HISTORIA PËRMES GAZETARISË: 40 VJET MË PARË / Sfida e kampionatit të Shqipërisë ndaj atyre të Gjermanisë, Austrisë e Turqisë (PJESA IV)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 12, 2024 | 22:31

HISTORIA PËRMES GAZETARISË: 40 VJET MË PARË / Sfida e kampionatit të Shqipërisë ndaj atyre të Gjermanisë, Austrisë e Turqisë (PJESA IV)

Nga BESNIK DIZDARI
KAPITULLI IV: 1-0 TURQISË DHE SYNIMI I MADH
1.
Nga 29 marsi 1983 e ndeshjes Shqipëria – Gjermania 1-1 e 10 majit 1983 për te Shqipëria – Austria 1-0, sporti shqiptar gati po mbante frymën. Ndonëse nuk mund të themi se kjo shfaqej përmes faqeve të shtypit. Siç po ndodh sot, kur për kualifikimin e Shqipërisë për finalet e “Euro 2024”, sidomos televizionet, nuk po pushojnë asnjë ditë. Eufori e pandalshme kjo, që ndoshta meriton patjetër një shkrim analitik, pse jo edhe kritik. Kështu, ndeshjet e mëdha të “Shpresës” 1983, më tepër se në media, mbizotëronin në bisedat e pafund në rrethe e qarqe të mjedisit publik sportdashës. Dhe disi papritmas, dy njerëz, trajnerët Ramazan Rragami e Petraq Ikonomi ishin bërë fort të rëndësishëm.

* 19 NËNTOR 1983. RF Gjermane – Shqipëria 1-1. Edhe në këtë kapitull, një foto tjetër e rrallë nga ndeshja kulminante në Trier të Gjermanisë prej arkivit të autorit të shkrimit. Me këtë vrapim elegant do të gëzonin lojtarët e “Shpresës” më 19 nëntor 1983. Nga e majta: Hodja, Braho, Demollari, Canaj, Vila, Liti, Josa, Jera...

* 19 NËNTOR 1983. RF Gjermane – Shqipëria 1-1. Edhe në këtë kapitull, një foto tjetër e rrallë nga ndeshja kulminante në Trier të Gjermanisë prej arkivit të autorit të shkrimit. Me këtë vrapim elegant do të gëzonin lojtarët e “Shpresës” më 19 nëntor 1983. Nga e majta: Hodja, Braho, Demollari, Canaj, Vila, Liti, Josa, Jera…

Ndërkaq, duke iu kthyer këtij Kapitulli IV të tregimit tonë, ashtu si në tre të parët, po përshkohemi në kronikën disi telegrafike të asaj çka ndodhte në ditët sportive të Shqipërisë brenda atyre 40 ditëve radhazi, nga prilli në maj.

Ngjarja e parë e bujshme është vizita befasuese në Shqipëri e presidentit të FIFA-s Joao Havelange. Ishte i pari president i FIFA-s, madje i të gjitha organizatave drejtuese të sportit botëror, që vizitonte Shqipërinë. Interesante është se ai ishte ftuar nga Shqipëria. Ndërkohë, më duhet të them se kryetari i Komitetit të KP të BFSSH, ndryshe kryetar i Komitetit të Kulturës Fizike e Sporteve, Mehdi Bushati, njëkohësisht kryetar i Komitetit Kombëtar Olimpik Shqiptar, tejet më i afërt me lartësitë e pushtetit të asokohe, ka një meritë parësore për këtë ftesë. (Të gjithë këto emërtime të papara sporti shqiptar prej vitesh ia blatonte njeriut që drejtonte sportet në Shqipëri). Natyrisht, pa harruar as Federatën Shqiptare të Futbollit me në krye presidentin e saj, që asokohe quhej kryetar, Kristaq Miço.

