HISTORIA PËRMES GAZETARISË: 40 VJET MË PARË / Sfida e Kampionatit të Shqipërisë ndaj atyre të Gjermanisë, Austrisë e Turqisë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 15, 2023 | 17:38

HISTORIA PËRMES GAZETARISË: 40 VJET MË PARË / Sfida e Kampionatit të Shqipërisë ndaj atyre të Gjermanisë, Austrisë e Turqisë

Nga BESNIK DIZDARI
Sigurisht ky është titulli më “gux imtar” që një gazetar shqiptar mund të vendoste. E pra, e vërteta është se më 1983 Kampionati i Shqipërisë nën regjimin komunist, për çudinë e madhe, shpalosi një sfidë edhe ndaj këtyre kampionateve perëndimorë të një profesionalizmi të rrallë.

Kjo foto nuk është e ndeshjes me Austrinë, por e ndeshjes së madhe të fundit (19 nëntor 1983) kur Shqipëria eliminonte në Trier Gjermaninë mbas barazimit 1-1. Dhe në këte cikël që po e fillojmë sot, do të përpiqemi që në çdo kapitull të ketë një foto nga kjo ndeshje përcaktuese. Veprojmë kështu për të kujtuar sa më mirë këtë ndeshje historike, por edhe për të mënjanuar varfërinë e fotove të munguara nga ndeshjet e tjera. Në foto është një sulm i Shqipërisë, ku futbollisti shqiptar Topçiu përpak sa nuk shënon në portën e Gjermanisë.

Kjo foto nuk është e ndeshjes me Austrinë, por e ndeshjes së madhe të fundit (19 nëntor 1983) kur Shqipëria eliminonte në Trier Gjermaninë mbas barazimit 1-1. Dhe në këte cikël që po e fillojmë sot, do të përpiqemi që në çdo kapitull të ketë një foto nga kjo ndeshje përcaktuese. Veprojmë kështu për të kujtuar sa më mirë këtë ndeshje historike, por edhe për të mënjanuar varfërinë e fotove të munguara nga ndeshjet e tjera. Në foto është një sulm i Shqipërisë, ku futbollisti shqiptar Topçiu përpak sa nuk  shënon në portën e Gjermanisë.

Plot 40 vjet më parë, më 19 nëntor 2023, në tokën gjermane është fiksuar arritja më e madhe e futbollit shqiptar të asokohe. Shqipëria e 21-vjeçarëve mposht Gjermaninë e këtij rangu dhe arrin të ngjitet midis 8 skuadrave më të mira të Europës. Ajo do ta eliminojë këtë Gjermani në tokën e vet, në stadiumin e vet, para tifozëve të saj gjermanë. Buja, siç do të përshkohemi në këtë histori, merrte përmasa të jashtëzakonshme edhe sepse Shqipëria kishte eliminuar kështu, Nënkampionen e Europës në fuqi të kësaj kategorie që ishte Gjermania Perëndimore (RFGJ), e cila e kishte humbur titullin në ditën e 12 tetorit 1982 përballë Anglisë në ndeshjen e dytë edhe pse të fituar prej saj 3-2, por që kishte humbur në Sheffield ndeshjen parë 3- 1, ç’ka i jepte medaljet e Kampionit Anglisë thjesht për 1 gol më tepër (5-4).

