e Shqipërisë në gëzimin e saj në stadiumin e Trier-it.

19 nëntor 1983. RF Gjermane – Shqipëria 1-1. Siç kemi njoftuar, shkrimet e kësaj historie do të kenë gjithnjë një foto të rrallë nga ndeshja kulminante në Trier të Gjermanisë, të ruajtura në arkivin e autorit të tregimit të kësaj historie B.Dizdari. Kësaj radhe është “Shpresa” e Shqipërisë në gëzimin e saj në stadiumin e Trier-it.

Po çka ishte Shqipëria sportive në këto 35 ditë?

Më kryesorja është se ajo ka një heshtje të paparë për fitoren në Austri. Sikur të mos kishte ndodhur. Dhe e krahasoj atë me Shqipërinë e sotme sportive, ku nuk po ndalon thuajse asnjë ditë jehona e kualifikimit për në “Euro 2024”. Po çudia më e madhe është se në ato 40 vjet më parë, për sa i përket ecurisë dhe zhvillimeve të sporteve të tjerë, ajo Shqipëri 1982 çuditërisht qëndron më lart se kjo Shqipëri 2023!

Sapo kishte filluar Kampionati Kombëtar i futbollit me bukur 14 skuadra, ku mbas Javës 5 kryesonin me pikë të barabarta Vllaznia dhe Lokomotiva e Durrësit. Shqipëria ka ndërkaq, edhe një kampionat tërheqës të Kategorisë së dytë, po me 14 skuadra – është ai i që sot, duke “gënjyer”, e quajnë “Kategori e Parë”. Si dhe një të Kampionat të Kategorisë së Tretë me 21 skuadra të ndara në dy grupe, kampionat të cilin, gjithnjë duke “gënjyer”, sot e quajnë “Kategori e Dytë”!

Ndërkohë, përfundon Rrethi Çiklistik i Shqipërisë me një jehonë nja njëqind herë më shumë se ai i sotmi, ku i përkujtueshmi ynë, i madhi Agim Tafili i Vllaznisë, fiton për herë të 4-t rresht, teksa edhe si ekip fiton po Vllaznia nën drejtimin e trajnerit të madh të çiklizmit shqiptar, Gani Muriqi. Eshtë një ekip thuajse Kombëtarja e Shqipërisë me Agim e Sytki Tafilin e me Brahim Sykjen, të cilët zënë tre vendet e para. Për fat, jo vetëm kaq. Politizimi i jetës së vendit, nuk ndal, edhe në gazetën “Sporti popullor” që drejtoja. Del nga shtypi vëllimi 37 i veprave të Enver Hoxhës, teksa nisin propozimet për kandidatët për deputetë në Kuvendin Popullor. Natyrisht gjithçka është propagandistike deri në skaj!

Dhe Dinamo që shpallet Kampione e Shqipërisë në mundjen e lirë, me trajner Riza Lofcën, figurë themeluese e këtij sporti në Shqipëri. Nga ana tjetër, Lokomotiva vazhdon të kryesojë Kampionatin Kombëtar. E mandej ngjarja më e bujshme: është fitorja 90-81 e Partizanit ndaj Honvedit të Hungarisë në Kupën e Kampioneve të Europës në basketboll me trajner të famshmin tonë Astrit Greva. Gazmend Çaçi shënon 31 pikë e Trebicka 25. Ishin edhe Mushi, Kuqi, Bushati, Koleka e Prifti – në tërësi një skuadër vërtet europiane, që nuk besoj ta kemi sot. Ashtu siç nuk besoj se sot mund të fitojmë ndaj kampiones së Hungarisë.

Shahistët e Shqipërisë zënë ndërkohë, vendin e katërt në Kampionatin Ballkanik. E ka edhe gjimnastikë. Është ekipi kombëtar i Shqipërisë që shkon në Stamboll dhe humb për 9 pikë gjimnastikore me atë të Turqisë. Sot as këto nuk mund të ndodhin. Ngaqë të lind pyetja: ku janë shahu e gjimnastika? Dhe ne që heshtnim për “Shpresën” e futbollit që po bëhej gati të shkonte te fitorja e dytë e saj për Kampionatin e Europës. Asnjë rresht në faqet e gazetës!