Kështu apo ndryshe, ashtu siç qe e papritur vizita e Havelange-it, po aq e papritur ishte gjysmëheshtja, siç mund të përcaktoj, ndaj vizitës së tij. Nuk pati asnjë bujë. Porosia ishte që të mos i bëhej jehonë. Gjithçka mjaftohet me një lajm të rrufeshëm të ATSHsë prej nja vetëm 30 radhësh, botuar edhe në faqen e parë të “Sportit Popullor” për pritjen që i bën atij zëvendëskryeministri Manush Myftiu për te një “bisedë miqësore”, siç thotë ky lajm zyrtar. Ku ndodhej edhe zëvendësministri i Punëve të Jashtme Sokrat Plaka dhe kryetari i Komitetit të Kulturës Fizike e Sporteve Mehdi Bushati. Çka pason me një tjetër pritje, thuajse të rrufeshme, kësaj radhe në Ministrinë e Arsimit dhe të Kulturës, një vizitë e tij në Muzeun Kombëtar dhe në ndonjë objekt sportiv. Natyrisht pa u përmendur se kryeredaktori i “Sportit Popullor” pati një takim informal prej disa sekondash (!) me të në këmbë në hollin e Hotel Dajtit.

Kaq. Asgjë më tepër, pra. Dhe ec e merre vesh përse presidenti i FIFA-s u ftua nga Shqipëria, dhe përse vizita e tij thuajse të dukej se u mbajt asisoji e fshehtë!

Kjo ishte Shqipëria komuniste, e izoluar që bënte sikur nuk ishte tillë…

Ndërkohë, në “vendin e shqiponjave”, siç këndohej tash e parë, vazhdonte për bukuri të zhvillohej një nga kampionatet kombëtare më tërheqëse të futbollit që ishte parë ndonjëherë. Mbas Javës 22 plot 7 skuadra kryesonin kështu: Partizani 29 pikë, Vllaznia 27, 17 Nëntori 27, Flamurtari 26, Luftëtari 25, Dinamo 23, Lokomotiva 23. Janë vetëm 6 pikë ndryshim nga vendi i parë për deri te vendi i 7-të. Mandej vinin 7 skuadra të tjera ku ajo e fundit, Besëlidhja e Lezhës, kishte 14 pikë. Ky ishte kampionati ynë i fuqishëm me plot 14 skuadra që aq fort na mungon sot.

Ndërkohë, Shqipëria fiton 7-3 në peshëngritje me Turqinë në Ankara me përgjegjës ekipi Bahri Axhemin, kryetar i Komitetit të Kulturës Fizike e Sporteve të Shkodrës. Ishte një Kombëtare e peshëngritjes kjo, e drejtuar prej trajnerëve Ferid Berberi e Niko Buneci me peshëngritës në nivelit europian siç ishin A.Haxhihyseni, P.Ferruni, M.Berisha, A.Loli, A.Kondo, E.Nikolla, M.Hakani, G.Nushi, A.Belinova. E nga mbrenda vendit, në garën kombëtare të çiklizmit Shkodër – Durrës, 123 kilometra, Brahim Sykja i Vllaznisë arrin një rezultat rekord të nivelit ndërkombëtar duke i përshkuar për 2 orë e 59 minuta.

Dhe i kthehemi futbollit ndërkombëtar. Njoftohet se “Shpresa” e Gjermanisë fiton 3- 0 në Turqi, por Shqipëria vazhdon të mbajë vendin e parë në grup.

Në atletikën e lehtë, Klodeta Gjini, nën drejtimin e trajnerit Azis Ruli, arrin rekordin kombëtar në 1.87 metra në kërcimin së larti në Kupën “Asim Vokshi” zhvilluar në Shkodër. Me rezultatin e saj të paimagjinueshëm për Shqipërinë, ajo po i thoshte Europës se Shqipëria ka atletë të mëdhenj. Dhe nuk do të ndalonte këtu, kur kujtojmë se më 1989 do të arrinte rekordin 1.92, që sot mbas 35 vjetëve na duket padyshim legjendar. Rezultat ky që sot nuk po guxon ta mbërrijë as edhe një atlet mashkull në kampionatin kombëtar të atletikës së lehtë. E, kësisoj përmendjesh kronikale të sportit shqiptar të 40 vjetëve më parë, vërtet janë tronditëse…

Dhe Kombëtarja e Shqipërisë që humbet 1-0 në Belfast me Irlandën e Veriut në ndeshjen e radhës për kampionatin europian, teksa në Tiranë shpallen 10 Mjeshtra të rinj të Sporteve: M.Ibrahimi, F.Podgorica e L.Duka në volejboll për femra; Sh.Uka në volejboll për meshkuj; K.Dybeli në qitje; P.Ferruni, A.Loli dhe E.Nikolla në peshëngritje; V.Xheri në atletikë të lehtë; I.Karkanaqe në shah. Ndoshta sot kjo të duket diçka e vogël, por në atë kohë ishte një nder i madh kombëtar.

