EKSKLUZIVE/ Zbulohet çfarë mban peng rinovimet e Elbasanit me tre protagonistë të sezonit historik, dyshime për vijimin e tyre në klub

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 6, 2026 | 18:10

EKSKLUZIVE/ Zbulohet çfarë mban peng rinovimet e Elbasanit me tre protagonistë të sezonit historik, dyshime për vijimin e tyre në klub

Sezoni i kaluar do të mbetet gjatë në kujtesën e tifozëve verdheblu. Arritja e një rezultati historik me vendin e dytë në kampionat dhe sigurimi i pjesëmarrjes në kupat e Europës kanë ngritur ndjeshëm profi lin e Elbasanit, por njëkohësisht kanë sjellë edhe sfida të reja për drejtuesit e klubit.

ELBASANI

Pas një edicioni të suksesshëm, disa prej futbollistëve më të spikatur të skuadrës kanë hyrë në negociata për rinovimin e kontratave, duke kërkuar një rritje të konsiderueshme të pagave. Pikërisht performanca e tyre gjatë sezonit dhe fakti që Elbasani do të luajë në arenën europiane kanë bërë që këta lojtarë ta konsiderojnë momentin aktual si më të përshtatshmin për të përmirësuar kushtet financiare. Suksesi i arritur ka tërhequr gjithashtu vëmendjen e klubeve të tjera, si brenda ashtu edhe jashtë vendit.

Kjo situatë ka rritur vlerën e futbollistëve në treg dhe ka forcuar pozitat e tyre në negociata. Për drejtuesit e Elbasanit, sfida kryesore mbetet ruajtja e ekuilibrit mes shpërblimit të meritave sportive dhe mbajtjes së një strukture të qëndrueshme fi nanciare.

TRESHJA NË DYSHIM – Mes emrave më të rëndësishëm që ende nuk kanë arritur një marrëveshje me klubin janë portieri Martin Janaçek, si dhe mesfushorët Xhonatan Lajthia dhe Karim Loukili. Të tre konsiderohen pjesë kyçe e projektit të Elbasanit dhe kanë dhënë një kontribut të rëndësishëm në rrugëtimin drejt titullit të nënkampionit. Janaçek ishte një nga pikat më të forta të skuadrës gjatë sezonit, duke shpëtuar ekipin në shumë ndeshje vendimtare me pritjet e tij.

Ndërkohë, Lajthia dhe Loukili luajtën një rol të rëndësishëm në organizimin e lojës në mesfushë, duke garantuar ekuilibër dhe kreativitet në repartin më të rëndësishëm të ekipit. Megjithatë, negociatat mes palëve nuk kanë avancuar me ritmin e pritur. Burime pranë klubit bëjnë me dije se futbollistët kanë pretendime financiare që aktualisht konsiderohen të larta nga drejtuesit verdheblu, duke bërë që palët të mos gjejnë ende gjuhën e përbashkët. Në këtë fazë, asnjëra palë nuk ka mbyllur derën për një marrëveshje. Bisedimet vazhdojnë dhe ekziston optimizëm i kujdesshëm se mund të gjendet një kompromis që do t’i kënaqte të dyja palët përpara nisjes së sezonit të ri.

PAGA TAVAN – Nga ana tjetër, drejtuesit e Elbasanit nuk dëshirojnë të devijojnë nga politika fi nanciare që kanë ndjekur gjatë viteve të fundit. Edhe pse pjesëmarrja në kupat e Europës pritet të sjellë të ardhura shtesë, klubi nuk synon të hyjë në një garë pagash që mund të ndikojë në stabilitetin ekonomik afatgjatë. Për këtë arsye, është vendosur një tavan financiar për kontratat e reja, një limit që drejtuesit nuk kanë ndërmend ta tejkalojnë.

Kjo ka bërë që bisedimet me disa prej lojtarëve kryesorë të mbeten të hapura, ndërsa diferenca mes ofertës së klubit dhe kërkesave të futbollistëve vazhdon të jetë e konsiderueshme. Drejtuesit besojnë se modeli i ndërtuar deri tani ka qenë një nga arsyet kryesore të suksesit të klubit. Ata argumentojnë se rritja e menjëhershme dhe e pakontrolluar e shpenzimeve mund të krijojë probleme në të ardhmen, ndaj çdo vendim po merret me kujdes të madh. Përveç rinovimeve, klubi po punon edhe për afrimin e disa përforcimeve që do të rrisin konkurrencën në skuadër. Megjithatë, prioritet absolut mbetet zgjidhja e çështjeve kontraktuale me lojtarët që kanë qenë protagonistë gjatë sezonit të kaluar.

DITË VENDINTARE – Pavarësisht ngërçit aktual, palët pritet të vazhdojnë negociatat gjatë javëve në vijim. Elbasani dëshiron të ruajë bërthamën e skuadrës që arriti suksesin historik, ndërsa lojtarët kërkojnë të shpërblehen sipas nivelit të treguar në fushë dhe ambicieve të reja europiane të klubit. Në prapaskenë po zhvillohen kontakte të vazhdueshme mes përfaqësuesve të futbollistëve dhe drejtuesve të klubit. Të dyja palët janë të vetëdijshme se koha nuk pret, pasi përgatitjet për sezonin e ri dhe ndeshjet europiane kërkojnë një grup të konsoliduar dhe të qartë për objektivat që do të ndiqen.

Ditët e ardhshme pritet të jenë vendimtare për të kuptuar nëse Janaçek, Lajthia dhe Loukili do të vazhdojnë të jenë pjesë e projektit verdheblu, apo nëse interesimi i mundshëm nga klube të tjera do t’i komplikojë edhe më shumë negociatat. Nëse arrihet marrëveshja, Elbasani do të ketë një bazë të fortë mbi të cilën mund të ndërtojë aventurën europiane dhe të synojë rezultate të tjera historike. Në të kundërt, klubi mund të detyrohet të kërkojë alternativa në merkato, duke hapur një kapitull të ri në ndërtimin e skuadrës për sezonin e ardhshëm.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL