Historia përmes gazetarisë: 40 vjet më parë/ Sfida e kampionatit të Shqipërisë ndaj atyre të Gjermanisë, Austrisë e Turqisë (PJESA V)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 21, 2024 | 21:01

Historia përmes gazetarisë: 40 vjet më parë/ Sfida e kampionatit të Shqipërisë ndaj atyre të Gjermanisë, Austrisë e Turqisë (PJESA V)

Nga BESNIK DIZDARI
KAPITULLI V: SHPËRTHIMI I MADH: 3-0 AUSTRISË!
1.
Brenda një muaji, 10 maj (Shqipëria – Turqia 1-0) dhe 7 qershor (Shqipëria- Austria 3-0), janë 28 ditë po të pasura të sportit shqiptar 1983. Ngjarja e parë është fitimi i titullit kampione e Shqipërisë në futboll prej Vllaznisë së Shkodrës, përmes dy ndeshjeve të fundit dramatike të saj: 2-2 në Tiranë me 17 Nëntorin dhe 2-0 fitore në Berat me Tomorin. Është kjo e fundit, e 25 majit 1983, në të vërtetë e 12-ta fitore e skuadrës shkodrane, e cila rikthehet te titulli mbas bukur 5 vjetëve (1978). Pa e zgjatur shumë, po rreshtojmë emrat e kampionëve simbas vendosjes së tyre në foton e faqes së parë të gazetës, ajo e fotografit të pasionuar dhe të sprovuar Angjelin Nënshati.

* 19 NËNTOR 1983. RF Gjermane – Shqipëria 1-1. Përsëri një tjetër foto e rrallë nga ndeshja kulminante në Trier të Gjermanisë prej arkivit të autorit të shkrimit. Është një çast sulmi i rrezikshëm i gjermanëve.

* 19 NËNTOR 1983. RF Gjermane – Shqipëria 1-1. Përsëri një tjetër foto e rrallë nga ndeshja kulminante në Trier të Gjermanisë prej arkivit të autorit të shkrimit. Është një çast sulmi i rrezikshëm i gjermanëve.

Ata janë radhazi: trajneri E.Rakiqi, F.Ragami, F.Fakaj, B.Pali, F.Jera, H.Dedja, S.Gruda, L.Vukatana, H.Zmijani, trajneri R.Rragami, V.Briza, F.Paçrami, G.Boshnjaku, F.Borshi, I.Sukaj, A.Hafizi, Gj.Kushe, A.Bushati, S.Çanga.

Dhe buja e përmasave që na thotë se Vllaznia e fiton titullin thjesht për golavarazh më të mirë. E kishte 39-19 përballë nënkampionit Partizani, 32-17. Çka do të thotë se skuadra e Shkodrës kishte + 20 gola, ndërsa Partizani + 15. Një kampione për vetëm 5 gola më tepër! Dhe interesantja tjetër: editorialin e titullit shkodran, e shkruan shkrimtari dhe dramaturgu i paharrueshëm Fadil Kraja. Një pasazh i shkrimit të tij ishte dhe ky:

“Urime Vllaznia ime! Nga zemra të përgëzoj që i dhe fund shqetësimeve tona me fitore. Të ndoqa edhe në ndeshjen e fundit. Mbi televizor kisha vendosur radion e dorës. Sytë shikonin Partizanin e Dinamo, veshët dëgjonin ndeshjet në Berat dhe stadiumin ‘Dinamo’. Madje veshët dëgjuan me tmerr edhe lajmin që dha spikeri i televizionit se Berati shënoi golin e parë në ndeshjen me Vllazninë…se e keqja dëgjohet e përhapet shpejt… Urime moj Vllazni dhe mos e harro këtë kampionat. Fitove kur mund të fitonin edhe të tjerë…”.