Dhe buja e volejbollit: Traktori i Lushnjës i përbërë nga vajzat e Krutjes fiton 3-2 me Dinamon europiane në volejboll për femra. Do të renditej i katërti në kampionat, duke lënë mbrapa Elbasanin, Vlorën, Partizanin, Vllazninë. Ky është rasti i vetëm në historinë e sportit shqiptar ku skuadra e një fshati, që asokohe përmendej jo si fshat, por si “kooperativë bujqësore”, është ndër më të mirat e vendit. Trajneri i ishte Llazar Llupo.

Sidoqoftë Dinamo me trajner Kiço Lenën shpallet kampione e Shqipërisë. Po ashtu, titullin e madh kombëtar e fitojnë edhe Dinamo për meshkuj me trajner Vangjel Koja, 17 Nëntori në basketboll për femra me trajner Vaso Shaka dhe Partizani për meshkuj me trajner Astrit Greva.

2.
Ndërkohë Vllaznia merr kryesimin e kampionatit kombëtar të futbollit me 31 pikë, po aq sa Partizani e 17 Nëntori, duke e elektrizuar luftën për titullin vetëm dy javë para përfundimit. Eshtë një Vllazni trajner i së cilës është, as më pak e as më shumë, veçse njeriu me emrin Ramazan Rragami, ai që po e çonte “Shpresën “ e Shqipërisë në lartësitë e Europës. Do të ishte viti i madh i tij.

Mbërrijmë kështu te “Shpresa” e 10 majit 1983 në ndeshjen e Tiranës ku lind fitorja e ngushtë 1-0 ndaj Turqisë, por sa e çmueshme që ishte ! Ishte një tjetër hap i madh drejt vendit të parë. Shqipëria ruan kryesimin në grup dhe popullariteti i saj merr përmasa të jashtëzakonshme, ndonëse ne si shtyp pra, vazhdojmë të ruajmë gjakftohtësinë e çuditshme të përjetimit të baraspeshuar tejet.

Është një fitore krejt e ngushtë, pra. Por kjo nuk kishte asnjë rëndësi, kur mendoje se kjo ishte fitorja e tretë në 4 ndeshje! Dhe asnjë humbje, por vetëm 1 barazim me Gjermaninë, që kishte vlerën e një mbifitoreje.

Sporti është sport, por Shqipëria më shumë se sportin festonte 100 vjetorin e vdekjes së Karl Marksit dhe propagandonte me bujë me votimin 99.99 përqind të popullit shqiptar në zgjedhjet për këshillat popullore dhe gjykatat popullore. Mandej, duke shpërthyer me kulmin e “festimit madhështor” të 1 Majit, përpara Enver Hoxhës me shokë në eufori të plotë.

Veç për “Shpresën” e futbollit të Shqipërisë nuk kishte vend për asnjë eufori.

