HISTORIA PËRMES GAZETARISË: 40 VJET MË PARË/ Sfida e kampionatit të Shqipërisë ndaj atyre të Gjermanisë, Austrisë e Turqisë (PJESA III)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 7, 2024 | 10:53

HISTORIA PËRMES GAZETARISË: 40 VJET MË PARË/ Sfida e kampionatit të Shqipërisë ndaj atyre të Gjermanisë, Austrisë e Turqisë (PJESA III)

Nga BESNIK DIZDARI
KAPITULLI III
1-1 ME GJERMANINË NË SHKODËR DHE GAZETARIA E VITIT 1982-83
1.
Ky shpërthim europian i Kombëtares së 21-vjeçarëve të Shqipërisë, për fat, niste me emërimin tim si kryeredaktor i gazetës “Sporti Popullor”. Isha kryeredaktori i tretë radhazi që vinte nga gazeta “Bashkimi”: Skënder Tupja, Agim Korbi, Besnik Dizdari. Partia me “djallëzinë” e saj politike të sundimit edhe mbi shtypin, qëllimisht i kishte marrë këta tre kryeredaktorë nga e përditshmja “Bashkimi”, duke besuar në përvojën sa gazetareske, po aq dhe politike të tyre. Emërimi im në këtë detyrë ishte një befasi e tërë.

Një kujtim “antik” gazetarie i vitit 1983. “Gazetari” Franz Beckenbauer , i cili ndoqi edhe ndeshjen e “Shpresave”, Shqipëria – RF Gjermane 1-1, duke u intervistuar nga gazetari B.Dizdari. FOTO: PETRIT KUMI

Një kujtim “antik” gazetarie i vitit 1983. “Gazetari” Franz Beckenbauer , i cili ndoqi edhe ndeshjen e “Shpresave”, Shqipëria – RF Gjermane 1-1, duke u intervistuar nga gazetari B.Dizdari. FOTO: PETRIT KUMI

Mbi të gjitha sepse për herë të parë qysh nga Anton Mazrreku në vitin 1945, Regjimi po emëronte një kryeredaktor i cili nuk ishte anëtar i Partisë (PPSH). Arsyeja ishte krejt e thjeshtë, megjithatë gazeta “Bashkimi” me rubrikën e saj sportive kishte pushtuar mjedisin shqiptar të kësaj fushe. Më shumë se meritë e imja, ishte meritë radhazi e tre kryeredaktorëve të “Bashkimit”, me në krye themeluesin e kësaj rubrike Niko Nishku, e mbas tij në vazhdimësinë e dy kryeredaktorëve të tjerë: Arqile Aleksit, duke kulmuar me Hamit Boriçin.

E vërteta ishte se për kah cilësisë, gazeta “Sporti Popullor” sikur kishte pësuar një lloj rënieje, dhe Partia, duke e ditur se, sidomos për rininë ajo ishte një gazetë sportive e dashur, po vendoste t’i jepte një impuls. Sidoqoftë, edhe unë ndonëse nuk isha anëtar i Partisë, zbatoja me kujdes politikën e saj, kuptohet në dobi të zhvillimit të atij që quhej “sporti socialist”. Pa harruar assesi kritikën pothuajse të rregullt kundër sportit tjetër, atij të ashtuquajtur “borgjez”. Megjithatë, duke qenë se kjo ishte një gazetë sportive, asgjë nuk na pengonte që t’i ktheheshim një larmie disi të re, sa tematike, po aq dhe informative. Ndoshta rregullimi i shpejtë qëndronte edhe në dhënien shumë më tepër hapësirë të sportit ndërkombëtar, pa harruar se 1982-shi ishte viti i Kampionatit Botëror të Futbollit. E në përshkrimin e tij gazeta thuajse do të shpërthente në krahasim me atë se si ishin pasqyruar edicionet e fundit të tij, me dy kolona të thata të faqes së katërt.