Epilogu i ngjarjes madhështore të Shqipërisë është pasqyruar deri në imtësi prej autorit të këtyre radhëve, por tash në këtë 40- vjetor ajo po kërkohet të përkujtohet në një mënyrë tjetër. Duke e treguar atë hap mbas hapi nëpërmjet shkrimeve të asaj kohe të gjitha ndeshjeve. Nga ndeshja e parë te ndeshja e fundit, ajo fenomenale për historinë tonë, që do të ishte ajo e 19 nëntorit 1983 në Trier të Gjermanisë, ku Shqipëria e 21-vjeçarëve barazon 1-1 dhe zë vendin e parë kualifikues në grupin e saj. Ç’ka ndodhte për herë të parë në histori, deri tash, te 40 vjet më vonë, madje në ndryshim të vetëm një dite nga ai 19 nëntor 1983 për të mbërritur te 20 nëntori 2023, kur Kombëtarja e parë e Shqipërisë arrin të zërë po vendin e parë në grupin e saj në kualifikimet e Kampionatit Europian të Kombëtareve të para të Europës. E rëndësishme ishte se “Shpresa” e Shqipërisë datuar 1983, do të triumfonte mbi Gjermaninë, e cila përveç të tjerave, ishte Kampione e Europës (1980) edhe për Kombëtaret e para. Një Gjermani 21-vjeçare kjo, e cila drejtohej prej një figure të madhe të futbollit gjerman, siç ishte Kampioni i Botës dhe i Europës, Berti Vogts.

Shqipëria e 21-vjeçarëve 1982-83 përbëhej e gjitha nga lojtarë të Kampionatit Kombëtar të Shqipërisë, madje tre lojtarë edhe nga Kategoria e dytë.

Nën kryesimin e nënkryetarit të Komitetit të Kulturës Fizike e Sporteve të BFSSH, Azis Tahiri, që kryesonte edhe ekipin kombëtar, “Shpresa” e Shqipërisë shkonte në Austri me këta 15 lojtarëve: H.Durimi (Mersini), H.Zmijani, S.Hodja, A.Bimo, A.Ocelli, A.Canaj, S.Demollari, F.Jera, A.Vila, M.Josa, A.Topçiu, A.Maliqati, P.Ulba (Noga), A.Ndreu, L.Liti. Trajnerë Ramazan Rragami e Petraq Ikonomi.

Sot pa mëdyshje po guxoj ta vendos këtë arritje të përmasave europiane, pranë dy kualifikimeve të fundit të Shqipërisë 2016 e 2024 për në finalet e Kampionatit Europian të kombëtareve të para. Edhe për faktin se “Shpresa “ Shqiptare, siç quhej, ajo e vitit 1983 ende është rekordmene. Kësisoj nga që deri në këtë çast, asnjë Kombëtare tjetër shqiptare nuk ka arritur vendin e 8-të në Europë (Shqipëria 2016 ishte e18-ta).

Pa harruar ndërkaq, epërsinë triumfuese të saj që na thotë se, të gjithë lojtarët e asaj Shqipërie ishin të Kampionatit Kombëtar të Shqipërisë, pra jo një skuadër e përbërë nga profesionistë shqiptarë “të huaj”. Dhe guxoj ta quaj po aq të madhe, qoftë dhe në një kuptim, si të thuash relativ, Shqipërinë e 8-shes europiane të 40 vjetëve më parë. Ai që don të kuptojë le të kuptojë. Ai që nuk don të kuptojë apo që nuk di të kuptojë, s’kemi punë me te.

Një gjë të vjen keq. Të gjithë ata lojtarë të asaj Shqipëria Europiane, sot pothuajse janë të harruar, krejt pak të nderuar, përveç shkrimeve tona. Ndonëse për çudi, Shqipëria komuniste brenda ditës iu blatoi titullin e “Mjeshtrit të Sportit” të gjithëve. Ndërsa sot vlerat janë shpërpjesëtuar të sunduara keqas prej ngatërrimit të radhës të meritave.

Ritregimi ynë në këtë 40-vjetor, për herë të parë do të përshkohet hap mbas hapi kryesisht përmes shkrimeve që u botuan asokohe.

E, sot, ajo që më duhet të kthej në një lloj autokritike është se kur nisi kjo aventurë asnjeri prej nesh, pra as edhe unë si kryeredaktor i gazetës “Sporti Popullor”, kurrsesi nuk parashikuam sado pak se kjo Shqipëri do të përkulte një Gjermani, një Austri dhe një Turqi – tri fuqi të parësore këto të futbollit të Europës.