Në mes të shkrimit kishim vendosur një foto me autor Çesk Shllakun ku zëvendëskryetari i Komitetit të Kulturës Fizike e Sporteve, Azis Tahiri, i dorëzonte kupën e kampiones, kapitenit Astrit Hafizi. Njeriu të cilin ne do ta bënin autorin e shkrimit të fitores më të thellë të Shpresës, 3-0 kundër Austrisë…

Sidoqoftë, më shumë se gjithçka, ishte suksesi i trajnerit Ramazan Rragami, i cili po e çonte edhe “Shpresën” e Shqipërisë te një lloj “titulli europian”, çka as që kishim guxuar ta parashikonim. Çudia është se nuk ishte si sot kur trajnerët e ekipeve kombëtare nuk bëjnë punë tjetër përveçse atë të drejtimit të këtyre. Çfarë kohe për t’u nderuar që ka qenë ajo! Ndoshta duhet pranuar si një lloj “heroizmi profesional”!

Ndërkaq, pak më poshtë, po në faqen e parë të gazetës sonë (“Sporti Popullor”), niste reportazhi i gjatë i Ahmet Shqarrit për përfundimin e rrethit të 39-të çiklistik të Shqipërisë , ku fitojnë Albert Çuko i Apolonisë dhe Partizani me trajner Bilal Agalliun. Lart, titulli i Vllaznisë në futboll, pra, këtu poshtë humbja e Vllaznisë në çiklizmin që e kishte sunduar prej vitesh. Ky është sporti. E ndërsa po afronte ndeshja me Austrinë e ne nuk po bëzanim për të, shpërthejnë atletët në Kupën “Kristo Isak” në Korçë ku Fatmir Bajraktari i Partizanit arrin normën e Kampionatit Botëror në hedhjen e çekiçit me 69.40 metra! Mandej në kampionatin kombëtar të gjimnastikës, Valter Meta i Skënderbeut është kampion i Shqipërisë.

Dhe ja ku po i afroheshim 7- 8 qershorit 1983 kur do të mbërrinte Austria me “Shpresën” dhe kombëtaren e saj. Në këtë të fundit është humbje 2-1, humbje së cilës i kushtova një shkrim kritiko-analitik disi të fortë, si thuhej asokohe, duke e mbyllur më këto fjalë: “Ky futboll ka forca, ka mundësi që i ka provuar disa herë dhe madje po i provon. Është shembulli i ‘Shpresës’”.

Ia kundërvija “Shpresën” Kombëtares, si një lloj antipodi, ndonëse të dyja ishin skuadra të Shqipërisë, të të njëjtit futboll, po për çudi të arritjeve krejt të kundërta.

Dhe vijmë te shkrimi i “Shpresës” me risinë e tij. Më shkoi mendja që gjithçka ta lidhja me Vllazninë e sapo kurorëzuar kampione. Më saktë, me vetë Shkodrën ku do të luhej ndeshja me Austrinë. Bisedoj me kolegun Namik Mehmeti, të cilit në të vërtetë i takonte pikërisht atij të ishte autori i shkrimit në fjalë, dhe i propozoj që shkrimin, ta realizojë kapiteni i Vllaznisë Astrit Hafizi. Kjo edhe ngaqë më parë ai kishte qenë edhe kapiten i “Shpresës”, si do t’ia shënonim në fund pranë emrit të tij si autor.

Dhe enigma tjetër. Ngjitur me shkrimin e ndeshjes së faqes së parë kishim vendosur një lajm, si të thuash “të rrufeshëm”, pa asnjë koment, sikur të donim ta fshehim. E pra, lajmi ishte i një rëndësie të papemë. Lajmi njoftonte se Shqipërinë sapo e kishte vizituar presidenti i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, Juan Antonio Samaranch. Ishte absolutisht hera e parë që ndodhte. Samaranch vjen në Shqipëri në ditën e 8 qershorit 1983 të ndeshjes me Kombëtaren e Austrisë, dhe ec e merre vesh tash, përse Samaranch nuk u pa të ndodhej në Stadiumin Kombëtar “Qemal Stafa” , ku zhvillohej ndeshja me Austrinë! Po aq përse po veprohej ashtu si me vizitën e presidentit të FIFA-s, Joao Havelange, pak më parë. Mirëpo, ja që edhe kjo vizitë e Samaranch-it, po përmblidhej me këtë lajm pa jetë të ATSH-së. Natyrisht duke përsëritur pritjen rutinë të zëvendëskryeministrit Manush Myftiu. Dhe vetëm kaq!

