Auzilio: Titulli kampion ishte i planifikuar, ja pse nuk e morëm Leaon

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 9, 2024 | 12:29

Auzilio: Titulli kampion ishte i planifikuar, ja pse nuk e morëm Leaon

“Ishte një sezon i rëndësishëm, bashkëpunimi i mirë mes palëve bëri që të realizohej një ecuri e rëndësishme. Kur trajneri ka gjithmonë mundësinë të zgjedhë formacionin më të mirë, rezultatet vijnë”.

ausilio inzagi marota

Kështu nis intervista e gjatë e Piero Auzilios, drejtori sportiv i Interit, i cili flet në 360 gradë për kampionët e rinj të Italisë..

Çfarë menduat pas derbit?
Nuk mund të them, është blasfemi… Nga 1 në 100, 95 është vuajtje dhe 5 për qind është kënaqësi. Që të nesërmen e kuptuam se çfarë ishim në gjendje të bënim. Njeriu mendon për gjërat që duhen bërë sepse flasim vetëm për çmimet ose merkaton, por mendoj se është e drejtë të ndalemi për një moment, të reflektojmë dhe të shijojmë këto çaste të bukura e të merituara.

Po për shtypin e çfarë mendoni?
Nuk nxehem më si dikur kur lexoja gjëra pa sens e pa respekt ndaj ndonjë lojtari. Është bukur të jesh në diskutim, por i imi është më shumë një diskutim në mbrojtje të futbollistëve. Vitet e fundit vetëm qesh me ato që shkruhen e thuhen.

Çfarë do të ndodhë me merkaton e Interit?
Vjet e kishim të vështirë sepse duhej të zhvendosnim 10-15 lojtarë dhe shumë nga situatat që na ndodhën ishin të papritura. Sivjet kemi nisur të programojmë që në shkurt dhe kemi kuptuar se do të na duhen vetëm pak ndryshime. Interi aktual do të ishte konkurrues edhe sikur kampionati i ri të niste pas një jave.

A duhet të ndjekë Interi logjikën e 11+11?
Çelësi i suksesit tonë të sivjetshëm është fakti që të gjithë djemtë e organikës punonin duke e ditur se do të kishin mundësi të tregonin veten. Vështirësinë më të madhe, sidoqoftë, e kanë trajnerit, që gjatë javës duhet të menaxhojnë humorin e lojtarëve që mbase kanë më shumë përvojë e që pretendojnë të luajnë në vend të dikujt që po bën mirë.

Sezonin e ardhshëm do ta përballoni me 5 sulmues?
Më besoni që nuk e di, por do të bisedojmë me trajnerin. Sivjet u shpallëm kampionë me katër sulmues dhe nuk shoh arsye për të ndryshuar. Nëse kemi shans për ndonjë të ri interesant do të lëvizim, por mos harrojmë se kemi edhe Mkhitarianin që karrierën e ka nisur si sulmues i dytë.

Mund të jetë Karboni sulmuesi i pestë, apo do të tentoni Gudmundsonin?
Ajo që mund të them është se Gudmundson ka shumë cilësi dhe se Xhenoa ka bërë një punë të mirë duke e blerë. Fillimisht do të vlerësojmë situatën e Sançezit, pastaj nuk duhet harruar se kemi të huazuar lojtarë si Satriano, Oristanio, vëllezërit Esposito apo edhe Karboni të cilët janë djem që kanë bërë shumë mirë sivjet.

Më e vështirë të blini apo të shisni dhe a do të jetë një merkato pa kosto e sivjetshmja?
Në merkato lëvizim me idetë e zakonshme siç kemi bërë në sezonet e fundit. Më besoni kur them se në punën tonë është e vështirë çdo bisedë.

Një fitore e juaja si drejtues është edhe Di Marko apo jo?
Disa thanë se ai nuk ishte lojtare prej Interi. Në fakt, janë dy titullarë të Interit për të cilët një trajner na tha se nuk ishin për Interin, madje as për t’i lënë në dhomat e zhveshjes. Unë kurrë nuk do të përmend emra edhe sikur të më torturojnë.

Mund të na thoni se çfarë ndodhi vjet me Lukakun?
Ka pasur disa telefonata mes palëve. Kishte shumë fantazi. Kishte edhe sinjale të ndryshme, por Romelu mbetet një djalë i mirë. Kur e kuptuam se çfarë do të ndodhte, mbaroi aty, madje përfundoi në një mënyrë më civile nga sa u tha. Pastaj ai mori rrugën e tij, ne tonën.

Megjithatë, vendimi i tij ndryshoi disa strategji?
E vetmja gjë që ndryshoi vërtet strategjitë ishte zgjedhja e Xhekos. Sepse gjatë sezonit e kuptuam që nuk ishte rasti të ecnim përpara me të dy sepse ata i hoqën hapësirën dhe kohën e lojës njëritjetrit dhe nuk ishte mirë. Viti i parë shkoi mirë sepse pati edhe dëmtimin e Lukakut dhe Xheko u shfaq në formë. Nëse nuk do të kishte pasur problemi Lukaku, ne do të kishim rinovuar Xhekon. Do ta kishim marrë edhe Turamin gjithsesi. Ishim të bindur për cilësitë e tij.

Cila është situata në lidhje me rinovimin e Lautaros?
Krejt normale si në të gjitha klubet kur bëhet fjalë për një lojtar shumë të rëndësishëm. Në nivel ekonomik ka ndryshime, kështu që kërkon kohë.

Cili është vullneti i klubit?
Duke e mbajtur Lautaron për shumë vite, ai është kapiteni ynë, ne jemi shumë të lumtur me të si futbollist dhe duam që të vazhdojë. Edhe ai është dakord e së bashku me menaxherin na e kanë përsëritur shumë herë.

Përgatiti: REINOLD BAKALLI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"