Truku me emrat dhe dëmtimi i Panajot Panos, kur 17 Nëntori sfidoi belgët
NGA UVIL ZAJMI

Nuk janë vetëm tri ndeshje historike, por shumë me tepër se kaq dhe me protagonist absolut 17 Nëntorin e dikurshëm, sot KF Tirana. Të trija në turin e parë të Kupës së Kampioneve, pikërisht në futbollin elitar, aty ku përplasen “big”-ët e Europës.
Një cikël i filluar në shtator të vitit 1965 ndaj skocezëve të Kilmarnokut (0-0 në Tiranë dhe 0-1 në kthim), i vijuar me belgët e Standardit të Liezhit në shtator 1969 (0-3 në vajtje dhe 1-1 në Tiranë), për ta mbyllur me Ajaksin e Amsterdamit në shtator 1970 (2-2 në “Qemal Stafa” dhe 0-2 në Amsterdam).

I ndjeri Skënder Hyka në aksion gjatë ndeshjes në “Qemal Stafa” mes 17 Nëntorit dhe Standardit të Liezhit për turin e parë të Kupës së Kampioneve
Ndonëse të eliminuar, ato mbeten ndeshje të mëdha, shoqëruar me lojëra të mirë dhe tre barazime të regjistruara në Tiranë. Në një rikthim nostalgjik në ato dy ndeshje, përtej emocioneve që përcollën 180 minutat e paharruara nga Liezhi në Tiranë, Arben Çela, lojtari më i ri në atë skuadër, edhe pse kanë kaluar 55-vite, i kujton si të kenë ndodhur në vitin 2024.
“Pasi fituam titullin kampion, pati një short surprizë. Udhëtimi në Liezh dhe peripecitë, dëmtimi i Panos, aktivizimi im në pjesën e dytë, barazimi i Kazanxhiut në ‘Qemal Stafa’, dhe kritikat e shtypit pas ndeshjes, mbeten të paharruara për mua”, thotë Beni për “Panorama Sport”. Ndërkohë, për kureshtarët kjo është përballja e parë me klubet e futbollit belg.
Pas 15 vjetësh nga Standard Liezh-Tirana 3-0 dhe 1-1, pati një tjetër përballje, por këtë herë mes kombëtareve, kur në dhjetor 1984, Shqipëria arriti fitore historike në “Qemal Stafa” kundër Belgjikës.
Por Shqipëri-Belgjikë, “Panorama Sport” do ta risjellë në mënyrë ekskluzive, me rrëfime jo vetëm nga protagonistët, ata në fushë, por edhe me të tjerë dëshmitarë të pranishëm në atë sfidë të paharruar në “Qemal Stafa”.
KAMPION DHE PËRFAQËSIM PAS NJË VITI
E tillë ka qene ajo pjesëmarrje e 17 Nëntorit në Kupën e Kampioneve të edicionit 1969- 1970. E shpallur kampione në dhjetorin e vitit 1968, Tirana do të luajë në Europë në shtatorin e 1969-ës. Gjithçka ndodh nga moszhvillimi i kampionatit 1967-1968, pas përjashtimeve në ndeshjen Partizani-17 Nëntori 1-2 në fundsezonin 1966-1967.
Pas atij përjashtimi të dyfishë, kampione në tavolinë do të jetë Dinamo. Në shtator nuk do të ketë pjesëmarrje as nga Dinamo në Kupën e Kampioneve. Ajo që të befason është se do të deklarohet se kampionati nuk do të fillojë, ndërsa federata kishte vendosur të ndryshonte papritmas formulën, ndërsa do të luhet për një kupë të FSHF-së. Ende sot nuk dihen saktësisht motivet. Të ndara në dy grupe, me Partizanin e 17 Nëntorin jo bashkë, por në secilin grup. Viti 1968 do të nisë me “Kupa e 500-vjetorit të Skënderbeut”.
Kupa e Republikës, që do të zhvillohet në pranverë, do të merret nga Partizani, i cili siguron pjesëmarrjen në Kupën e Kupave, shtator 1968, ku luajti me Torinon. Kampionati 1968, me dy faza pranverë-vjeshtë, do të zhvillohet në harkun e vitit 1968 dhe në dhjetor 17 Nëntori do të shpallet kampion.
