Tre vëllezër në një skuadër! Iliria ndez motorët, Smajli kërkon elitën
Dje pasdite, në orën 18:00, në stadiumin “Redi Maloku” të KF Ilirisë në qytetin e Fushë-Krujës, ekipi i futbollit të këtij qyteti nisi fazën përgatitore për sezonin e ri 2026-27, me synime më madhore se një vit më parë.

Iliria kërkon që të ndërtojë këtë sezon të ri një skuadër edhe më konkurruese në Kategorinë e Parë, pas asaj paraqitjeje mjaft pozitive që bëri në edicionin e kaluar, ku siguroi fazën “Play-Off” dhe ishte shumë pranë ëndrrës për t’u ngjitur në Superiore.
Tashmë, e mbështetur nga kjo eksperiencë, drejtuesit kanë rikthyer në krye të pankinës trajnerin Dritan Smajli dhe ndihmësin e tij Elidon Topi, që vjen nga klubi i Vorës. Ata po punojnë së bashku intensivisht në merkato për të forcuar edhe më shumë organikën e skuadrës.
OBJEKTIVI – Këtë sezon objektivi i tyre është më se i qartë, krijimi i një skuadre cilësore dhe më konkurruese, duke ruajtur boshtin, që të jetë e aftë të luftojë sërish në zonën e kreut e, pse jo, të pretendojë edhe për të shkruar me gërma të arta historinë e këtij klubi, për të realizuar atë ëndërr të madhe, ngjitjen në Superiore, duke pasur në favor edhe formulën e re me shtimin e skuadrave. Ata kanë nisur rrugëtimin e ri me fazën përgatitore, e cila u çel zyrtarisht nën bekimin e presidentit të klubit, Nazmi Selmani:
“Është rast unikal në botë e ndoshta për “Librin Guinness”, ku në skuadër luajnë së bashku tre vëllezër. Baza e ekipit mbetet ruajtja e grupit të vjetshëm, për të dhënë një kontribut edhe më të madh se në sezonin e kaluar, pasi kanë cilësitë dhe virtytet e eksperiencës së tyre. Ne, me punën tonë, po tregojmë se edhe në qytetet e vogla punohet, kontribuohet dhe s’besoj se ka ndonjë ekip ku babai president dhe tre djemtë e tij japin gjakun në fushë së bashku me shokët e vet, duke arritur rezultate të kënaqshme brenda një kohe fare të shkurtër.

Kemi besim në garën e pastër dhe kjo na nxit të punojmë akoma më shumë për të treguar veten dhe pretendimet tona. Kemi ndikuar shumë edhe në infrastrukturë, ku stadiumi tashmë ka një tjetër pamje dhe dëshira për të parë një ndeshje është rritur prej kushteve optimale që kemi krijuar”, tha ai. Më pas folën edhe trajneri Dritan Smajli dhe zëvendësi i tij Elidon Topi, të cilët shfaqën dëshirën për të bashkëpunuar me presidencën në realizimin e objektivave të klubit.
Më pas skuadra u shpërnda në nisjen e seancës së parë stërvitore, ku të pranishëm ishin gati 80 për qind e futbollistëve në dispozicion. Në kuadër të kësaj strategjie, Iliria ka zyrtarizuar dy afrime mjaft të rëndësishme, siç është mbrojtësi gjirokastrit Vasil Tuni, 23 vjeç, si dhe sulmuesi nga Kepi i Gjelbër, Ibrahim Romeo Olola, 21 vjeç, i cili vjen pas një përvoje në futbollin shqiptar, ku ka zhvilluar 77 ndeshje në Kategorinë e Parë, duke shënuar 7 gola dhe duke dhuruar 5 asiste.
ABDULLA DUSHKU – PANORAMASPORT.AL













