Pikantet e Kukësi-Partizani/ “Edhe në ndeshje për qejf nuk na lini të lozim?”, Devolli nuk ndal batutat ndaj gjyqtarëve. Tifozi e kopjon: O arbitër, të shau Murataj

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 9, 2024 | 13:39

Pikantet e Kukësi-Partizani/ “Edhe në ndeshje për qejf nuk na lini të lozim?”, Devolli nuk ndal batutat ndaj gjyqtarëve. Tifozi e kopjon: O arbitër, të shau Murataj

“Panorama Sport” ju sjell disa nga momentet më pikante të ndeshjes Kukësi-Partizani, e luajtur në Kukës dhe e përfunduar me fitoren e kampionëve në fuqi.

partizani

* Në stadium ka një prani shumë të ulët spektatorësh, ndikuar nga situata ku ndodhet ekipi i Kukësit në këto javë të fundit, kur është zyrtarizuar rënia në Kategorinë e Parë. Më së shumti dëgjohen bisedat e dy stafeve teknike. Në Kukës kishin udhëtuar rreth 20 tifozë të “demave”, që gjithsesi nuk provuan të ishin të zhurmshëm.

* Trajneri i Kukësit bën ndeshje më vete në pankinë. “O Franko, po hidhe mo! S’është mirë ky, jo”, dëgjohet të shprehet në një moment Devolli ndaj Lamçes, që në minutat e parë po haste vështirësi dhe nuk po i bindej si duhej detyrave. “Hë mo, ik ore ta marrtë dreqi, ik”, shprehet më pas, kur Hasaj mund të jepte një pasim drejt sulmit, por vendos të kthehet pas.

Trajneri i Kukësit kapet edhe me gjykimin: “Ta marrtë dreqi më gjithë arbitrim”. Në një moment kapet me Reçin. “O Reçi, po jepja për me këmbë o shpirt, me këmbë. Me dorë nuk luan dot ai”, shprehet gjirokastriti, që karakterizohet për këtë mënyrë të të shprehurit.

“Ça ka për t’u menduar lali”, shprehet trajneri i Kukësit në një moment kur arbitrat hezitojnë në dhënien e një rivënieje anësore për Kukësin. “O refer, faull është ky që jep? Edhe në ndeshje për qejf nuk na lini të lozim? O Zot i madh”, dëgjohet Devolli, që nuk kursehet ndaj arbitrit. Shehi nga ana tjetër jep gjithë kohës udhëzime për të tijtë, por tregohet tejet standard në gjuhën e tij.

* Në stadium dëgjohen aq shumë zërat e protagonistëve, sa një prej të pranishmëve në tribunë shprehet: “O arbitër, të ka sharë Murataj, jepi karton”.

* Më në fund, vetëm në nisje të pjesës së dytë dëgjohen koret e para në mbështetje të Kukësit. Disa adoleshentë dhe fëmijë organizohen për t’i dhënë zemër të tijve.

* Në duelet gjatë ndeshjes Buxhelajt i griset fanella dhe detyrohet ta ndërrojë me shpejtësi, pasi arbitri e vë re.

* “O Geri, të të mësoj stopimin unë ty tani?”, Devolli kritikon Selitën për një kontroll jo të duhur të topit nga mbrojtësi.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"