Bylisi pritës në shtëpinë e kampionëve të rinj. Portieri Beqaj: Nuk mposhtemi në Elbasan

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 9, 2024 | 11:39

Bylisi pritës në shtëpinë e kampionëve të rinj. Portieri Beqaj: Nuk mposhtemi në Elbasan

Bylisi u ka dhënë dorën e fundit përgatitjeve dhe sot luan aktin e fundit të këtij sezoni në Elbasan, me vendësit që kanë qenë edhe rivalët e tyre kryesorë për Superioren, por edhe për titullin kampion. Bylisi ëhstë pritës në këtë takim, por për të respektuar kampionët e rinj ka rënë dakord që të luaj në “Elbasan Arena”.

portieri-renato-beqja-i-bylisit

Te ballshiotët, në prag të ndeshjes me verdheblutë, klubi ka ndërprerë bashkëpunimin me tre lojtarë që kanë qenë titullarë në pjesën më të madhe të sezonit. Bëhet fjalë për portierin Bruno Puja që mbërriti në janar, mbrojtësin e qendrës Gëzim Krasniqi, i afruar në gushtin e kaluar në ekip, si dhe mesfushorin me tipare sulmuese Xhonatan Lajthia, i cili prej dy sezoneve ka qenë pjesë e mallakastriotëve. Ishte vetë klubi i Bylisit që ka konfirmuar largimet e lojtarëve, ashtu sikurse pritet që në ditët në vijim të ketë edhe futbollistë të tjerë që do të largohen, të cilët duket se nuk janë pjesë e projektit Superiore që ka klubi i Bylisit.

Renato Beqaj

Portieri Renato Beqaj në një prononcim për “Panorama Sport” ka theksuar se në Elbasan do të kërkojë që ta mbajë portën e paprekur, si edhe të tentojnë për ta fituar ndeshjen: “Në “Elbasan Arena” ne do të luajmë denjësisht. Nuk ka të bëjë as me prishje feste dhe me asgjë tjetër, thjesht duam që edhe në këtë sfidë Elbasani të mos na mposhtë, por pse jo ta fitojmë ne. Bylisi po ta shohësh në statistika nuk ka humbur me asnjë nga rivalët e këtij sezoni dhe ka treguar se është më i forti, por ndalesa në Vorë na largoi përfundimisht nga gara për vendin e parë dhe titullin kampion.

Unë do ta quaja një sezon shumë të mirë dhe Bylisi ka qenë skuadra padyshim më e mira. Por, natyrisht që edhe Elbasani meriton respekt për emrin e madh që ka dhe rivalitetin që i kanë dhënë garës ashtu si dhe Flamurtari, Vora apo Korabi. Gjithsesi, e realizuam objektivin madhor që është Superiorja dhe nuk ka qenë aspak e lehtë. Elbasani nuk na ka mundur në dy fazat e para të kampionatit, kështu që edhe në këtë sfidë nuk beson se do të na mundë”, tha Renato Beqaj, portieri i Bylisit.

ERJON SALIU- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"