Kështu, “je në tetëshe, prandaj kij kujdes “, siç më thoshte profesori im i Gjimnazit të Shkodrës , i paharrueshmi Jup Kastrati – studiues i madh i shkencës gjuhësore shqiptare e i letërsisë me të cilin më lidhte një miqësi e pastër. Miqësi që i kishte rrënjët qysh te babai im Gani Dizdari, mësues i nxënësit Jup Kastrati në shkollat e dikurshme të Shkodrës. Tetëshja ishin pra 8 gazetat e vetme kombëtare që kishte Shqipëria komuniste: “Zëri i Popullit”, “Bashkimi”, “Puna”, “Zëri i Rinisë, “Luftëtari”, “Mësuesi, “Drita” dhe “Sporti Popullor”.

Kur nisa punën dhe më 2 mars 1982 botova numrin e parë, për çudi askush nuk më thirri për të më orientuar diçka. Vetëm mbas botimit të nja katër a pesë numrave, andej nga fundi i prillit 1982, më thërret Miti Tona – shef i sektorit të shtypit në KQ të PPSH. Dhe më tepër se për të më orientuar, me diplomacinë dhe modestinë e tij shembullore, më kishte thirrur duke më përgëzuar për atë fillim me thënien që sigurisht nuk mund ta harroj: “Ti nuk je anëtar i Partisë, por ne kemi besim se përvoja yte nga gazeta “Bashkimi” do të shpaloset në këtë gazetë që rinia e don shumë”. Mandej ai shtoi se përbërja e redaksisë duhet të ndryshojë e ata të kalojnë diku tjetër. Nuk propozova për largimin e asnjërit, madje kur më 1999 dhashë dorëheqjen, i lashë po aty…

E fillova me rubrika të reja që nuk ndalnin:

“Syri i vëzhguesit sportiv”; “Sporti dhe mendimi shkencor”; “Kalendari ynë”; “Dukuri të javës”; “Nga historiku i shoqërive tona sportive”; “Mbresa në vite”; “Nëpër federatat tona sportive”; “Shembulli i mjeshtrave të sportit”; “Dukuri të futbollit bashkohor”; “Dukuri të sportit bashkohor”; “Ravijëzime” , “Sportdashësi pyet”; “Na shkruajnë sportdashësit”; “Zotimi dhe zbatimi”; “Kultura fizike për të gjithë”; “Kur dhe si lindën sportet?”; “Çfarë i dhe cilësisë së sportit kombëtar?”…

Të gjitha këto brenda vetëm nja dy a tri muajve. Ishte një revolucion i vërtetë, çka e bëri gazetën “Sporti Popullor”, më të ndryshuarat në krejt shtypin shqiptar. Doemos pa harruar se edhe ajo ishte nën regjimin komunist. Fotoja e Enver Hoxhës sa herë ai bënte një aktivitet publik, zinte dy apo tri kolonat e faqes së parë. Po duke e shndërruar faqen e katërt thuajse krejtësisht me pasqyrimin e sportit ndërkombëtar përmes një informacioni që kishte munguar prej vitesh. Ndërkaq, rritja e numrit të bashkëpunëtorëve anë e kënd Shqipërisë do të arrinte gjithashtu një kulm. Pa harruar hapësirën edhe për shkrimtarë të shquar, si Bedri Dedja, Teodor Laço, Fadil Kraja, Nasi Lera, Betim Muço, Pëllumb Kulla, Dionis Bubani, Agim Shehu e të tjerë…

Të gjitha këto krijuan një lidhje krejt të re me lexuesit si të na paraprinte kodi i themeluesit të gazetës së famshme amerikane “Washington Post”, Eugene Isaac, të cilën bija e tij, Katharine Graham, e ngriti në majën e shtypit botëror. Rregulli 1 i të cilit ishte ky që thoshte: “Synimi i parë i një gazete është që të shpalosë sa më besnikërisht që të jetë e mundur të vërtetën e fakteve”.

Sigurisht fakti që kjo e jona ishte një gazetë sportive, na lehtësonte zbatimin e një rregulli të tillë, sepse, bie fjala, kronikën e një ndeshje futbolli, je i detyruar ta tregosh vërtetësisht, pavarësisht se cili regjim është në fuqi. E, kur vinim mandej te kritika – e edhe këtu u bë një revolucion i vërtetë – atëherë ishte diçka tjetër. Duket si e pabesueshme, por mospranimet, deri dhe kërcënimet e letrat anonime me e pa emër, ndonjëherë deri dhe publike rrugëve të Tiranës apo në tribunat e stadiumeve e të pallatit të sportit, çka sot “trimat e mbasluftës” i kanë të zakonshme, nuk ishin fort të rralla. Këtë nuk e them për ndonjë lloj krenarie, por e them thjesht për vërtetësi edhe këtë.

