EKSKLUZIVE/ “Dinamo, të duhet patjetër pika në Shkodër”, Canaj: Blutë i dua në katërshe, Vllazninë kampione

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 1, 2024 | 21:53

EKSKLUZIVE/ “Dinamo, të duhet patjetër pika në Shkodër”, Canaj: Blutë i dua në katërshe, Vllazninë kampione

Dinamo historikisht ka marrë rezultat pozitiv sa herë ka dashur në Shkodër, ku ka gjetur terrenin perfekt për lojën e saj tradicionale. Por nuk është më ajo Dinamo e atëhershme, është një tjetër Dinamo, që synon të rikthehet në ato nivele, ndërkohë që gjatë këtij sezoni ka pasur jo pak luhatje.

agim canaj

Të shtunën “Nëndetësja” zbret në “Loro Boriçi”, në një ndeshje ku duhet të reagojë pas humbjes me Partizanin dhe barazimit me Laçin. Gjen përballë një Vllazni të karikuar nga fitorja me Egnatian, por për të mbrojtur vendin e 4-t, skuadra kryeqytetase minimalisht nuk duhet të humbasë në Shkodër.

Agim Canaj, ish-lojtari dhe ish-trajneri i Dinamos, që tri herë ka drejtuar edhe Vllazninë, e di mirë se çfarë ndeshjesh luhen mes këtyre dy skuadrave në “Loro Boriçi”. Ai pret një duel të luftuar, që në një farë mënyre do të diktojë edhe fundin e sezonit. Për Canajn, skuadra që gabon këtë herë, e komplikon jo pak objektivin.

DINAMO – Duke gjykuar pjesën e Dinamos, për “Panorama Sport” vlonjati është shprehur: “Dinamo ka pasur shumë luhatje këtë sezon, luhatje të forta dhe të shpeshta. Është në vend të 4-t dhe mendoj se duhet të jetë aty deri në fund. Do të ishte mëkat për këtë skuadër, nëse nuk do të shkonte në “Final 4”, sepse i ka të gjitha mundësitë. Mendoj se Dinamo luan për dy rezultate në Shkodër, fitore dhe barazim. I duhet të marrë të paktën një pikë në këtë ndeshje, që e parashikoj shumë të luftuar.

Të dyja skuadrat e kanë detyrim të luftojnë për rezultat pozitiv, sepse kanë objektiva për të arritur. Kush gabon të shtunën, e bën gjithçka të vështirë për dy ndeshjet e fundit. Te Dinamo duhet të mbledhin forcat dhe të tregojnë se e meritojnë të shkojnë në ato ndeshjet që do të luhen pas kampionatit. Sa herë që Dinamo ka qenë mirë, më pas ka marrë goditje, si i ndodhi edhe së fundi.

E përsëris, i duhet patjetër 1 pikë. Dinamo, ajo e mëparshmja, ka marrë gjithmonë fitore në Shkodër dhe uroj që kështu t’i ndodhë edhe këtë herë. Kjo skuadër do të bëhej e rrezikshme, nëse do të bëhej pjesë e ‘Final 4’, ku ndryshon shumë situata. Ka lojtarë të mirë dhe duhet ta mbyllë kampionatin në 4-shen e parë”.

VLLAZNIA – Për sa i takon Vllaznisë, gjendjes së saj dhe mundësive të titullit, Canaj ka theksuar: “Vllaznia ka një bonus shumë të madh, luan në fushën e saj dhe vjen pas një fitoreje të rëndësishme kundër Vllaznisë. Motivimi për shkodranët do të jetë shumë i madh, por në anën tjetër ka edhe shumë presion, sepse duhet të ruajnë vendin e dytë, të paktën deri në fund të kampionatit.

Për mendimin tim, kjo ndeshje do të tregojë edhe nëse trajneri i ri ka bërë ndryshimin apo jo, sepse nuk mund të thuhet se Vllazninë e ndryshoi ai në Rrogozhinë me vetëm një ditë në krye të saj. Me trajnerin Osmani ishte një skuadër e bukur për t’u parë, pavarësisht ndonjë luhatjeje, siç ka ndodhur në javët e fundit. Sinqerisht, do të doja që Vllaznia të fitojë titullin kampion pas kaq vitesh dhe është ende në lojë. Shanset i ka, nëse ruan vendin e dytë, por di të them që Partizani është forcuar shumë.

Me atë që pashë në derbi, Partizani është vërtet kandidat i fortë për titullin. Sidoqoftë, ndeshjen VllazniaDinamo e pres të jetë e fortë dhe e bukur, në një atmosferë të ndezur nga tifozëria shkodrane. Ana psikologjike do të bëjë diferencën, sepse është një ndeshje që kërkon një përgatitje të lartë në këtë aspekt”.

FATJON RUPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"