EKSKLUZIVE/ “Niveli u tregua në derbi”, drejtori Rama: Partizani “ndez” në ndeshjet e mëdha, ja ç’i thashë ekipit para Tiranës (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 2, 2024 | 23:48

EKSKLUZIVE/ “Niveli u tregua në derbi”, drejtori Rama: Partizani “ndez” në ndeshjet e mëdha, ja ç’i thashë ekipit para Tiranës (E PLOTË)

Pas një ecurie zhgënjyese në katër ndeshje radhazi, Partizani u kthye dhe fitoi bindshëm dy derbe radhazi kundër rivalëve historikë të Dinamos dhe Tiranës.

olsi-1-1

Drejtori i Përgjithshëm i klubit, Olsi Rama, në një prononcim për “Panorama Sport” shprehet se këto dy derbe i bëjnë lojtarët që të kuptojnë nivelin e vërtetë të tyre. Sipas tij, Partizani duhet të bëjë shumë kujdes në tri ndeshjet e mbetura, duke nisur nga sfida e së shtunës kundër Skënderbeut. Rama shprehet se ekipi i kuq për Magetin është një trampolinë dhe shton se senegalezi mund të largohet në këtë verë.

Partizani mori një fitore në derbi vetëm pak javë pranë “Final 4”. Përveç pikëve, sa e rëndësishme ishte kjo fitore për aspektin psikologjik të skuadrës?

Kjo është kryesorja. Të gjithë trajnerët dhe klubet mendojnë se tri pikët janë më të rëndësishme. Unë mendoj se në përgjithësi në sport e rëndësishme është ana psikologjike, që lojtarët të kuptojnë mundësitë dhe aftësitë që kanë. Edhe fitorja me Dinamon i bind lojtarët për nivelin ku janë dhe i vë në perspektivë edhe pozitën ku ata mund të arrijnë. Besoj se edhe në gati një muaj që na kanë ngelur deri te ndeshja finale, ku shpresoj që ne të jemi, ka kohë që të përmirësohen dhe të rrisin nivelin e tyre.

A mendoni se derbin e zgjidhi individualiteti i Maget me ato dy goditje mjaft cilësore të tij?

Futbolli është gjithnjë një sport ku dikush do ta zgjidhë ndeshjen. Por fitoren nuk e merr një lojtar i vetëm, e merr loja totale e ekipit, mënyra sesi skuadra e vë atë lojtar në pozita për të bërë atë që bëri. Të gjithë kanë luftuar dhe Maget e tregoi edhe njëherë se është një lojtar i një niveli që të them të drejtën, na kënaq ta shohim në stadiumet shqiptare.

Luani tri ndeshjet e mbetura kundër skuadrave poshtë jush në renditje. Kundër këtyre rivalëve keni pasur vështirësi. Si e prisni mbylljen e sezonit të rregullt?

Është e çuditshme, sepse lojtarët mobilizohen më mirë në këto ndeshjet e vështira. Duhet të punojmë t’i bindim ata që të japin 120% në këto ndeshje që konsiderohen si “të lehta”. Unë nuk e kam problem asnjëherë ndeshjen me Tiranën, më së shumti kam problem për të bindur lojtarët që të japin maksimumin në ndeshjen e lehta në letër. Nuk ka ndeshje të lehta në kampionatin tonë. E keni parë edhe vetë se u eliminuam nga Kukësi, pasi e kishim mundur dy herë në mënyrë shumë bindëse. Ka një tendencë që lojtarët gabimisht të nënvlerësojnë kundërshtarin. Kështu që shpresoj që të luajnë për veten e tyre dhe të kenë fokusin te loja në radhë të parë. Nëse luajnë dhe japin maksimumin, duke bërë detyrat e trajnerit, e sigurt se rezultatet do të vijnë.

Po i afroheni 600 ditëve pa u mposhtur në duelet me Tiranën. Sa krenar ju bën skuadra për këtë fakt?

Unë u them lojtarëve që tri pikët janë gjithnjë njësoj. Derbi fitohet për tifozët. Dua të deklaroj sërish që të gjithë lojtarët ia dedikojnë fitoren z.Resul Demi, i cili po kalon një moment të vështirë. Shpresoj që të paktën t’i kemi kënaqur dhe të jenë edhe ata të gëzuar.

Kontrata e Maget skadon pas një viti dhe disa titullarë mund të largohen të lirë në verë. Si është situata sa i përket kontratave?

Është në dorën e stafit, që drejton dhe merr më shumë vendime në raport me merkaton. Unë e kam thënë që kur Maget ka ardhur që Partizanin ai duhet ta ketë si një trampolinë. Jam shumë i sigurt se kudo që ai do të shkojë këtë verë apo verën tjetër do të bëjë jashtëzakonisht shumë mirë dhe do të shikoni ecurinë e tij në të ardhmen.

E patë edhe në derbi që ai është një lojtar që të kënaq kur e sheh në fushë dhe është arsye më shumë që tifozët të vijnë në stadium. Po ashtu duhet të vijnë të shohin edhe të tjerët. Të shikojnë Hadrojn, Sotën, Mba apo Bintsuka, që gjithashtu kanë një të ardhme të mirë mendoj. Padiskutim Rrapajn, që është lojtari më i mirë i kampionatit të kaluar dhe jam i gëzuar që po kthehet në nivelet e veta.

Edhe ai po na kënaq me depërtimet e veta. Partizani ka shumë lojtarë. Para derbit u thashë: “Luani me zemër për aq minuta sa do të jeni në fushë, sepse ai që do t’ju ndërrojë nuk do të jetë në nivelin tuaj, përkundrazi mund të bëjë edhe më mirë”.

DENIS LALA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"