Dhe thuajse rrufeshëm gazeta rrit tirazhin duke shkuar drejt një rekordi që nuk ishte parë në historinë e shtypit shqiptar. Në gjashtëmujorin e dytë të këtij viti 1982 tirazhi mbërrin në 51.440 kopje. Ndërsa gjashtëmujori i parë i vitit 1983 arrin në 53.917 kopje, prej të cilëve 39.366 të abonuar, çka do të thoshte se në shitje të lirë për gjithë qytetet e Shqipërisë ishin vetëm 14.000 kopje. “Sportin Popullor” në kioska e librari e kishe shumë-shumë deri në mesditë. Ishin shifra që nuk ishin parë asnjëherë në Shqipëri për një gazetë periodike. As në Mbretëri e në pushtimin fashist, jugosllav a sovjetik, si dhe as në diktaturën e regjimit, pra. Rekorde të tjerë do të mbërrinim…

Me folë drejt, ndjej një kënaqësi që i shkruaj sot këto radhë, duke marrë shkas nga historia e rrallë e Shpresës së Shqipërisë. E, më duhet të nderoj një punë të jashtëzakonshme timen dhe të anëtarëve të tjerë të redaksisë, Nexhat Gjuzi, Bashkim Tufa, Edmond Dilaveri e Baku Gjoni. Të tjerë do të vinin më vonë, kur do të bënim “revolucionin” e dytë të gazetës – histori kjo për librin e gjerë të gazetarisë. Pa harruar meritën e skajshme të bashkëpunëtorëve të pafund, emërori për të cilët do të donte faqe…

Kështu po niste kjo aventurë. E cila do të përshkohej rrufeshëm përmes aventurës tjetër, asaj të madhe të vitit të Shpresës së Shqipërisë, e cila do të eliminonte tri fuqi të futbollit europian: Gjermani, Austri, Turqi.

19 NËNTOR 1983. RF GJERMANE – Shqipëria 1-1. Pra, do të kemi gjithnjë një foto të rrallë nga ndeshja kulminante në Trier të Gjermanisë prej arkivit të autorit të shkrimit. Kësaj radhe është çasti i shënimit të golit nga Michael Rummenigge dhe gjermanët në gëzimin e parakohshëm të kualifikimit. Por do të eliminoheshin!...

19 NËNTOR 1983. RF GJERMANE – Shqipëria 1-1. Pra, do të kemi gjithnjë një foto të rrallë nga ndeshja kulminante në Trier të Gjermanisë prej arkivit të autorit të
shkrimit. Kësaj radhe është çasti i shënimit të golit nga Michael Rummenigge dhe gjermanët në gëzimin e parakohshëm të kualifikimit. Por do të eliminoheshin!…

2.
Ngjarjet do të nisnin edhe me kualifikimin e Shqipërisë 18-vjeçare me trajner Bahri Ishkën e Miço Ndinin. Kjo mbas fitores së saj në Larnaka me Qipron 1-0. Që do të thoshte se për herë të parë një përfaqësuese e Shqipërisë, hynte në 16 skuadrat më të mira të Europës. Tjetër histori turneu i 16-tëshes zhvilluar në Finlandë ku 18-vjeçarët e Shqipërisë humbasin 3-0 e 3-1 me Skocinë e Holandën – krejt normale kjo – dhe barazojnë 1 -1 me Turqinë.

Ndërkaq, Shqipëria shpallet kampione e Ballkani në qitje, kampionat ky i zhvilluar në Athinë (23- 25 prill 1982). I kryesuar nga anëtari i Komitetit të Kulturës Fizike e Sporteve, Ilia Kongo, dhe me trajnerë Rexh Ndreun, Rexhep Rrapushin e Sadik Lengo, fitohen 15 medalje, prej të cilave 8 ari. Emrat janë historikë, me në krye kampionët e Ballkanit: Niko Shtrepi, Sadik Kuçana, Niko Fani, Beqir Kosova, Kristo Robo. Për fat nuk dimë mirë ku është qitja sot…

