“Kori për Shqipërinë nga tifozët e Leçes me emocionon”, Ramadani rrëfen eksperiencën italiane: Ja çfarë parashikova për Europianin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 16, 2024 | 22:23

“Kori për Shqipërinë nga tifozët e Leçes me emocionon”, Ramadani rrëfen eksperiencën italiane: Ja çfarë parashikova për Europianin

Ylber Ramadanit i është dashur pak kohë që të kthehej në një futbollist të paprekshëm në radhët e Leçes. Mesfushori shqiptar iu bashkua këtij klubi në verë dhe u bë menjëherë një nga emrat më të rëndësishëm të klubit i cili siguroi mbijetesën në Serinë A pa shumë vështirësi.

RAMADANI

Nuk është rastësi që pikërisht Ramadani është përzgjedhur nga “DAZN’ për një intervistë ku ka treguar këtë eksperiencë të tij në Serinë A, duke u ndalur sigurisht edhe te Euro 2024.

“Nëse do më kishin thënë që do të kishim mbijetuar me tre ndeshje para fundit të kampionatit, do të kisha firmosur menjëherë. Sigurisht do të kishim merituar më shumë pikë dhe me raste kemi qenë të pafat, por jemi treguar të aftë dhe kemi arritur një rezultat të madh. Tani duam ta mbyllim mirë para tifozëve tanë” e nisi Ramadani bashkëbisedimin e tij, teksa më pas pyetet se si u përshtat kaq shpejt duke marrë vendin e një lojtari të rëndësishëm për Leçen, si Hjulmand.

“Kur fola me Korvinon, më tha se është një rol i rëndësishëm në të cilin duhej të bëja mirë. E dija që Hjulmand ishte një lojtar i fortë, i preferuar i publikut. Unë u përkushtova menjëherë dhe e dija që mund të bëja mirë.

Që nga ndeshja e parë dhe deri te e fundit kam ndjerë gjithmonë ngrohtësinë dhe dashurinë e tifozëve, janë fantastikë dhe më kanë qëndruar gjithmonë pranë.. E dëgjoj shpesh edhe korin “Albania alè” dhe është shumë i bukur, më emocionon, ndonëse pastaj përqendrohem gjithmonë në fushë pasi dua të fitoj”, tha ai, duke u ndalur te jeta private që bën në Salento.

“Klima është shumë e bukur, në Shqipëri është shpesh temperatura 10-15 gradë, ndërsa këtu është 25 apo 30 dhe mund të bësh plazh. Ndjehem shumë mirë këtu me familjen time. Prindërit e mi, kur luaja në Skoci apo Hungari, nuk vinin kurrë të më takonin. Këtu vijnë dhe ndalen edhe për një muaj. Pastaj ushqimi është fantastik, unë adhuroj linginit me fruta deti”, theksoi Ramadani i cili tregoi edhe sekretet e dhomave të zhveshjeve te Leçes.

“Flasim shtatë gjuhë, nga anglishtja, te ballkanaset, te frëngjishtja. Me siguri mëson shumë kushdo vjen në dhomat tona të zhveshjeve. Mes nesh ka gjithmonë mënyra për t’u kuptuar, pastaj nëse jemi jashtë për të ngrënë pica, për fat tani është edhe Google Translate. Sidomos Banda e bën këtë gjë. Unë jam gjithmonë bashkë me Berishën, ndërsa më simpatiku është Krstoviç, bën gjithmonë rrengje”, tha Ramadani.

ramadani

Nuk mund të mungonte edhe komenti për Shqipërinë në Europian. “Për mua, të luaj Europianin me Shqipërinë është një ëndërr. Në vitin 2016 luaja në Kosovë dhe sot vesh fanellën e Kombëtares, një ëndërr që kam që kur isha fëmijë e luaja fillimisht në Gjermani e më pas në kthimin në origjinën time kosovare. Prindërit dhe vëllezërit e mi janë shumë krenarë për këtë. Në Europian do të kemi përballë edhe Italinë, do të mundohemi të bëjmë maksimumin por ata janë me të vërtetë të fortë. Ashtu si edhe Spanja dhe Kroacia. Një herë i kam thënë Pongraçiç që ne dhe Italia do të kualifikohemi ndërsa Spanja dhe Kroacia do të eliminohen”, tregoi Ramadani parashikimin e tij.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"