Por më në fund! Vetëm një ditë para ndeshjes botojmë këtë lajm të faqes së tretë të gazetës:

“… Sot ekipi ynë përfaqësues “Shpresa” do të ndeshet në qytetin Manisa. Ai drejtohet nga sekretari i Federatës Shqiptare të Futbollit, Skënder Begeja dhe përbëhet nga: H.Durimi, H.Zmijani, S.Hodja, A.Ocelli, F.Jera, A.Canaj, A.Vila, A.Popa, A.Topçiu, S.Demollari, M.Josa, A.Maliqati, P.Noga, L.Liti dhe E.Zhupa. Trajnerë të ekipit janë R.Rragami dhe P.Ikonomi.”.

Vetëm kaq. Pa përmendur aspak se kjo ndeshje vinte mbas fitores së parë në Austri. Dhe?… Ndërkohë që Kombëtarja humbet 0-1, kundërpërgjigja është fitorja e “Shpresës” së Shqipërisë 1-0 me Turqinë!

Me një shkrim që fillon në faqen e parë – shoqërohet edhe me një foto, si të thuash “gri”, që po e ribotojmë këtu – prapë se prapë nuk mund të them se po i jepnim një hapësirë të madhe edhe kësaj fitoreje tejet të rëndësishme. E pra ishte fitore e dytë rresht e 21-vjeçarëve të Shqipërisë, kësaj radhe brenda në Turqi, gjithnjë për Kampionatin Europian të këtij rangu. Dhe përsëri me skuadrën e një shteti, që, dihej, futbollin e kishte shumë më në nivel se Shqipëria, përveçse 100% profesionist. Sot mbas 40 vjetëve duket vërtet e çuditshme se si ne nuk ishim në gjendje të parashikonim sado pak se kjo skuadër shqiptare, e mbushur me talente të vërtetë, mbas një viti do të bënte bujën e madhe kontinentale duke eliminuar Gjermaninë, Austrinë dhe Turqinë, e madje duke u shpallur nga revista e famshme angleze “World Soccer” si një nga 8 skuadrat më të mira të botës për vitin 1983.

Ky pra ishte mosbesimi ynë i madh ndaj kësaj Shqipërie! Ndonëse do të shtoja, se ky do të ishte qëndrimi ynë i përkulur ndaj partisë, e cila shpesh herë “urdhëronte” që t’i ruheshim euforisë.

Asnjë gazetar nuk ishte i pranishëm në ndeshjen e Turqisë. Nuk kishte rrugë tjetër, përveçse të mbështeteshim te penda e drejtuesit të ekipit, profesorit të paharrueshëm Skënder Begeja, me të cilin, do të më lidhte një miqësi aq e sinqertë.

Kështu, siç kemi vepruar me shkrimin e kapitullit parë të kësaj historie, po botojmë kësaj radhe shkrimin e profesor Begesë, fjalë për fjalë e germë për germë. Me kujtesën nderuese ndaj tij që na thotë se Prof. Skënder Begeja, ky futbollist e atlet ndër më të shquarit e Shqipërisë, u bë autori i parë që sikur po çelte rrugën gazetareske për te kualifikimi i madh.

Do të mbërrijmë pra, te kultura dhe kompetenca e tij. I shndërruar mirëfilli nga përgjegjës ekipi në gazetar, ai nuk ka një shkrim të gjatë, por ja që në lakonizmin e tij si profesor i shquar universitar i drejtësisë, ai na i jep të gjitha. Ka kronikën e lojës, ka qëndrimin problematik ndaj saj dhe ka edhe “kritikën” për të mbërritur më tej. Autori lufton euforinë e mundshme, por e mbyll me këtë përcaktim dhe vlerësim të lartë, sidomos ndaj trajnerëve, teksa e përfundon shkrimin me këto fjalë:

“… Padyshim për këtë fitore duhen përgëzuar edhe trajnerët e ekipit Ramazan Rragami dhe Petraq Ikonomi që kanë ditur të përfshijnë në gjirin e ekipit djem që premtojnë dhe kanë punuar për të krijuar një ansambël sa kolektiv aq dhe luftarak”.