Dhe mbërrijmë te Fatos Muço i cili merr titullin “Mjeshtër Ndërkombëtar” në Olimpiadën Botërore të Shahut – i pari në historinë e Shqipërisë. Ndërkohë që në volejboll për femra, Dinamo fiton dy herë 3- 0 me Ekzacibasin e Stambollit dhe bëhet gjysmëfinalistë e Kupës së Europës. Ky ishte volejbolli i Shqipërisë i asokohe. E dini që vitin që sapo shkoi, këtë 2023, Turqia u shpall Kampione e Europës për femrat. Këtu ka mbërritur ajo Turqi që asokohe mposhtej prej Shqipërisë. Për fat, nuk di ende se ku ka mbërritur Shqipëria e sotme në këtë sport, por e nivelit të lartë të volejbollit europian të viteve ’80- ’90!…

Duke kaluar te futbolli, “17 Nëntori” fiton 3-0 me Larisën e Greqisë dhe është finalist i Kupës së Ballkanit. Kur vjen janari shpallen “10 Sportistët më të Mirë të Vitit”, të cilët ishin: Fatos Muço, Niko Shtrepi, Agron Haxhihyseni, Klodeta Gjini, Mimoza Ibrahimi, Diana Mata, Agim Tafili, Mimoza Risto, Luan Vukatana, Edra Alibegaj. Risia do të ishte se me “10 më të Mirët” udhëtuam për në Shkodër për te një ceremoni madhështore në Pallatin e Sportit, duke përshëndetur kryeredaktori i “Sportit Popullor”. Dhe gjithçka përmes një “show” artistik të paparë. Ishin Tano Banushi, Hasan Smaja, Paulin Preka, Gjosho Vasija, Zyliha Miloti, Zef Deda, Gëzim Kruja… Pa harruar aktorin dhe radiokronistin e shquar Veli Radën tonë me intervistimet e tij aq origjinale. Duke mbërritur te këngëtarët Shyqyri Alushi, Liljana Kondakçi, Mukadez Çanga, Bashkim Alibali, Eduard Jubani… Të drejtuar nga regjisori Eduard Mhilli e muzikanti Luan Borova.

Eshtë 40 vjet më parë dhe këta emra të shquar të artit të skenës, të emocionojnë fort dhe më duket se është pak që kalohen kësisoji, përmes këtyre radhëve të shpejta. Ajo që sigurisht nuk shkonte te ky mjedis sportiv, ishte fakti se ai zhvillohej në atë që kishte qenë Kisha e famshme e Madhe, e shndërruar në pallat sporti. Pa menduar askush në atë vit 1982 se si i tillë “pallatit” në fjalë do t‘i mbeteshim vetëm edhe 9 vjet jetë. Do të mbërrinte demokracia e do ta kthente aty e ku i takonte: në Kishën e Madhe të Shkodrës.

Spektakli i madh i “10 Më të Mirëve”, që më duhet të pranoj se e themeluam në Shkodër, do të kthehej në Tiranë, për të vazhduar si një nga shfaqjet më të pakrahasueshme të Pallatit të Sportit “Partizani” (sot “Asllan Rusi”) që lidhnin aq bukur sportin me artin.

Ndërkaq, e vërteta është se deri sa do të mbërrinim te ndeshja e radhës e “Shpresës”, sporti shqiptar kalonte në ulje ngritjet e tij pa shumë komente. 17 Nëntori mbasi kishte eliminuar për Kupën e Kampioneve kampionen e Irlandës së Veriut Linfild (1-0 e 1-2), humb dy finalet e Kupës së Ballkanit 0-3 e 1-3 me Beroe të Stara Zagorës. E “Dinamo” në volejboll për femra humb po kështu dy ndeshjet e turit tjetër, me Tungsram të Budapestit 0-3 e 1-3.

Nga veprimtaritë kombëtare sundojnë Kupat e Shqipërisë në futboll – fitues 17 Nëntori me trajner Enver Shehun; Partizani në basketboll për meshkuj me trajner Astrit Greva; Flamurtari për femra me trajner Petrit Stefa. Dhe dy Dinamot në volejboll për meshkuj e femra me trajnerë Vangjel Koja e Kiço Lena.

STADIUMI “VOJO KUSHI”. Shkodër. 30 prill 1983. Shqipëria - RF e Gjermanisë 1-1. Demollari duke shënuar golin. FOTO: PETRIT OMERI.