Kampionati do t’i rikthehet normalitetit, atij vjeshtë-pranverë më 1969-1970. Ndërkohë, në shortin për Kupën e Kampioneve, i hedhur në korrik 1969, goglat do të përcaktojnë një përplasje jo komode në turin e parë në turin e parë, pikërisht Standard Liezh-17 Nëntori. Pas Kilmarnokut, një tjetër ekip perëndimor me famë, i vështirë dhe me pretendime do të jetë në muajin shtator në kryeqytetin shqiptar.
STANDARD LIEZH, EMRI I NJË FUTBOLLI TË MADH
Shorti ka përcaktuar një kundërshtar të vështirë, emër të rëndë, kampionët e Standard Liezhit, përfaqësues tipik i futbollit me traditë, atij belg. Janë dy sfida që do të regjistrojnë edhe të parat e përballjes më futbollin belg në rang klubesh. E para ishte në Liezh. Kundërshtari ka lojtarë të forte dhe të njohur, mes tyre dy jugosllavët, Milan Galiç dhe Silvester Takaç. Ka pak njohje apo informacion për rivalin.
Në një kampionat me 16 skuadra, në 30 takime Standardi kampion i Belgjikës me 45 pikë, do të fitojë 16 ndeshje, barazojë 7 dhe humbasë 4, me golavarazh 62-12. Pas tij në renditje ishte Sharlëua me 40 pikë dhe dy klube me emër si Anderleht dhe Bryzh me 36 pikë. Antal Nagi është shënuesi më i mirë me 20 gola, por nuk do të jetë kundër 17 Nëntorit. Standardi sapo kishte nisur një cikël fitues me 5 vite radhazi kampion në Belgjikë, duke e filluar nga viti 1968.
Në Kupën e Kampioneve, pas 17 Nëntorit, në turin e dytë, Standardi do të eliminojë edhe Realin e Madridit (1-0 dhe 3-2), për t’u mposhtur më pas në turin e tretë nga Lidsi, me dy humbje 1-0. Standardi ishte skuadër shumë fizike, që aplikonte presingun me një futboll modern për kohën. Në portë ishte Christian Piot, ndërsa mbrojtësa Jean Thissen, Nico Deualque, Leon Jeck and Jacky Beurlet, mesfushorët Uilfried Van Moer, Louis Pilot, Henri Depireux, Roger Henrotay dhe sulmuesit Erëin Kostedde, Silvester Takaç, Milan Galiç, Ludovit Cvetler dhe Leon Semeling.
STËRVITJA NË BUDAPEST DHE NDESHJA NË LIEZH
Në shtatorin e vitit 1969, futbolli shqiptar rikthehet në Europë me 17 Nëntorin si kampion i dhjetorit të vitit 1968. Në pragsfidë kundër Standardit si përforcim merren portieri Jani Rama dhe mesfushori Gani Xhafa, të dy të Dinamos, por gjithashtu Panajot Pano, sulmuesi më popullor e me famë, i njohur botërisht, që luan me Partizanin.

17 Nëntori gjatë një seancë stërvitore para takimit me Standard Liezhin në Budapest të Hungarisë. Nga e majta: N.Xhaçka, G.Xhafa, M.Alla, E.Shehu, P.Pano, B.Ishka, A.Çela, S.Hyka, B.Tafaj, P.Bukoviku. Ulur majtas: O.Mema, Koço Eftiu (shoqërues), L.Bytyçi, G.Kasmi, J.Kazanxhi, J.Rama, P.Dhales, A.Mema.
Me avion fillimisht transit drejt Hungarisë. Mirëpo, 17 Nëntori përpara se ketë si destinacion përfundimtar Liezhin në Belgjikë, qëndron për tri ditë i grumbulluar në kryeqytetin hungarez, Budapest, aty ku i jep dorën e fundit përgatitjeve për ndeshjen në Kupën e Kampioneve.

Lojtarët bardheblu gjatë stërvitjes në Budapest
I grumbulluar në “Nepstadion Hotel”, ekipi shqiptar zhvilloi tri seanca stërvitore në Budapest. Pastaj udhëtoi në Bruksel, ku u sistemua në “Euro Motel”, 30 kilometra larg qytetit.