Këtu mbyllej si me çelës gjithçka edhe me këtë fitore të dytë të Shpresës Shqiptare. Dhe me mangësinë e madhe të informacionit tjetër, duke mos dhënë asnjë rresht për ndeshjet e tjera të grupit 6. Turqia kishte barazuar 1-1 në Austri, e Shqipëria me 4 pikë të plota ishte në krye, por kur ende Gjermania nuk kishte zhvilluar asnjë ndeshje.

Një ftohtësi e tanë? Nuk na shkonte mendja se do të kishte një Trier të 19 nëntorit 1983 ku do të shpërthente përfundimisht sensacioni europian i futbollit shqiptar…

Do të vazhdojmë me tregimet e tjera të kësaj historie, që mbas 40 vjetëve guxon t’i rrijë pranë edhe Kombëtares sonë të madhe 2024…

* Për vazhdimësi shih kapitullin e parë të kësaj historie në “Panorama Sport”, 14 dhjetor 2023.

KAMPIONATI EUROPIAN I FUTBOLLIT

Përsëri fitore e bukur e “Shpresës”…

Fitorja e dytë e “Shpresës” sonë, dhe ç’është më e rëndësishmja, me një forcim të vlerave të bukura të futbollit tonë. Këtë radhë ndaj “Shpresës” së Turqisë në takimin e luajtur më 26 tetor në qytetin Manisa.

“SHPRESA” E TURQISË: Mustafa, Myjdat, Jusuf, Hysnej, K.Senol, Ismail, Bylent, Hysein (Erdi), Mustafa, Murat (Alpaslan), Fejzulla.
“SHPRESA” E SHQIPËRISË: Durimi, Zmijani, Hodja, Jera, Ocelli, Canaj, Demollari, Popa, Topçiu, Skuro, Vila.
SHËNUES: Topçiu 73’.
GJYQTARË: Petroviç, Ristiç, Ilierski (Jugosllavi).

…Dy goditje këndi në portën tonë dhe Mustafa gjuan jashtë. Në të 8’ Canaj gjuan nga një largësi prej 11 metrash dhe portieri turk pret. Presioni i skuadrës sonë vazhdon. Në të 14’ Vila gjuan përsëri me kokë dhe portieri pret. Është Canaj 2 minuta më vonë që gjuan dhe përsëri portieri turk është i gatshëm. Skuadra turke kundërpërgjigjet. Në të 18’ Murat gjuan dhe portieri ynë Durimi e ndalon topin. E kjo gjuajtje pasohet nga një e tillë e Bylentit në të 25’ që del jashtë. 10 minuta më vonë është Mustafa që godet nga afër dhe Durimi është në gatishmëri. Në minutën e fundit të pjesës së parë kemi një depërtim të Muratit e cila përfundon jashtë.

26 TETOR 1982. Turqia - Shqipëria 0-1 (“Shpresat”). Kreu i shkrimit të faqes së parë të “Sportit Popullor” për këtë ndeshje, me autor Prof. Skënder Begeja, shoqëruar edhe me këtë foto të vetme

26 TETOR 1982. Turqia – Shqipëria 0-1 (“Shpresat”). Kreu i shkrimit të faqes së parë të “Sportit Popullor” për këtë ndeshje, me autor Prof. Skënder Begeja, shoqëruar edhe me këtë foto të vetme

Pjesa e dytë e takimit fillon me një presion të ekipit tonë, i cili vazhdoi deri në fund. Në të 57′ Demollari gjuan nga 20 m, por jashtë. 1 minutë më vonë kemi një kombinim të skuadrës sonë ndërmjet Vilës – Canaj – Topçiut, i cili fare afër humb një rast të pastër për të shënuar. Në të 23′ Alpaslan godet fare afër me kokë, por jashtë. Në të 28′ doli në dritë edhe goli i realizuar nga Topçiu. 2 minuta më vonë pas një kundërsulmi të shpejtë, Skuro del vetëm për vetëm me portierin, që kishte dalë 30 metra jashtë zonës së rreptësisë dhe nuk është në gjendje të shënojë. Raste për të shënuar i paraqiten skuadrës sonë edhe në të 34’ dhe në të 40’ me anë të Popës, por në të dy rastet ai gjuan jashtë. Minutat e mbetura nuk dhanë asgjë për t’u shënuar. Fitorja është e bukur, e çmueshme.