STADIUMI “VOJO KUSHI”. Shkodër. 30 prill 1983. Shqipëria – RF e Gjermanisë 1-1. Demollari duke shënuar golin. FOTO: PETRIT OMERI.

Dhe të vijmë tash te “Shpresa”.

Në Shqipëri do të vinin dy Gjermanitë e mëdha të futbollit: Kombëtarja e parë e saj – kampione e Europës në fuqi – dhe “Shpresa” e saj – nënkampione e Europës në fuqi. Janë dy ndeshje të jashtëzakonshme. Kombëtarja humbet 1- 2, por zhvillon një nga ndeshjet më të mira të saj. Por ky nuk është qëllimi i tregimit tonë. Eshtë “Shpresa”. Do të luhej në Shkodër më 29 mars 1983. Dy Gjermanitë mbërrijnë në Shqipëri me bujën e tyre të zakonshme, por kësaj here me një risi: ato kanë me vete një gazetar “par excellence” me emrin Franz Beckebauer! Në atë intervistim të shkurtër që munda t’i marr në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa”, po veçoj këto radhë të shpejta që ai tha:

“Lojë e shpejtë, interesante, RFGJ-ja ka pasur më epërsi, por skuadra shqiptare është mbrojtur shumë mirë dhe ka kundërsulmuar, bile ka pasur edhe raste… Skuadra shqiptare ka rritje të dukshme…”.

Mandej, kur Beckenbauer mbërrin në Shkodër, këtu kërkesa për ta parë sa më afër atë, është e papërshkrueshme. Kur mbaron ndeshja e “Shpresave”, para hyrjes së stadiumit “Vojo Kushi”, njerëzit nuk largoheshin dhe ndonëse mbështetja për 21- vjeçarët tanë, kishte qenë elektrizuese, interesimi për Franz Beckenbauer-in ka mbetur thuajse “mitik”. Nuk duhet të harrojmë se nuk ishte si sot. Ishte një Shqipëri e izoluar deri në ekstremin më të pamëshirshëm dhe futbollistët e mëdhenj të botës konsideroheshin si idhuj nga rinia shqiptare.

Dhe më e rëndësishmja, megjithatë: 1-1 Shqipëria me Gjermaninë e 21-vjeçarëve! Edhe kjo e përmasave. Ky është çasti i paparë kur ne të gjithë nisëm të mendonim se ishim bërë pretendentë. Autori i shkrimit të ndeshjes, siç do ta lexoni këtu, është gazetari i pandalshëm Namik Mehmeti. I ka vënë shkrimit titullin fort pretencioz : “Në lartësinë e pretendentes”! Kaq mjaftonte. Mandej përshkrimi i tij tejet i pasur, me stil e vërtetësi, me kronikë e me problematikë. Dhe me guximin, teksa e mbyll me këto fjalë:

“Shpresa jonë tashmë është qartazi në luftë për vendin e parë në grup”.

Namik Mehmeti ishte njeriu i parë që po guxonte deri këtu. Natyrisht edhe gazeta që e mbështeste, e cila i vendos në fund renditjen ku Shqipëria kryesonte grupin. Nuk do ta lëshonte më vendin e parë. Lexoni shkrimin e 40 vjetëve më parë, sepse ia vlen, madje edhe si një model për gazetarinë e sotme…

* Për vazhdimësi ju kujtojmë dy kapitujt e parë në “Panorama Sport” të 14 e 27 dhjetorit 2023.

NË LARTËSINË E PRETENDENTES

“Shpresa” e Shqipërisë – “Shpresa” e RFGJ-së 1-1
STADIUMI “VOJO KUSHI”.
SHKODËR, E MARTË, 29 MARS.
“SHPRESA” E SHQIPËRISË: Durimi, Zmijani, Çanga, Noga, Ocelli, Canaj, Demollari, Jera, Vila, Topçiu (Liti 87’), Josa.
TRAJNER: R.Rragami.
“SHPRESA” E RFGJ-së: Vollborn, Honerbach, Schafer, Reinhardt, Winklhofger, Quaisser, Wutke, Trieb, Reichert (Herbst), Mathy, Waas (Schon).
SHËNUES: Demollari 20’, Mathy 33’.
GJYQTARË: Janosh Sabo, Jozef Maçka, Belaç Nagj (Hungari).