Kësisoj, shkrimet tona të asokohe, nisin me një lloj ftohtësie gazetareske, pa na shkuar kurrsesi nëpër mend që do të vinte 19 nëntori 1983 dhe kjo skuadër do të pushtonte mjedisin futbollistik të Gjermanisë, shtypin, televizionet e saj, konferencat e intervistat thuajse të bujshme të sallave të saj.

Po e nisim duke botuar trajtesën apo përshkrimin e episodit të parë krejt befasues, që i përket fitores 2-1 të Shqipërisë ndaj Austrisë më 21 shtator 1982 në Muezershlag të Austrisë.

Është një shkrim që e nisnim nga faqja e parë e gazetës, për ta vijuar në të katërtën. Një shkrim pa emfazë e fluturime, siç ndodh jo rrallë sot. Madje një shkrim i një lloj prozaizmi, por me meritën e madhe se në thjeshtësinë e vet, kërkon të rrahë deri diku edhe problemin. Nuk mund të thuhet se është një shkrim stili, më tepër është një shkrim trajtese deri diku të një problematike, pra. Duke ia lënë fjalën informative agjencisë austriake të lajmeve APA dhe një gjykimi të shpejtë të trajnerit të skuadrës, Ramazan Rragami. Natyrisht, ashtu siç është shkruar asokohe, midis rreshtave e kupton se edhe gazetarinë, donim apo nuk donim, e mbikëqyrte me rreptësi partia. Shkrimi nuk ka autor, sepse në Austri nuk kishte shkuar asnjë gazetar. Edhe pse do të luante Kombëtarja, e cila humbet 5-0. Dhe ne si redaksi, madje për çudi, bukur tre autorë, B.Dizdari, E.Dilaveri, B.Tufa botonim një shkrim të gjatë kritik për këtë humbje të rëndë, ndonëse jo një shkrim të faqes së parë.

Tash lexojeni shkrimin për fitoren e parë të “Shpresës” së Shqipërisë, përmes rreshtave të të cilit do të kuptoni sadopak edhe sesi e deri ku e kishte cakun e saj gazetaria e asokohe. Ndonëse pavarësisht nga kjo, këtë Shqipëri 21-vjeçare, e cila po niste të afirmohej bukur e mirë në rrugën e një lartësie të bujshme të Europës, ne hap mbas hapi do ta bënim protagoniste të çmueshme të shkrimeve tona.

Kreu i shkrimit të faqes së parë të “Sportit Popullor” për ndeshjen e “Shpresave” Austria – Shqipëria 1-2.

Kreu i shkrimit të faqes së parë të “Sportit Popullor” për ndeshjen e “Shpresave” Austria – Shqipëria 1-2.

PËR KAMPIONATIN EUROPIAN TË FUTBOLLIT

Vazhdimësia e lojërave dhe e fitoreve të bukura të “Shpresës”…

Të martën, më 21 shtator, në stadiumin e qytetit Muer zueshlang të Austrisë u luajt ndeshja e futbollit midis ekipeve Shpresa të Austrisë dhe të Shqipërisë.

SHPRESA E AUSTRISË: Volfahrt, Horman, Meslender, Nuhart (Frid), Linemajer, Medzler (Uinterbaher), Fonaker, Verner, Vilfurth, Ristic. Feler.
SHPRESA E SHQIPERISË: Durimi, Zmijani, Hodja, Bimo, OceIli, Canaj, Demollari, Jera, Josa (Ulba), Vila, Topciu.
GJYQTARË: Treshe çekosllovake me kryesor Rezniçek.
SHËNUES: Canaj (8’), Vila (37’), Ristic (44’).