Autori i shkrimit të fitores së tretë të “Shpresës” në “Sportit Popullor” është gazetari Bashkim Tufa. Titullon: “Që ‘Shpresa’ të ruajë qëndrueshmërinë e fitoreve”. Prapë thuajse nën tonin kritik, sigurisht jo kritizer. Kështu kishim vendosur. Por shkrimi ka mirëfilli një nivel të lartë, siç do ta lexoni këtu. Asokohe, qëndrimi problematik në shkrimet tona, po bëhej stil më vete. Merita jonë ishte se ne po “shpiknim” një lloj reportazhi kritik, nëse mund të thoshim kështu. Ku kronika e ngjarjes sportive mpleksej me analizën dhe trajtimin problematik që nxirrte vetë ngjarja. Më saktë, do të thosha se shkrime të tilla ishin një analizë kritike. Çka autori i shkrimit në fjalë e realizon në origjinalitetin e tij të pagabueshëm. Asokohe nuk ekzistonin as plagjiaturat, as protagonizmi i autorit. Autori Tufa e nis me pjesën e parë të ndeshjes, me kritikë që gati-gati të duket e pamëshirshme. Për të kaluar mandej në vlerësimin kompetent të lojës së fuqishme të skuadrës sonë në pjesën e dytë, gjithnjë në një kronikë, do të thosha, të mendimit. Duke e mbyllur me paragrafin e një optimizmi të sigurt, teksa shkruan:

“… Ndeshjet e mbetura sigurisht nuk do të jenë të lehta, por as të pakalueshme për ‘Shpresën’ tonë, e cila duke rritur punën e saj, pasionin, duke ndjerë përgjegjësinë e kryesueses së grupit, i ka forcat, mundësitë, për të ruajtur vendin e parë në grup”.

Siguria e matur për të fituar vendin e parë, tashmë po merrte përmasa të tjera.

Madje, deri aty saqë Shqipëria nuk po kishte më frikë as ndaj Gjermanisë së kampionit të botës që ishte trajneri i saj Berti Vogts.

Ajo kishte qenë një ndeshje ku gjithçka e përcakton goli i vetëm i Canajt, i cili në “Sporti Popullor” shfaqet i vetmuar në foton plot stil të fotografit Arqile Dhimitri të faqes së parë. E për fat, kësaj radhe edhe Kombëtarja nuk humbet, teksa të nesërmen barazon 1-1 me Turqinë për Kampionatit Europian. Ndonëse nuk ka më shumë se 2 pikë dhe ndodhet në fund të grupit pa asnjë fitore. Ishte antipodi i “Shpresës”!

Dhe qëndrojmë te protagonistja e tregimit tonë, që është “Shpresa” e mrekullueshme e trajnerëve Ramazan Rragami e Petraq Ikonomi. Dy trajnerë jokryeqytetas, por të cilët me objektivitetin e tyre nxirrnin në fushë një 11-she me plot 5 lojtarë të 17 Nëntorit të Tiranës: Hodja, Lekbello, Josa, Vila, Liti.

Vërtet, çka po ndodhte me këtë përfaqësuese të futbollit shqiptar, e para në gjithë historinë e pjesëmarrjeve euro-botërore të tij, që nuk kishte humbur asnjë ndeshje në të katra? Dhe që kishte guxuar të kryesonte grupin e saj të një Kampionati të Europës përballë tri fuqive të shquara të këtij sporti në kontinent, që ishin Gjermania (RFGJ-ja), Austria dhe Turqia?

Do të vazhdojmë me dy kapitujt e fundit, për t’i dhënë përgjigje edhe kësaj pyetjeje, sidomos në respekt të brezit të ri të sotëm të gazetarisë, sportdashësve, pse jo, edhe të specialistëve. Madje të vetë Federatës së sotme Shqiptare të Futbollit, për t’u bindur edhe ajo se çfarë force të çuditshme kishte ai Kampionat i Shqipërisë i vitit 1983 prej të cilit kishte dalë kjo “Shpresë” e paharrueshme…

* Për vazhdimësi ju kujtojmë tre kapitujt e parë në “Panorama Sport” të 14, 27 dhjetor 2023 dhe 6 janar 2024.

