KATEGORIA E PARË/ Lushnja dhe Besa nuk zhgënjejnë, dënojnë Ilirinë dhe Luftëtarin të mbeten në Kategorinë e Dytë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 17, 2024 | 0:09

KATEGORIA E PARË/ Lushnja dhe Besa nuk zhgënjejnë, dënojnë Ilirinë dhe Luftëtarin të mbeten në Kategorinë e Dytë

Lushnja dhe Besa kanë siguruar një tjetër edicion në Kategorinë e Parë teksa kanë fituar sot ndeshjet play-out përkatësisht ndaj Ilirisë dhe Luftëtarit të cilat vinin nga Kategoria e Dytë dhe kërkonin t’ua rrëmbenin këtë vend për sezonin e ardhshëm.

kategoria-e-pare-1

Lushnja ka triumfuar përballë Ilirisë me shifrat 2-0, falë dy golave të shënuar në ekstremet e ndeshjes. Ka qenë Kasmollari që u ka dhënë qetësinë lushnjarëve duke tundur rrjetën që në minutën e katërt e më pas ata e kanë pasur më të thjeshtë që të administronin rezultatin përballë ekipit të Fushë Krujës. Në fund, Dragoj ka dyfishuar rezultatin duke bërë të sigurt qëndrimin e Lushnjes në Kategorinë e Parë.

Besa nga ana tjetër e ka zgjidhur më shpejt sfidën e saj përballë Luftëtarit, teksa ka gjetur dy herë rrjetën në pjesën e parë me Eminin dhe Alfouseinin. Ziaj hapi duelin me golin e tij në startin e pjesës së dytë, por Spahiu u përgjigj për kavajasit duke rivendosur epërsinë e dy golave që rezistoi deri në vërshëllimën përfundimtar e cila dekretoi edhe qëndrimin e tyre në të Parën dhe ktheu gjirokastritët në të Dytën.

REZULTATET 

LUSHNJA-ILIRIA 2-0
4′ Kasmollari, 90′ Dragoj

BESA-LUFTËTARI 3-1
7′ Emini, 32′ Alfouseini, 55′ Spahiu / 49′ Ziaj

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"