Tërbuni nis përgatitjet, synimi është rikthimi në Kategorinë e Parë
Tërbuni ka zbritur në fushë për të nisur përgatitjet në kuadër të sezonit të ri futbollistik 2026/27. Skuadra pukjane ka zhvilluar seancat e para stërvitore, duke hedhur bazat për një kampionat ku objektivi kryesor mbetet rikthimi në Kategorinë e Parë.

Në krye të ekipit është emëruar trajneri Xhynei Çutra, një emër i njohur për tifozët pukjanë. Ish-mesfushori ka qenë pjesë e brezit që e ngjiti Tërbunin në elitën e futbollit shqiptar dhe tani rikthehet në klub, këtë herë në rolin e trajnerit, me synimin për ta rikthyer ekipin në nivelet ku ka qenë dikur. Një zhvillim i rëndësishëm për klubin është edhe ndryshimi në strukturën e administrimit.
Kryetari i Bashkisë së Pukës, Rrok Doda, ka arritur një marrëveshje me biznesmenin Elvis Veizi, me origjinë nga Pogradeci, por që jeton dhe ushtron aktivitetin e tij në Tiranë. Sipas marrëveshjes, Veizi do të zotërojë 51% të aksioneve të klubit, ndërsa 49% do të mbeten në pronësi të Bashkisë. Kryebashkiaku Doda ka falënderuar biznesmenin për angazhimin fi – nanciar në mbështetje të Tërbunit, ndërsa Veizi ka bërë të qartë se objektivi i projektit të ri është rikthimi i skuadrës pukjane në Kategorinë e Parë.
Nga ana e tij, Doda i ka uruar suksese trajnerit Çutra në këtë detyrë të re, duke kujtuar kontributin e tij të mëparshëm si futbollist i Tërbunit dhe duke shprehur besimin se ai mund ta udhëheqë skuadrën drejt realizimit të objektivave të sezonit.
Gani Pema – PANORAMASPORT.AL