LIEZH, E MËRKURË 17 SHTATOR 1969
Stadiumi “Sklesen”
STANDARD LIEZH-17 NËNTORI 3-0
GOLAT: Kasmi 24’ (autogol), Depireux 42’, 48’
STANDARD LIEZH: Ch.Piot, J.Thissen, L.Jeck, N.Deualque, J.Beurlet, L.Semeling, L.Pilot, H.Depireux (D.Blaise 64’), S.Takaç, E.Kostede, M. Galiç. Trajner: R.Haus
17 NËNTORI: Tafaj (J.Rama), F.Frashëri (G.Xhafa), Dhales, Kasmi, Bukoviku, Kazanxhi, Mema, Bytyçi, Hyka, Pano (Xhaçka), Ishka (Çela).
ARBITËR: A.Lentini (Maltë);
SHIKUES: 26.000
Është ora 20:00 dhe një ekip shqiptar luan për herë të parë kundër klubit të futbollit të fortë belg. Në portë me emrin e Bujar Tafajt, i dëmtuar në dorë, luan Jani Rama dhe me emrin e Fatmir Frashërit, që nuk shkon në Belgjikë, aktivizohet Gani Xhafa, por që mbahet në heshtje nga shtypi shqiptar i kohës.
Ka kontestime për arbitrimin, sidomos për golin e dytë të belgëve. 17 Nëntori mund të kishte kaluar në avantazh në minutën e 12-të, nëse Ishka, pas një kombinimi me Panon, do t’ia kishte pasuar topin atij, që ishte krejtësisht i pambuluar.
Arbitri maltez, Lentini, tejet tendencioz nuk dënoi lojën e ashpër të belgëve, as faullin e qëllimshëm ndaj Panos, që u godit nga mbrapa në minutën e 20-të dhe u dëmtuar rëndë. Mjeku Panajot Boga e konstatoi dëmtimin, por vetëm në 65-ën, në pamundësi për ta vazhduar lojën u zëvendësua nga Xhaçka.
TIRANË, E MËRKURË 1 TETOR 1969
Stadiumi “Qemal Stafa”
17 NËNTORI-STANDARD LIEZH 1-1
GOLAT: Kazanxhi 89’/ Galiç 60’
17 NËNTORI: Rama, Kasmi, Frashëri, Dhales, Xhaçka (A.Çela 60’), A.Mema, J.Kazanxhi, B.Ishka, S.Hyka, L.Bytyçi, P.Bukoviku. Trajner: M.Alla
STANDARD LIEZH: Ch.Piot, J.Thissen, L.Pilot, N.Deualque, J.Beurlet, L.Jeck, S.Takaç, H.Depireux, M.Galiç, E.Kostedde, L.Cvetler. Trajner: R.Haus
ARBITËR: G.Schulenburg (Gjermani);
SHIKUES: 16.000
Ndryshe nga Liezhi, në ndeshjen e kthimit në stadiumin “Qemal Stafa” më 1 tetor 1969, portieri Rama aktivizohet me emrin e tij, ndërsa Frashëri rikthehet në formacion, por mungon i shumëprituri Pano, që është i dëmtuar. Është ora 14:00 dhe loja nis me një kombinim Hyka-Ishka, me goditjen e këtij të fundit që përfundon jashtë. Në minutën e 20-të, kapiteni Bukoviku jep një pasim që kalon para portës, por askush nuk e godet topin për në rrjetë.
Kazanxhi e Mema humbasin nga një rast për të shënuar. Belgët, të rreshtuar mirë në mbrojtje, realizojnë atëherë kur pritej goli i bardhebluve. Galiç shënon me kokë pas një goditjeje dënimi nga e majta. Goli i 17 Nëntorit erdhi në minutën e 89-të. Kazanxhi i ndodhur në zonë, i pambuluar qetësisht, realizon nga afër për 1-1. Për Kazanxhiun ky është goli i parë i shënuar në këtë turne, por jo i fundit. Pas ndeshjes, lojtarët dhe drejtuesit kritikohen rëndë lidhur me shfaqjet antisportive, përfshi edhe indiferentizmin apo mungesën e mobilizimit në lojë.
PANORAMASPORT.AL