Për takimin e Shpresave të Austrisë dhe Shqipërisë, agjencia austriake e lajmeve (APA) njofton:

“Skuadra e Shpresës së Shqipërisë fitoi me meritë pas një loje të mirë. Nëpërmjet shpejtësisë së veprimeve dhe kontrollit të saktë të topit, shqiptarët u treguan shumë efikas në shfrytëzimin e rasteve. Nga 4-5 të tillë ata realizuan dy gola. Përkundrazi, austriakët luajtën në një mënyrë të njëanshme, duke e rritur lojën në 45 minutat e dyta. Pra, shqiptarët treguan një lojë të lidhur, ku nuk mungoi përvoja. Në fushë për skuadrën shqiptare nuk pati asnjë pikë të dobët. Shqipëria kaloj në avantazh pas një kombinimi Josa-Vila-Canaj, dhe ky i fundit duke gjuajtur me saktësi, shënoi: 1:0. Rastin për barazim austriakët e patën me anë të Vilfurthit (31’), por topi i gjuajtur prej tij kaloi mbi shtyllë. 6 minuta më vonë, pas një ekzekutimi të goditjes së dënimit nga Zmijani pranë vijës fundore, Vila me kokë ngre shifrat në 2:0. Në fundin e pjesës së parë Ristic shkurton diferencën në 2:1. Në pjesën e dytë megjithë njëfarë presioni të austriakëve, rastin më të pastër për shënim e patën shqiptarët, kur Topçiu edhe pse ka shmangur portierin, vonon. Kjo i jep mundësi Volfurthit t’ia marrë topin nga këmbët”.

R. RRAGAMI, TRAJNER I SHPRESËS: “Para së gjithash kërkuam nga ekipi konkretizimin e detyrave në përshtatje me ekipin kundërshtar. Dhe nëse fituam, ndër armët më kryesore qe edhe zbatimi në përgjithësi mirë i detyrave. Mund te them, se kalimi i skuadrës në bllok nga mbrojtja në sulm dhe anasjelltas, nuk i dha mundësi austriakëve të na gjenin në befasi. Tempi i kënaqshëm dhe qarkullimi i topit nëpërmjet lëvizjeve të vazhdueshme të lojtarëve për të sulmuar në krahë, ishin anët e tjera pozitive të lojës së skuadrës sonë. Edhe fizikisht, loja në kompleks e lojtarëve nuk tregoi mangësi”.

Trajneri Ramazan Rragami në vitin 1983 kur drejtonte Shpresën e Shqipërisë në suksesin e madh. Eshtë foto e botuar në shtypin gjerman të kohës.

Trajneri Ramazan Rragami në vitin 1983 kur drejtonte Shpresën e Shqipërisë në suksesin e madh. Eshtë foto e botuar në shtypin gjerman të kohës.

Fitorja 2:1 e Shpresës sonë është e bukur, jo vetëm për nga rezultati, por sipas të dhënave që mori redaksia, për më tepër nga paraqitja e vlerave të futbollit shqiptar. Është shumë domethënës fakti, që edhe vëzhguesit e huaj e përcaktojnë: “Fitore me meritë e shqiptarëve”. Nuk është hera e parë që shkruhet e thuhet kështu për “Shpresën” shqiptare. Kampionia e Ballkanit në vitet 1978, 1981, në një aktivitet më të lartë cilësor, përsëri shquhet. E kjo nuk është rastësi. Vetëm me pak emra nga kampionia e Ballkanit 1981, megjithatë emrat e rinj nuk kanë krijuar boshllëk,

Vazhdimësia e lojërave dhe e fitoreve të bukura të «Shpresës” është një dukuri që meriton përgjithësim.

Ku qëndron sekreti? Jo se niveli i “Shpresave’ kundërshtare qëndron më poshtë se ai i “Shpresës” sonë. Kundërshtari ynë në këtë ndeshje të parë të kampionatit europian, “Shpresa e Austrisë, në përbërje kishte përfshirë lojtarë efektivë, pra, profesionistë të ekipeve kryesore të kategorisë së parë (“Austria” e Vjenës, “Rapid”, “Shturm”, “Admira Vaker” etj) e megjithatë ekipi ynë nuk qëndroi më poshtë. Përkundrazi.