Për fat, lart mbi këtë lajm “të fshehur”, por edhe mbi shkrimin e “Shpresës”, po në faqen e parë të gazetës, kishim vendosur peshëngritjen me një publicitet të papamë, duke titulluar në katër kolona: “Peshëngritja shqiptare në nivele botërore”.

Ishte Kupa e Shqipërisë ku ishin thyer 9 rekorde kombëtare, që hynin midis 5-9 rezultateve më të mira të botës. Në gjithë faqen spikaste fotoja e pazakontë e peshëngritësit të katër rekordeve kombëtare, Aleksandër Kondo, e realizuar nga fotoreporteri numër 1 i Shqipërisë që ishte Petrit Kumi. Foto ,e cila përkrah realizimit artistik, duhet të mbetet një simbol. Sa i peshëngritjes shqiptare, por sidomos i Aleksandër Kondos, i cili me arratisjen e tij do të sfidonte një regjim. Ndonëse për fatin e tij tragjik, do të shuhej para kohe dhe në rrethana misterioze në SHBA. Ndërkaq, Dinamo me trajnerin e madh Ferid Berberin, prekursor unikal i zhvillimit të këtij sporti në Shqipëri, shpallet fituese e Kupës. Autor i shkrimit ishte i pashlyeshmi i shkencës e sportit, profesor Gudar Beqiraj.

Të tillë personazhe kishte pranë sporti shqiptar, emrat e të cilëve i jepnin shkëlqim gazetës “Sporti Popullor” që sundonte edhe ajo mjedisin publik të Shqipërisë. Sigurisht, pa ia arritur t’i shpëtonte edhe ajo si gjithë shtypi shqiptar, politizimit që urdhëronte Partia.

2.
Po çka ishte fitorja e bujshme 3-0 ndaj Austrisë – elitë e futbollit europian?

Do të caktonim pra, futbollistin Astrit Hafizi që të bënte reportazhin e ndeshjes. Ishte nga futbollistët më të shquar të Shqipërisë, madje ende në aktivitet. Rast i rrallë në gjithë historinë e shtypit sportiv shqiptar, që një futbollist i cili sapo ishte shpallë kampion i Shqipërisë, të merrte pendën e të shkruante për një ndeshje zyrtare të një Kombëtareje të vendit të tij, përveç të tjerave, në pjesëmarrjen e saj në Kampionatin e Europës.

E vërteta është se edhe shkrimi i tij ka vlerat si të shkrimeve të tjerë që kemi ribotuar në këtë cikël tonin. Është, si të thuash, po ai kompozicion, përmes pleksjes së kronikës dhe problematikës, sidomos asaj teknike. E po aq edhe afirmimit të vetë “Shpresës”. Edhe ky shkrim ruan po ashtu “gjakftohtësinë” e gazetës, për të mos fluturuar në eufori, çka Hafizi e përmbledh në këto fjalë:

“Shpresa” jonë që shpreson është tani në vendin e parë, në rolin e pretendentes dhe kësisoj futbolli i saj është afër një afirmimi të plotë në arenën ndërkombëtare. Pra, duhet pritur ndeshja e nëntorit në RFGJ pa bërë iluzione, për të qëndruar në ruajtje të rezultateve të “Shpresës” gjermane.

Shqipëria tashmë, natyrisht me emocione të forta, po guxonte dhe po synonte aty ku nuk të shkonte mendja: te vendi i parë kualifikues në grupin e saj. Çka na dukej vërtet e pabesueshme. Astrit Hafizi, sigurisht do ta ruajë këtë shkrim si një kujtim të çmueshëm. Do të mbërrinte te trajneri i Vllaznisë kampione, për më tepër deri te trajner i Kombëtares së Shqipërisë, pse jo, me ndeshje të mëdha, dramatike, të vështira, edhe pse të pafat. Ndërsa sot, ai si dhe jo pak ish-trajnerë e futbollistë, është një analist i mirënjohur televiziv i futbollit.