“Shpresa” e Shqipërisë vinte në takimin e tretë të grupit të 6-të të kampionatit europian pas afirmimit të lojës e rezultateve të saj bindëse (2 fitore jashtë fushës në Austri dhe Turqi). E takimin e tretë e luante me pretendenten e këtij grupi, “Shpresën” e RFGJ-së që niste aktivitetin me ndeshjen e parë në Shkodër. Vinte me emrin e nënkampiones së Europës për “Shpresat” dhe më tej, me emrin e kampiones së botës për të rinj (3-4 lojtarë ishin pjesëmarrës) dhe sapo kish fituar 3-1 në Çekosllovaki me “Shpresën” e këtij vendi.

Një vlerësim tepër i madh për këtë ndeshje nga gjermano-perëndimoret, një përqendrim dhe preokupim i vazhdueshëm i trajnerit B.Vogts.

– Fitorja juaj në Austri dhe barazimi i sotëm në Shkodër, e lë Shqipërinë përsëri pretendente, – thotë trajneri Vogts.

Dhe “Shpresa” e Shqipërisë që ka konsoliduar lojën e saj, nuk mendoi për emrin e kundërshtarit, por si gjithnjë, nëpërmjet veprimeve të shpejta e kontrollit të sigurt të topit, fillon dhe e vë mbrojtjen mike në situata shqetësuese. Winklhofger dhe Schafer ndjejnë që në minutat e para rrezikun e sulmit shqiptar që ka si protagonist futbollistin kryesor të “Shpresës” sonë, Demollarin. Aftësia e tij për të marrë e shpërndarë topat si një “dispeçer” nikoqir e me intuitë, ai vihet në shërbim të sulmuesve tanë. E pranë tij Jera e Canaj që marrin mesin, por edhe krahët e fushës për 45 minutat e para, e që dijnë të ndërtojnë një lojë me pjekuri, të shpejtë e elastike.

Kombinimet ne krah me Josën e Vilën e në qendër me Topçiun, përbëjnë një bllok që mbështetet e lëviz për bukuri edhe nga mbrojtja me Çangën në krye. Gjuajtja e Jerës, dy kornet e minutës së 19-të janë nisma e lindjes së golit. Dhe është futbollisti truppakët në dukje, por shumë punëtor dhe energjik, Demollari, që nëpërmjet aftësive teknike që disponon, shpërndan “murin” rrethues të mbrojtjes të gjermano-perëndimorëve, duke bërë të pavlefshëm edhe tentativën e fundit të tyre pranë vijës fatale. 1-0! Demollari del triumfues me një gol sa të vështirë për t’u realizuar, aq dhe të bukur për t’u kujtuar. Pas golit përsëri loja e “Shpresës” sonë ka rritje, një vrull e mobilizim që sjell të tjera situata të vështira në portën e Vollbornit, si kombinimi Josa – Topçiu (29’) e gjuajtja e Canajt (30’).

Pas golit disi i papëlqyer dhe i papritur për këtë lojë, episodi i minutës së 33-të. Reinhardt nis sulmin e gjatë, duke nxjerrë në pozicion sulmuesin Mathy dhe në një fraksion sekonde Çanga i pagabuar deri në atë minutë, nguron. Kundërshtari i etur për gol nuk të fal. Barazim 1-1. Një lojë kjo e pjesës së parë që duhej të fliste për një rezultat tjetër. Kështu, me dëshirën për fitore nisin 45 minutat e dyta, ku Demollari vihet dy herë radhazi përballë Vollbornit, ndërsa mbrojtësi Zmijani zotëron kahun e djathtë të sulmit e krosimet e tij sjellin përsëri alarm në mbrojtjen mike.

Shqipëria - RFGJ 1-1. Botim anastatik nga faqja e parë e “Sportit Popullor”, 5 prill 1983. Kreu i fillimit të shkrimit të autorit Namik Mehmeti.

Shqipëria – RFGJ 1-1. Botim anastatik nga faqja e parë e “Sportit Popullor”, 5 prill 1983. Kreu i fillimit të shkrimit të autorit Namik Mehmeti.

