EKSKLUZIVE/ “Duhet të mbulojmë lojtarët cilësorë të Egnatias”, Zmijani: Lojë trajnerësh, por Vllaznia di të befasojë
Hysen Zmijani, “Mjeshtri i Madh” i futbollit shkodran e shqiptar, e sheh të hapur kalimin e Vllaznisë në finalen e titullit.
Ai e vlerëson maksimalisht Egnatian, kundërshtarin e gjysmëfinales, por beson te forca e grupit të kuqebluve dhe ajo çfarë Brdariç do të ofrojë në këtë takim. Sfidën e së dielës në “Air Albania” Zmijani e shikon si një lojë strategjish të dy trajnerëve dhe në këtë drejtim ai ka edhe ndonjë këshillë për Brdariç në intervistën ekskluzive për “Panorama Sport”.
Zmijani, si do ta vlerësonit shortin e Vllaznisë kundër Egnatias në gjysmëfinale të “Final 4”?
Për mua është short i vështirë. E kam thënë edhe më përpara që Egnatia është nga ekipet më të forta në Shqipëri. Sigurisht, Vllaznia di të bëj surpriza dhe me ato surprizat e bukura ka shkuar deri këtu. Shumë herë kam thënë se lojërat nuk i ka bërë nga më të mirat, por rezultatet i ka pasur, prandaj jemi këtu.
Lëvizja e trajnerit mund të ketë ndikimin e vet?
Nuk e di për çfarë e larguan Qatipin (Osmanin), për mua pak surprizë ishte një lëvizje e tillë. Nuk ishte ai që ndërhynte në ndeshje, por ishte ai që solli këto surpriza të mira. Tani po shpresojmë për më mirë dhe të mos japim gjykime para kohe.
Çfarë prisni në këtë ndeshje, ku Vllaznisë i bën punë vetëm fitorja, kurse Egnatias edhe barazimi?
Personalisht them më mirë që na ra me Egnatian se sa me Partizanin. Partizani më është duhur në formë në këto takimet e fundit, kurse Egnatian shpresojmë ta gjemë edhe pak “të lodhur”, pas finales së kupës. E uroj Egnatian për fitimin e këtij trofeu, por dua të them se dishezat që ka pasur kjo skuadër fazën e fundit nuk mund të korrigjohen lehtë. Edhe lodhja do të ketë bërë të veten. Se të luajë me intensitet 90 minuta dhe më shumë nuk është e lehtë për asnjë skuadër.
Kë shikoni më lart?
Duke parë elementet që ka, por edhe lojën që ka zhvilluar, jap një plus më shumë për Egnatian. Megjithatë, Vllaznia ka treguar në këtë sezon se është e barabartë me këtë kundërshtar, ka bërë lojëra të bukura, duke na surprizuar. Kam besim se Vllaznia do të jetë në turin tjetër.
A ka ardhur koha që titulli të vijë në Shkodër?
Do të ishte një gjë tejet e bukur. Shpresojmë që të kemi fatin me vete dhe të bëjmë maksimumin, që ky titull i munguar prej kaq shumë vitesh dhe në 105-vjetorin e klubit, të jetë në Shkodër.
Ku i rekomandoni Vllaznisë të bëjë më shumë kujdes në këtë ndeshje delikate?
Duhet të mbrohet shumë mirë në radhë të parë, të mbulojë mirë lojtarët cilësorë që ka Egnatia. Duhet të shpresohet më shumë te kundërsulmi dhe tekniku duhet të ketë një strategji të qartë. Mendoj se ai nuk duhet të kërkojë lojë të bukur për të dalë në front, por të kërkojë një lojë racionale dhe me strategji për të shkuar te goli.
Duhet të shfrytëzojmë në maksimumin çdo mundësi që do të na krijohet. Shpresoj që edhe lojtarët të bëjmë maksimumin në aspektin fizik, të mos na bjerë ritmi, siç ka rënë në këtë periudhën e fundit. Egnatia për t’u mundur do një strategji më shumë se sa një lojë frontale. Mesi i fushës duhet të bëjë më shumë kujdes në mbrojtje dhe më pas të mendojë për sulmin.
Pra, do të jetë një lojë trajnerësh?
Nuk diskutohet, e thashë edhe më lart. Strategjia e trajnerit do të jetë e rëndësishme për të arritur te finalja. Nëse ai do të punojë mirë, kam shumë besim se edhe rezultati do të vijë. Nëse do ta futë ekipin në fushë pa një strategji për t’u ruajtur dhe më pas për të goditur në kundërsulm, mendoj se nuk e arrijmë atë që duam të gjithë.
ADMIR URUÇI-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"