Vërtet, ku po mbërrinte kjo “Shpresë” e Shqipërisë 1983?

Sapo kishte kaluar dita e 7 qershorit e ngjarjes së bujshme Shqipëria – Austria 3-0. Një fitore kësisoj në thellësinë e saj mbi të gjitha. “Kapakun e floririt” të gjithë kësaj situate europiano-shqiptare, do t’ia blatonte trajneri i “Shpresës” së Austrisë , K.Ritter i cili thotë:

“..Skuadra shqiptare ka një përgatitje të lartë fizike, shpirt të lartë gare dhe me këto cilësi që ka, jo vetëm që do t’i hapë shumë punë ‘Shpresës’ së RFGJ-së, por nuk do të jetë çudi që edhe të mbetet në krye të grupit tonë”.

Një parashikim përtej historisë, që ne do të na emociononte aq fort.

Po cila ishte situata deri në këtë ditë të 7 qershorit 1983?!

Sot, mbas kaq vjetësh, po rendisim për së mbari ndeshjet e zhvilluara deri te kjo fitore, Shqipëria – Austria 3-0. Këtu për herë të parë edhe me datat e tyre, për të fiksuar një situatë të mrekullueshme historike. Ishte kjo:

sdasdsadsadsadsad (1)

Kjo është pasqyra deri në fitoren e 4-t në 5 ndeshje të Shqipërisë, e cila kishte zhvilluar më shumë ndeshje se asnjë skuadër tjetër pjesëmarrëse. Deri në këtë çast RFGJ-ja kishte zhvilluar 2 ndeshje më pak se Shqipëria. Me fatin e madh se tri ndeshjet e fundit të saj, ajo do t’i luante në fushën e vet. As që e diskutonte vendin e parë dhe as që i shkonte nëpër mend se këtë vend të parë do t’ia rrëmbente Shqipëria “e vogël”. Dhe kur? Në ndeshjen e vetme të saj që i kishte mbetur për të luajtur, atë të 19 nëntorit 1983, në tokën “teutone” apo gjermane.

Do të çudiste gjithë Europën me befasinë e saj të përmasave më të paparashikueshme.

Ndërsa ne nuk do të bëzanim për bukur nja mbi pesë muaj. Sikur të donim të harronim!…Pa menduar se do të vinte e paharrueshmja, ajo që dihet, nuk harrohet kurrë…

Do të takohemi në Kapitullin VI, i fundit i kësaj historie të jashtëzakonshme të 40 vjetëve më parë…

* Ribotimi është i rezervuar
* Për vazhdimësi ju kujtojmë katër kapitujt e parë në “Panorama Sport” të 14 e 27 dhjetor 2023 dhe 6 e 12 janar 2024.

KAMPIONATI EUROPIAN I FUTBOLLIT

I lumtë “Shpresës”: lojë e suksesshme, fitore e thellë!

SHQIPËRI – AUSTRI, 3:0
Shkodër, stadiumi “Vojo Kushi”, ora 18, e martë, më 7 qershor.
“SHPRESA” E SHQIPËRISË: Durimi, Zmijani, Kokalari, Ndreu, Ocelli, Liti, Demollari, Canaj, Muça, Vila, Topçiu (Josa).
Trajner: R. Rragami.
“SHPRESA” E AUSTRISË: Nojbauer, Herman , Auer, Tobin, Callinger, Lincmajer, Herstic (Koshak), Verner (Shviker), Krigler, Niderbauer, Pakult.
Trajner: K. Rihter.
SHËNUES: Topçiu 5, 74′, Vila 75 (11- metërsh).
GJYQTARË: L.Gjëri, M. Nagji, L. Nemet (Hüngari).

