Kristian Prenga, boksieri kuqezi në sfidën e jetës. Nis numërimi mbrapsht për duelin kundër Antoni Xhoshuas
Tashmë ka nisur numërimi mbrapsht. Mbrëmjen e së shtunës, më 25 korrik, do të zhvillohet dueli i shumëpritur i peshave të rënda ndërmjet Antoni Xhoshuas dhe boksierit shqiptar Kristian Prenga.
Xhoshua rikthehet në ring me synimin për të hedhur një hap vendimtar drejt një supersfide britanike me Tajson Furin. Megjithatë, fillimisht ish-kampioni i peshave të rënda duhet të kalojë pengesën Kristian Prenga (20 fitore, 1 humbje, 20 me nokaut). Xhoshua (29 fitore, 4 humbje, 26 me nokaut) ngjitet në ring për herë të parë pas aksidentit tragjik automobilistik ku humbën jetën dy prej miqve të tij.
Përballja mes Xhoshuas dhe Prengës do të zhvillohet në Riad të Arabisë Saudite. Kjo sfidë shënon pikën me kulmore të karrierës për Prengën, emri i të cilit surprizoi jo pak tifozë të boksit kur u konfirmua si kundërshtari i radhës i Xhoshuas. Boksieri nga Mirdita, 1.96 metra i gjatë, ka fituar 20 nga 21 ndeshjet e zhvilluara në karrierë. Të gjitha fitoret e tij kanë ardhur me ndërprerje para fundit të raundeve (nokaut ose TKO), ndërsa humbjen e vetme e ka pësuar me pikë në një duel me tetë raunde, në fillimet e karrierës.
Përballja me Xhoshuan përfaqëson sfidën më të madhe të karrierës së Prengës. Kundërshtari i tij i fundit ishte amerikani Xho Xhons, ndërsa më parë ai mposhti Brendon Karmak. Në Mbretërinë e Bashkuar, eventi do të transmetohet drejtpërdrejt në platformën DAZN përmes sistemit “Pay-PerView” (PPV). Ai mund të ndiqet gjithashtu edhe nga abonentët e paketës “Ultimate Tier” të DAZN. Organizatorët ende nuk kanë konfirmuar orarin e hyrjes në ring për ndeshjen kryesore, si edhe orën e nisjes së eventit.
ÇFARË ËSHTË NË LOJË? Për Antoni Xhoshuan, fitorja ndaj Kristian Prengës mund t’i hapë rrugën një dueli të shumëpritur me Tyson Fury. Sipas raportimeve, marrëveshja për këtë përballje është arritur tashmë me mbështetjen e Turki Alalshikh, kreut të Autoritetit të Përgjithshëm të Argëtimit të Arabisë Saudite. Megjithatë, vazhdon debati mes Dana Uajt dhe Edi Hërn për të drejtat promovuese të eventit, ndërsa ende nuk është vendosur zyrtarisht vendi ku do të zhvillohet supersfida.
Në Britani e konsiderojnë formalitet fitoren e boksierit të tyre kundër Kristian Prengës, ndërsa fokusi i tyre është te dueli Xhoshua-Furi, i cili parashikohet të zhvillohet në muajin nëntor, duke i dhënë fund një sage që zgjat prej afro një dekade. Nga ana tjetër, Tajson Furi pritet të përballet me Mariush Vah në Tajlandë një natë përpara ndeshjes Xhoshua-Prenga. Nëse Furi fiton siç pritet, vëmendja do të zhvendoset te Xhoshua, i cili synon një fitore bindëse ndaj boksierit shqiptar. Për Xhoshuan, kjo ndeshje shënon gjithashtu rikthimin në ring pas tragjedisë ku humbën jetën miqtë e tij, Sina Ghami dhe Latif Ayodele. Ndërsa për Kristian Prengën, kjo është mundësia më e madhe e karrierës. Një fitore ndaj Xhoshuas do ta shndërronte atë nga një emër pak i njohur në skenën botërore të boksit në një nga surprizat më të mëdha të viteve të fundit.
ARTIN LLESHAJ-PANORAMASPORT.AL