Ka një shpjegim ky shembull. Kandidatët e “Shpresës” vijnë në ekip me dëshirën për të mësuar, seriozë e të vëmendshëm, pa “unin” – jam i pazëvendësueshëm dhe për pasojë çdo këshillë e trajnerëve ngjit te këta. Vetë thënia e trajnerit R. Rragami se, “ekipi luajti me patriotizëm, me shumë dëshirë, i tërë në unitet”, tregon se suksesi bazohet mbi punën, thjeshtësinë, pasionin për futbollin. Është e bukur kjo fitore. E bukur në përmbajtjen e lojës sonë. E bukur se u arrit ndaj një skuadre mjaft të mirë, mjaft të fortë. Të fuqishëm në mbrojtje, të menjëhershëm në kundërsulmin e shpejtë dhe gjithnjë kolektiv e të sakrificës në lojën e tyre plot temperament, këta të rinj të pasionuar korrën një fitore që është një nxitje kuptimplote për ta, për vetë futbollin tonë. Duket që trajnerët Rragami e Ikonomi kanë punuar mirë për zgjedhjen e elementit, për përgatitjen e tij dhe mbi karakteristikat e lojtarëve që kanë, ia kanë arritur të ndërtojnë edhe taktikën, edhe mënyrën e lojës duke punuar mandej edhe për atë psikologjike që vetë futbollistët të dinë të vlerësojnë forcat e tyre pa mbivlerësuar atë të kundërshtarit. Këto cilësi duhen forcuar e ngritur në një shkallë më të lartë në hallkën më cilësore – ekipin kombëtar…

Me shumë vlerë është të shikohet edhe përbërja e “Shpresës” sonë. 3 lojtarë të saj vijnë nga kategoria e dytë, disa të tjerë ende nuk janë efektivë në gjirin e skuadrave të kategorisë së parë. Pra, edhe pse “Shpresa” luan me nivel e fiton, përsëri disa gjëra duhen shikuar. Më shumë vëmendje duhet t’i kushtohet ekipeve të kategorisë së dytë, se edhe aty talentet nuk mungojnë. Kanë meritë trajnerët e “Shpresës” që e qëmtuan elementin larg “tradicionales” kategorisë së parë. Por nga ana tjetër trajnerët e ekipeve të kategorisë së parë më shumë vëmendje duhet t’i kushtojnë të rinjve. Për t’i rritur këta cilësisht jo duke i mbajtur në stolin e rezervave, por duke i mësuar në stërvitje e provuar në fushën e lojës.

Me disa vlera të futbollit të kohës luajti Shpresa jonë në Austri. Portieri Durimi, i dalluar dhe në kampionatin europian të të rinjve, mbrojtësit Zmijani e Hodja, mesfushori Canaj dhe sulmuesi Topçiu ishin pikat më të forta të ekipit. Por pranë tyre qëndruan edhe të tjerët, duke krijuar kështu një ansambël solid , luftarak, shumë kolektiv. Dhe realizuan një fitore të bukur të rinjtë tanë në prag të Kongresit të 8-të të BRPSH -së. Një nxitje kjo për të vështruar e pretenduar gjithnjë për lojëra të bukura, fitore të merituara.

Veç edhe fitoret duhen vështruar me sy kritik. Ajo ç’ka është arritur nuk duhet të pësojë lëkundje. Për më tutje cilësitë pozitive të bëhen akoma më të qëndrueshme për të plotësuar sa më shpejt ndonjë boshllëk e përvetësuar sa më mirë elementet e futbollit të kohës, teknikën e lartë në lëvizje, veprimin taktik elastik, përgatitjen e plotë fizike të përgjithshme e speciale.

Se nuk duhet harruar që kundërshtarët janë të fortë dhe atë që nuk munden ta arrinin në fushën e tyre, do të kërkojnë ta arrijnë në fushën tonë. Është pra vetëm një fillim i bukur. Ata që do të ndeshen tash e mbrapa me ekipin shqiptar e dinë se kanë përpara një kolektiv luftarak. Dhe do të mobilizohen së tepërmi. Kështu për Shpresën tonë kërkohet një nivel edhe më i lartë në takimet e tjera, një punë edhe më e madhe, më shkencore. Për të ruajtur vazhdimësinë e lojërave të bukura dhe fitoreve të bukura kësisoj…

Gazeta “Sporti Popullor”, 28 shtator 1982

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"