Ndeshja kishte përfunduar dhe me gëzimin e fitores, një fitore sa e thellë dhe e merituar, po largohesha së bashku me të gjithë sportdashësit i gëzuar. “Shpresa” jonë prezantoi një futboll me vlera. Fitorja e saj 3:0 përveç të tjerave, është një pasurim i mëtejshëm, kuptimplotë, i arshivës së stadiumit tonë “Vojo Kushi”, i cili prej plot 30 vjetësh, që nga 1953-shi, nuk njeh asnjë humbje në ndeshjet ndërkombëtare të skuadrave tona.

Por le të vijmë konkretisht te ndeshja në fjalë, ndër më të paharruarat në historinë 31- vjeçare të stadiumit “Vojo Kushi”. Fitorja e pastër 3-0 e vë atë në pozita pretenduese, e një pretenduese të denjë. “Shpresa” me këtë lojë e fitore se ç’më ngjalli edhe mjaft kujtime e emocione. Unë, futbollisti i saj në këtë dekadë të fundit të sukseseve të saj, kam luajtur e kontribuar për të arritur në një finale të Kupës Ballkanike dhe në një takim miqësor me “Shpresën” e Francës. Shokët e mi kanë kontribuar në fitore edhe më të bukura duke u shpallur edhe kampionë të Ballkanit, jo pak por dy herë. Po fitorja e 7 qershorit kalon kufijtë e një gadishulli dhe hidhet në kontinent ndaj një skuadre si Austria, e njohur për futbollin e saj dhe e përbërë nga lojtarë të klubeve më të mira të vendit.

11-shja e “Shpresës” sonë ishte përgatitur seriozisht, të krijon bindjen se ajo duhet të konkurrojë me pretendime të forta për vendin e parë. Të tilla ishin stërvitjet e saj të fundit, të cilat i ndoqëm nga afër. Vlerësimi shkencor i procesit stërvitor, djersitja e puna për të bërë realitet detyrat e dhëna, kuptimi i drejtë për stërvitjen nga individët dhe pastaj loja kolektive e mbarsur me një mobilizim të madh, siguron dhe suksesin.

Fitorja nuk ishte rastësi. Ajo ishte vazhdë e sukseseve të katër ndeshjeve të mëparshme. Trajneri R.Rragami dhe ndihmësit e tij duke njohur mirë tabanin e “Shpresës”, kanë zgjedhur futbollistë që luajnë me dëshirë, duke iu gjetur vendin në përshtatje me lojën e kundërshtarit. Kjo ka ndihmuar në zbatimin me rigorozitet të detyrave në planin taktik, që ndihmoi në riparimin e disa gabimeve të vogla teknike.

* Një tjetër kujtim “antik” gazetarie. 17 maj 1983. Ndeshja Shqipëria – Austria, 3-0. Fillimi i shkrimit i autorit Astrit Hafizi.

* Një tjetër kujtim “antik” gazetarie. 17 maj 1983. Ndeshja Shqipëria – Austria, 3-0. Fillimi i shkrimit i autorit Astrit Hafizi.

Në këtë takim, ku nuk mungojnë edhe të meta, vetvetiu ke dëshirë të bësh më shumë vlerësime pozitive. Reparti i mbrojtjes luaji i organizuar, ishte pikënisja nga ku fillonte kundërsulmi që gjeti të çara në ekipin mik. Dy mbrojtësit anësorë Zmijani e Ocelli ishin shpeshherë sulmues. E çdo largësi e tyre nga mbrojtja kishte një dublim të shpejtë nga të tjerët, pa i lënë vend të lirë veprimit të kundërshtarit. Dhe ndonëse me emocione si ndeshje e parë prezantimi, Kokolari e Ndreu e patën të vështirë fillimin, por pastaj edhe ata u gjetën në gjysmëfushën austriake.

