EKSKLUZIVE/ Vllaznia bën goditjen e radhës në merkato, arrin marrëveshjen me ish-futbollistin e Tiranës
Vllaznia vijon të lëvizë në merkaton e verës dhe, sipas asaj që mëson “Panorama Sport” në mënyrë ekskluzive, kuqeblutë kanë realizuar goditjen e radhës. Bëhet fjalë për Amin Tahirin, futbollistin shkodran që shumë shpejt pritet t’i bashkohet skuadrës së drejtuar nga Edi Martini. Marrëveshja mes palëve është arritur dhe tashmë mbetet vetëm zyrtarizimi, me 21-vjeçarin që do të nisë një aventurë të re në qytetin e tij të lindjes.

Tahiri është një futbollist ofensiv, i cili mund të aktivizohet si mesfushor i avancuar, por edhe në rolin e sulmuesit të dytë. Pikërisht fleksibiliteti i tij ka bindur drejtuesit e Vllaznisë, të cilët prej kohësh ishin në kërkim të një lojtari me cilësi teknike dhe aftësi për të krijuar epërsi në fazën sulmuese. Me afrimin e tij, trajneri Martini fiton një alternativë më shumë në repartin ofensiv, aty ku skuadra kishte nevojë për më tepër konkurrencë.
Karriera e Tahirit ka nisur në Itali, ku ai është formuar në akademinë e njohur të Torinos, një nga shkollat më prestigjioze të futbollit italian. Më pas ai ka vijuar rrugëtimin si profesionist me skuadra si Feralpisalò, Slovan B dhe Brinje, duke grumbulluar eksperiencë në kampionate të ndryshme europiane. Në sezonin 2024-2025 ai pati edhe një eksperiencë të shkurtër në futbollin shqiptar me Tiranën, përpara se të rikthehej jashtë vendit.
Tashmë, për herë të parë në karrierën e tij, Amin Tahiri do të veshë fanellën e Vllaznisë, skuadrës së qytetit ku është lindur. Për 21-vjeçarin kjo është një sfidë me domethënie të veçantë, pasi do të ketë mundësinë të përfaqësojë klubin e zemrës para tifozëve shkodranë. Nga ana tjetër, kuqeblutë shpresojnë që talenti dhe potenciali i tij të shndërrohen në një armë shtesë për objektivat e sezonit të ri.
Me afrimin e Tahirit, merkatoja e Vllaznisë vazhdon të marrë formë dhe sinjalet janë se drejtuesit nuk e konsiderojnë ende të mbyllur punën. Sipas informacioneve të “Panorama Sport”, klubi shkodran vijon të jetë aktiv në treg, me synimin për të kompletuar skuadrën me elementë cilësorë përpara startit të kampionatit, në mënyrë që Edi Martini të ketë në dispozicion një grup sa më konkurrues për sezonin 2026-2027.
ENDRI ÇINARI-PANORAMASPORT.AL