KAMPIONATI EUROPIAN I FUTBOLLIT

Që “Shpresa” të ruajë qëndrueshmërinë e fitoreve

“SHPRESA” E SHQIPËRISË – “SHPRESA” E TURQISË 1:0
E martë, 10 maj, stadiumi kombëtar “Qemal Stafa”, ora 17.30.
“SHPRESA” E SHQIPËRISË: Durimi, Zmijani, Hodja, Lekbello, Dedja, Canaj, Demollari, Jera, Josa (Kushta), Vila, Topçiu (Liti).
TRAJNER: R. Rragami.
“SHPRESA” E TURQISË: Eser, Muzhdat (Tunxhai), K. Shenol, Byniamin, Gyven, Riza, Arif, Ibrahim, Bylent, Mustafa, Ç. Shenol.
TRAJNER: E. Kural
SHËNUES: Canaj 83’.
GJYQTARE: K. Teodoresku, A. Mustëcea, A. George (Rumani):

Ekipi ynë e filloi lojën i tensionuar, me veprime të ngadalshme e gabime të shumta, pothuaj në të gjitha repartet. Mbrojtësit luajtën tepër të hapur. Për pasojë që në minutat e para, Hodja e Lekbello gabojnë në vendosje dhe sulmuesit turq me anë të Ibrahimit mund të kalonin në avantazh, por ky me kokë gjuan jashtë. Po kështu edhe Zmijani e Dedja nuk orientohen drejt me kundërshtarët e tyre dhe gabojnë në pasime. Ndërsa mesi i fushës paraqitet pothuaj i paralizuar. Demollari, të cilit i ishte ngarkuar roli kryesor në organizimin e sulmit, e mban shumë topin dhe nuk ka qartësi në veprime. Jera nuk u mor me këtë detyrë. Canaj përpiqet diçka më shumë, por dhe loja e tij ka ngutje e për pasojë edhe gabime. Kështu që sulmi pothuaj ndërmerr aksione sporadike e pa forcën e duhur konkluduese.

Në ato raste që u krijuan, Vila është i pasaktë përpara portës dhe nuk arrin të shënojë. Topçiu vepron i shkëputur nga shokët, ndërsa Josa nuk ka iniciativën e duhur për të goditur portën kundërshtare. Pra, me pak fjalë, në pjesën e parë, loja e skuadrës sonë ishte e ngadaltë, pa ritëm, pa vrull, e palidhur dhe e paqartë, ku vërtet spikaste dëshira për të shënuar, por pa ditur sesi. E në një gjendje të tillë askush nga futbollistët tanë nuk kishte mundësi të merrte në dorë frenat e lojës dhe të zgjonte shokët. E kundërta ndodhi me skuadrën turke e cila vinte në këtë ndeshje me një formacion gati të ri. Pas një hezitimi në minutat e fillimit, ata fillojnë të luajnë më lirshëm e të udhëhequr nga Arif e Ibrahim në mesin e fushës, (lojtarë që në Izmir luajtën me ekipin e parë), shikojnë edhe mundësitë për të përfituar nga ndonjë gabim i skuadrës sonë për të shënuar.

Në pjesën e dytë loja e skuadrës sonë vjen e rritet. Futbollistët këmbëngulin më shumë e më mirë, veç pa arritur tamam aty ku duhet. Sidoqoftë, raste për të shënuar krijohen, por përsëri dobësi në finalizim! Ndërrimet e bëra, ndonëse me vonesë, sikur e gjallërojnë më shumë lojën. Por duhej pritur minuta e 83-të për të shënuar kthesën e plotë të skuadrës sonë. Ishte një aksion me të vërtetë i bukur, i menduar dhe i shumëpritur, një aksion i gjatë me zanafillën te Durimi-Zmijani-Demollari Dedja, ky i fundit kroson me saktësi tek Vila në zonë, i cili menjëherë me kokë pason te Canaj, që me intuitë ka ndjekur veprimet e shokëve dhe është futur thellë për të kurorëzuar me një gjuajtje të rreptë përpjekjet e shokëve: 1:0 për “Shpresën” tonë! Ishte një gol jo vetëm i bukur, por dhe me shumë vlerë. Pas këtij çasti, futbollistët tanë çlirohen, paraqesin plotësisht aftësitë dhe vlerat e tyre, kërkojnë të thellojnë avantazhin, por për më tej është vonë…

* Një tjetër kujtim “antik” gazetarie. 17 maj 1983. Për ndeshjen Shqipëria - Turqia 1-0. Fillimi i shkrimit të autorit Bashkim Tufa.

* Një tjetër kujtim “antik” gazetarie. 17 maj 1983. Për ndeshjen Shqipëria – Turqia 1-0. Fillimi i shkrimit të autorit Bashkim Tufa.