Me futbollistë teknikë si Demollari dhe energjikë si Canaj e së bashku me Litin, mesi i fushës, jo vetëm mundi të funksionojë me rezultat, por dhe të bllokojë herë herë lojën e ekipit kundërshtar. Demollari e merr topin nga mbrojtja, në mesin e fushës përgatit terrenin për të ndërtuar sulmin e dëshiruar, ku gjithnjë ka sukses. E kjo ngjet se ai luan thjeshtë, siç i duhet një lojtari të mesit të fushës në funksion të ekipit. Canaj përkrah Demollarit gjeti mjedis të vërtetë për të ndihmuar shokët dhe për të dalë në plane të para disa herë edhe ai vetë.

Me një harmonizim të tillë veprimesh në planin tekniko-taktik u shkri edhe sulmi. Topçiu, një sulmues i mirëfilltë, gjeti forca për të shpalosur aftësitë e tij. Lëvizshmëri e madhe, ngacmues për portën, vendosja e tij përpara portës, ku ai gjithnjë gjeti topin (e jo topi atë), bëri që ai të realizojë dy gola të bukur që kanë vlera interpretimi në goditjet me kokë, pavarësisht nga pozicioni. Përvoja e Muçës në takimet ndërkombëtare do të sillte frytin e vet. Ndoshta disi më i tërhequr nga Topçiu, ai prapëseprapë nuk mbeti larg sulmuesit të kohës. Aksioni i golit të dytë është aftësi e pjekuri e tij. Ndonëse larg takimit me RFGJ-në, Vila luajti përkrah sulmuesve e shokëve të tjerë, që dinë të të nxjerrin në pah edhe sikur të mos jesh në një ditë të mirë.

Dy foto që shoqëronin shkrimin e Hafizit.

Dy foto që shoqëronin shkrimin e Hafizit.

Portreti i “Shpresës” sonë do të mbetet i paplotësuar sikur të mos ndalemi me pak fjalë edhe te portieri Durimi. Ndonëse nuk pati shumë punë, në ato tri raste, edhe pse i papërvojë, e afirmoi veten si një portier me intuitë dhe i vëmendshëm, duke u bërë edhe frymëzues me pritjet e bukura për shokët e tij.

Në një fitore si kjo e “Shpresës” sonë ke shumë për të shkruar, nuk mungojnë episodet dhe kronikat për ta pasuruar atë. Tani shtypi i përditshëm, radio e televizioni na i kanë freskuar edhe më mirë këto kronika. Por duhej të thosha se, “Shpresa” jonë që shpreson, është tani në vendin e parë, në rolin e pretendentes dhe kësisoj, futbolli i saj është afër një afirmimi të plotë në arenën ndërkombëtare. Pra, duhet pritur ndeshjen e nëntorit në RFGJ, pa bërë iluzione, për të qëndruar në ruajtje të rezultateve të tjera të “Shpresës” gjermane. Mendimi për ajo finale e shumëpritur duhet përpunuar që tani. E nuk duhet harruar edhe kjo: kur luajnë dy pretendentë, njeri do të thyhet. Urojmë që ky të mos jetë ekipi ynë simpatik. Ai ka forca për t’ia arritur kësaj.

Gazeta “Sporti Popullor”, 14 qershor 1983
ASTRIT HAFIZI
Ish – kapiten i “Shpresës”

PANORAMASPORT.AL

LEXO EDHE: 

HISTORIA PËRMES GAZETARISË: 40 VJET MË PARË / Sfida e kampionatit të Shqipërisë ndaj atyre të Gjermanisë, Austrisë e Turqisë (PJESA IV)

HISTORIA PËRMES GAZETARISË: 40 VJET MË PARË/ Sfida e kampionatit të Shqipërisë ndaj atyre të Gjermanisë, Austrisë e Turqisë (PJESA III)

HISTORIA PËRMES GAZETARISË: 40 VJET MË PARË/ Sfida e Kampionatit të Shqipërisë ndaj atyre të Gjermanisë, Austrisë e Turqisë (PJESA II)

HISTORIA PËRMES GAZETARISË: 40 VJET MË PARË / Sfida e Kampionatit të Shqipërisë ndaj atyre të Gjermanisë, Austrisë e Turqisë

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"