Dhe duke kaluar nga kronika te komenti kujtojmë se qysh në nismën e takimit, lojës sulmuese dhe të fortë të vendësve, ekipi ynë i vuri përballë veprimin e kujdesshëm në çdo sektor të fushës, për të kaluar në kundërsulme të befasishme. Në këtë duel mënyrash loje, skuadra jonë në tërësi u paraqit më e organizuar, me nivel teknik më të mirë dhe e qartë në veprimet taktike, për t’u shfaqur e rrezikshme përpara portës së Mustafait. Këta elemente cilësore që përcaktuan jo vetëm përfundimin e ndeshjes, por dhe treguan vlerat reale të «Shpresës» sonë, u bënë më të dukshme në gjysmën e dytë të takimit. Në këtë pjesë loje ndërsa rendimenti i lojtarëve të ekipit tonë u rrit, forca e kundërsharit u zbeh, dhe u vu re nië rënie fizike. Për pasojë nëse kundërshtari luan me gabime në pas e gjuajtje, jo i qartë në mbrojtje, tek ne ndodh e kundërta. Marrin me shumë frymëmarrje sulmet dhe në njerin prej tyre pas një kombinimi ne krahun e djathtë Popa-Vila, e krosit të bërë, Topçiu nga afër shënon golin e vetëm të takimit.

Dhe fitorja është e merituar. Gazeta “Hyrrijet” që shkroi rreth kësaj ndeshjeje midis të tjerash theksonte se shqiptarët dinin të pasonin mirë, të mbroheshin dhe të sulmonin me shumë forca. Sidomos ata udhëhiqeshin nga parimi i lojës kolektive. Edhe gazeta “Miljet” pohonte se “Shpresa” shqiptare, ndryshe nga “Shpresa” turke, zotëronte teknikë, luante me mendim, zhvillonte futboll të thjeshtë dhe të rrjedhshëm, kishte një përgatitje të mirë fizike. Kjo u pa veçanërisht në lojën e dytë. Të tilla vlerësime për lojën e “Shpresës” sonë bënë dhe gazeta të tjera.

Epërsia e Shpresës sonë ndaj asaj turke ishte e dukshme. Prandaj dhe fitorja megjithëse e ngushtë, është bindëse dhe e merituar.

Është fitorja e dytë e “Shpresës” sonë. Pra dhe pretendimet për të luftuar gjithnjë për fitore janë plotësisht objektive. Në këtë vështrim mendojmë se analiza e fitores, pa zbehur vlerat shumë të bukura të saj, duhet të shikojë në eliminimin e atyre të metave që do të ngrenë edhe më cilësisht lojën e “Shpresës” sonë. Kështu në vetë lojën e ekipit tonë ka vend për t’u parë e përmirësuar teprimet në veprimet individuale të ndonjë lojtari, pasi i heq armës së kundërsulmit, befasinë në mungesën e iniciativës për të gjuajtur, sidomos nga largësia, në atë vonesë të pajustifikuar në kthimin e sulmuesve pas thyerjes së aksionit dhe së fundi në mos kontrollin rigoroz të sektorëve të caktuar në mbrojtje.

Janë detyra që kërkojnë korrigjim të shpejtë, duke luftuar çdo lloj euforie të dy fitoreve jashtë fushës të ekipit tonë. Padyshim për këtë fitore duhen përgëzuar dhe trajnerët e ekipit Ramazan Rragami dhe Petraq Ikonomi që kanë ditur të përfshijnë në gjirin e ekipit, djem që premtojnë dhe kanë punuar për të krijuar një ansambël sa kolektiv, aq dhe luftarak.

SKËNDER BEGEJA,
Përgjegjës i ekipit

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"