Fitorja është fitore dhe pa dyshim që ruan vlerat e saj. Veç kjo gjë s’ka pse të konsiderohet si “kapak floriri” për të mbuluar disa mangësi, të cilat duhen ndrequr sa më shpejt për të ardhmen. Me këto nuk duam të zbehim apo të mohojmë vlerat, qëndrueshmërinë e rritjen e “Shpresës” sonë në lojërat e mëparshme. Kryesimi i “Shpresës” sonë në grupin e saj, ku bëjnë pjesë skuadra të njohura si RFGJ-ja e Austria, është i merituar, i bukur e shpresëdhënës. Ai konfirmon me vërtetësi mundësitë e mëdha të futbollistëve tanë të rinj, pasionin, përpjekjet dhe luftën e tyre për t’u rritur gjithnjë e më shpejt cilësisht. Zotësia këtu është të shikojmë se çfarë duhet ndrequr. Dhe të mendojmë se ka disa. Ndaj pa qenë vonë e pa lënë kohë që dobësitë të trashen, është e nevojshme që edhe për këtë ndeshje t’i njohim e t’i luftojmë të metat, aq më tepër që ekipi ynë lufton për vendin e parë në grup.

Mendojmë se me fillimin kishte një ngërç psikologjik, mungesë lirshmërie, në të menduar e në të vepruar të futbollistëve tanë të rinj. Kuptohet që të rinjtë tanë nuk i bënë dot ballë kërkesës të fitores së domosdoshme për pozitat që kanë në grup. Përgatitja psikologjike doemos duhet të bëhet që kur fillon grumbullimi, se vetëm kështu kërkesa “ta fitojmë ndeshjen” bëhet organike te futbollistët e jep rezultatet e pritura.

Në këto vitet e fundit “Shpresà” jonë ka zhvilluar një numër të konsiderueshëm takimesh e turnesh ndërkombëtare dhe ka pasur suksese të vazhdueshme. Sidoqoftë, futbollistët tanë duhet të luftojnë më shumë kundër mangësive teknike. Si rezultat i tyre futbollistët e “Shpresës” do ta kenë për herë të vështirë të zbatojnë si duhet edhe detyrat taktike. E tërë kjo ka të bëjë edhe me efektivitetin e lojës sulmuese. Këtu detyra të rëndësishme dalin përpara tërë trajnerëve, specialistëve, klubeve tona sportive, e veçanërisht të FSHF-së e sektorit të futbollit. Pa teknikë nuk ka taktikë, nuk ka cilësi. Gjithashtu, edhe në formacionin e skuadrës ka vend për ndonjë përmirësim të vogël, kryesisht për sa i përket futjes së ndonjë lojtari më të pjekur, më me përvojë (siç e lejon rregullorja) në pika kyçe për të mbajtur i sigurt timonin e drejtimit të lojës, sidomos në çastet më përcaktuese të saj.

Ndeshjet e mbetura, sigurisht nuk do të jenë të lehta, por as të pakalueshme për “Shpresën” tonë, e cila duke rritur punën e saj, pasionin, duke ndjerë përgjegjësinë e kryesueses së grupit, i ka forcat, mundësitë për të ruajtur vendin e parë në grup.

sdfdfsdsfdfsfsdsfdsf

BASHKIM TUFA
“Sporti Popullor”, 17 maj 1983

PANORAMASPORT.AL

LEXO EDHE: 

HISTORIA PËRMES GAZETARISË: 40 VJET MË PARË / Sfida e Kampionatit të Shqipërisë ndaj atyre të Gjermanisë, Austrisë e Turqisë

HISTORIA PËRMES GAZETARISË: 40 VJET MË PARË/ Sfida e Kampionatit të Shqipërisë ndaj atyre të Gjermanisë, Austrisë e Turqisë (PJESA II)

HISTORIA PËRMES GAZETARISË: 40 VJET MË PARË/ Sfida e kampionatit të Shqipërisë ndaj atyre të Gjermanisë, Austrisë e Turqisë (PJESA III)

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"