EKSKLUZIVE/ “Demat” marrin fitoren e katërt radhazi, Orges Shehi: Ky është Partizani që dua, Kukësi luajti fort (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 9, 2024 | 22:31

EKSKLUZIVE/ “Demat” marrin fitoren e katërt radhazi, Orges Shehi: Ky është Partizani që dua, Kukësi luajti fort (E PLOTË)

Partizani bëri detyrën në Kukës, në një ndeshje që dukej e lehtë në letër, por aspak e tillë në fushë, pasi verilindorët u munduan të rezistonin dhe të bënin dëme. Megjithatë, goli i Mehmetit në minutën e 13- të vulosi gjithçka dhe i dha Shehit fitoren e katër radhazi me Partizanin, por edhe thuajse hipotekoi vendin e dytë pas barazimit të Vllaznisë. Në një prononcim për “Panorama Sport”, trajneri i Partizanit është i kënaqur për objektivin e arritur, por nuk e heq vëmendjen nga sfida me Erzenin.

shehi

Një fitore kundër Kukësit si detyrë shtëpie, sa i kënaqur jeni më atë që bëri skuadra?

Unë mendoj se është një fitore mentaliteti, edhe pse ndeshjet e lehta në letër bëhen të forta në fushë. Ishte një ndeshje e luftuar, Kukësit bravo i qoftë, luajti ndershëm. Mund ta çonim ndeshjen 2-0 me penalltinë, por jemi të kënaqur me faktin që morëm tri pikët e radhës.

Objektivi i vendosur prej javësh ishte vendi i dytë. Sa ju përmbush fakti që tashmë gjithçka varet nga vetë ju në ndeshjen e fundit?

Po, jemi në vend të dytë. Kemi edhe një ndeshje të fundit me Erzenin, që gjithashtu kërkon vlerësimin e saj, por e rëndësishme është që tashmë gjithçka është në këmbët tona, nuk presim nga të tjerët. Nga kënaq fakti që renditemi në dy vendet e para. Pas vështirësive që kishim, skuadra prej 4-5 javësh është aty ku duhet, edhe pse prapë me problemet e mungesave. Sot (dje) dihet që munguan Taipi, Cara dhe Maget.

Katër fitore radhazi, ecuria më e mirë e juaja me Partizanin deri më tani. Nëse i fitoni të gjitha ndeshjet e mbetura, thyeni rekordin e Abilaliajt. Prisni që t’ia dilni?

Do të kënaqesha edhe me gjashtë fitore dhe një barazim në mes në këto ndeshje të fundit. E rëndësishme është që të fitojmë në finale, sepse në gjysmëfinale tashmë kemi edhe avantazhin e barazimit në rast se do ta mbyllim me këtë renditje që jemi aktualisht. E rëndësishme është ta mbyllim me sukses me Erzenin dhe më pas në “Final 4” të jemi sa më të qetë dhe të qartë, por edhe me fat, sepse atje duhet edhe ky element.

Besoni se skuadra është e vetëdijshme se me Erzenin nuk lejohet asnjë nënvlerësim, apo jo?

Do të bënim “vetëvrasje” nëse do të mendonim se Erzeni është një kundërshtar i lehtë. E presim në shtëpi, kemi vetëm tri ditë kohë për të qenë gati. Kështu që do vlerësimin maksimal, që të shkojmë në kuotën e 63 pikëve, ky është objektivi ynë i parë.

E vendos Mehmeti, që ishte në dyshim për këtë ndeshje. Sa i kënaqur jeni që zgjohet edhe ky lojtar?

Mehmeti vjen pas një periudhe që nuk ka pasur vazhdimësi për shkak të dëmtimeve, ka qenë i pafat. Edhe me Skënderbeun pësoi një dëmtim, sakrifikoi duke luajtur gjithë ndeshjen dhe arriti të shënojë golin. Akoma nuk është Mehmeti që ne presim, sepse ai do të zhvillohet, do të përmirësohet dhe do të kalojë në një tjetër nivel. I duhet vazhdimësia dhe shpresoj të mos ketë dëmtime të tjera.

Hadroj dhe Skuka u duk sikur shfaqën probleme fizike, kanë diçka serioze?

Jo, jo. Fatmirësisht asnjëri nuk ka problem.

Do të donit më shumë Vllazninë në gjysmëfinale, apo skuadrën tjetër që do t’ju bashkohet në katërshe?

Në katërshe janë të gjitha të rrezikshme, është komplet gjë tjetër. Është një sistem krejt tjetër, janë ndeshje finale. Të gjitha skuadrat janë të rrezikshme në atë ndeshje.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"