Por disi jo e qartë detyra dhe puna e futbollistëve tanë në vazhdim të 45 minutave të dyta. Një e papritur ndaj këmbënguljes së gjermano-perëndimorëve apo dhe një dëshirë për të ruajtur barazimin? Megjithatë kronika e kësaj pjese përfshinte raste të futbollistëve tanë. E nëse nuk arrihet fitorja, përsëri barazimi “Shpresën” tonë e lë në pozitë kryesuese me një “futboll atletik”, siç pohuan edhe vëzhguesit gjermanoperëndimorë me kompetentët më të mirë të futbollit, Neuberger e Vogts. Të cilët edhe pse ndeshja kishte më shumë se gjysmë ore që pati përfunduar, ishin të mendimit të vetvetes së tyre që si “gjithnjë gjermanoperëndimorët e kanë të vështirë të fitojnë në Shqipëri”.

Gjermano-perëndimorët që përbënin një formacion të ri me Vollborn, Winklhofger e Schon për të ardhmen e futbollit gjermano-perëndimor, bënë përpjekje të mëdha për barazimin, disa herë ndoshta edhe nëpërmjet aftësisë për të vepruar shpejt (Waas e Reichert – sulmues tipikë të futbollit të sotëm) trokitën në portën e Durimit, por themi se pak e vunë atë në pozitë pune ose prove të vështirë.

Sidoqoftë “Shpresa” jonë ka se çfarë të përsosë më tej: kur luhet shpejt e me një takim, kur kundërshtari i çfarëdo niveli qoftë, mund të thyhet. Ajo tregoi se është gjithnjë në rrugë të mbarë.

Duket qartë se aty ku ka punë serioze, pasion dhe ndjenjë të lartë përgjegjësie futbollistët sa vijnë dhe e përsosin lojën e tyre, veçse gjithmonë duke nxjerrë mësime për gabimet në mbrojtje, si në rastin e golit, për të mos u përsëritur më.

Cila është e ardhmja e “Shpresës” sonë në ketë kampionat? Detyrat janë jo pak të vështira, veçse të realizueshme. Si kryesuese të ruajë po këto pozita. Si pasqyruese e vlerave aq të bukura të futbollit shqiptar, t’i çojë më tej ato. Dhe më e rëndësishmja: kjo skuadër nëpërmjet pikave të saj më të forta të shërbejë në të ardhmen për fuqizimin e ekipit kombëtar.

Përpara “Shpresës” sonë në kohë të afërta, janë dy ndeshjet me shumë, peshë për te (në maj me “Shpresën” e Turqisë dhe në qershor me atë të Austrisë). Nuk duhet menduar se koha është e mjaftueshme. Apo tjetra, që grumbullimet përmirësojnë shumë mangësi. Puna e nisur kërkon ndjekje rigoroze në çdo seancë stërvitore në klub, seriozitet për cdo ndeshje të kampionatit nga anëtarët e ekipit “Shpresa”. Ja pse merr rëndësi puna në klube. Objektivi për të zënë vendin e parë në grup, mbrohet vetëm me punë.

“Shpresa” jonë tashmë është qartazi në luftë për vendin e parë në grup. Dhe në ndeshjet e saj të ardhshme kundërshtarët do të kërkojnë të kompensojnë. Loja luftarake, përgatitja e vazhdueshme e futbollistëve në klub dhe në grumbullimet e tyre, ndjenja e lartë e përgjegjësisë për të nderuar ngjyrat e sportit kombëtar, modestia dhe pasioni në stërvitje – ja çka kërkohet edhe në të ardhmen nga “Shpresa” jonë pretendente.

PAS KËSAJ NDESHJEJE, RENDITJA NË GRUP ËSHTË:
sdfsdfdfsdffsdfsfd NAMIK MEHMETI “Sporti popullor”, 5 prill 1983

PANORAMASPORT.AL

LEXO EDHE: 

HISTORIA PËRMES GAZETARISË: 40 VJET MË PARË / Sfida e Kampionatit të Shqipërisë ndaj atyre të Gjermanisë, Austrisë e Turqisë

HISTORIA PËRMES GAZETARISË: 40 VJET MË PARË/ Sfida e Kampionatit të Shqipërisë ndaj atyre të Gjermanisë, Austrisë e Turqisë (PJESA II)

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"