Elbasani feston titullin, trajneri Dede: S’ka nevojë për këshilla, jemi kampionët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 9, 2024 | 11:21

Elbasani feston titullin, trajneri Dede: S’ka nevojë për këshilla, jemi kampionët

Elbasani do të ngrejë sot trofeun e Kategorisë së Parë, në një ndeshje me Bylisin në “Elbasan Arena”, e cila do të mbahet në orën 17:00. Ndonëse verdheblutë janë matematikisht kampionë, fakti që bëhet fjalë për ndeshjen e fundit dhe për më tepër në fushën e tyre, i motivon ata që të japim maksimumin për ta fituar.

dedee

Në prononcimin e dhënë për “Panorama Sport” para kësaj sfide, trajneri Nevil Dede kërkon nga djemtë të njëjtin përkushtim që kanë pasur gjatë gjithë kampionatit, sepse përfaqësojnë një klub me traditë dhe qytet fisnik. “Pres të njëjtën sjellje nga djemtë. Korrektesë, përkushtim, përgjegjësi, ndjenjë. Të tregojmë kush jemi dhe të tregojmë kë përfaqësojmë. Ne përcjellim imazhin dhe kulturën e klubit tonë, por mbi të gjitha të qytetit të Elbasanit, që për mua janë fisnik dhe shumë futbolldashës”, u shpreh fillimisht në fjalën e tij tekniku i verdhebluve.

BYLISI – Elbasani nuk ia ka dalë ta mundë Bylisin në dy ndeshjet e këtij sezoni, teksa të dyja janë mbyllur në barazim. Për Deden, sigurisht që Elbasani do hyjë për të fituar, por për aq kohë sa janë kampionë, nuk ka ndonjë merak te kjo pjesë. “Ne gjithmonë kemi punuar për të fituar çdo ndeshje, pra gjithçka. Bylis është një ekip i kësaj kategorie, si 11-të të tjerat, ku sigurisht na rivalizoi me meritë dhe do ngjitet bashkë me ne në Superiore dhe për këtë meritojnë komplimente. Por, ne jemi kampionët. Se kë kemi mundur, se kë jo, kjo gjë për mua nuk ka vlerë”, vijoi më tej Dede. Sa i përket prezencës së tifozëve, tekniku thekson. “Sigurisht që pjesëmarrja e shumtë do të jetë ‘qershia mbi tortë’ në festën e nesërme (sotme)”, theksoi tekniku i Elbasanit.

KËSHILLA – Dede nuk ka ndërmend të japë këshilla për djemtë në këtë ndeshje të fundit, sepse nuk kanë nevojë për gjëra të tilla. Sot, është koha vetëm për të festuar. “Lojtarët edhe stafi këtë sezon në shumë momente, kanë mohuar veten, kanë shkelur mbi veten. Pse? Për qytetin, për njerëzit që na kanë mbështetur dhe mbi të gjitha që na kanë dhënë dashuri gjithmonë. Besoj se ata (djemtë) nuk kanë nevojë për këshilla. Nesër (sot) është koha që ata të festojnë, pasi ne me çdo rezultat do festojmë, kjo është pak, por e sigurtë (qesh). Në një kampionat të gjatë, kupën e merr gjithmonë ai që e meriton”, mbylli prononcimin e tij për gazetën trajneri i skuadrës së Elbasanit, i cili pas arritjes së shpalljes kampion në Superiore si lojtar në Elbasan, e bën tanimë edhe si trajner, edhe pse në Kategorinë e Parë.

 

Festa, pas ndeshjes në qytet

 

Pritet që sot të jetë një pasdite e gjatë festimesh në Elbasan, ku edhe do të merret trofeu i ekipit kampion të Kategorisë së Parë. Edhe pse axhenda e plotë nuk është bërë ende e ditur, të gjitha gjasat janë që pas ceremonisë festive në stadium, ekipi të bëjë një parakalim në qytet dhe aty të festojë edhe me qytetarët e tjerë. Jo më kot, edhe orari i ndeshjes është lënë për në orën 17:00, në mënyrë që pas përfundimit të saj të jetë koha e mjaftueshme për të festuar. Sa i përket biletave, ato janë nxjerrë në shitje që prej ditës së djeshme dhe interesimi ka qenë i kënaqshëm. Të paktën, klubi pret që të përsëritet ndeshja e fazës së parë me afro 7 mijë të pranishëm dhe pse jo kjo shifër të tejkalohet.

VLADIMIR MEMA- PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"