VOLEJBOLL/ Sezoni 2023-2024, Skënderbeu dhe Partizani sunduan parketin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 9, 2024 | 14:26

VOLEJBOLL/ Sezoni 2023-2024, Skënderbeu dhe Partizani sunduan parketin

Me finalet e meshkujve, volejbolli shqiptar ka ulur zyrtarisht siparin e sezonit 2023- 2024 për sa i përket aktiviteteve për të rritur. Skënderbeu te femrat dhe Partizani për meshkuj kanë qenë protagonistët absolut të sezonit, duke sunduar parketin në sportin e rrjetës. Korçaret dhe kryeqytetasit kanë komanduar, duke ngritur lart të gjithë trofetë e rëndësishëm të edicionit.

WhatsApp Image 2024-05-09 at 11.01.05 AM

FEMRAT – Me një ekip të ndërtuar që në verë dhe me vetëm një goditje në janar, por të qëlluar në shenjë siç ishte rikthimi i amerikanes Kayla Williams, Skënderbeu krijoi një skuadër dominuese, duke koleksionuar plot katër trofe gjatë këtij edicioni. Duke e nisur sipas triumfeve më të rëndësishme, vajzat e Orlando Kojës fituan titullin në një kampionat të dominuar që nga sezoni i rregullt e deri në finale, ku mundën Tiranën me rezultatin 3-0 me ndeshje.

WhatsApp Image 2024-05-09 at 11.01.05 AM (1)

Skënderbeu fitoi gjithashtu edhe Kupën e Shqipërisë, ndërsa u konfirmua për të tretin vit radhazi si kampion në kompeticionin mbarëkombëtar Liga Gjergj Kastrioti. Korçaret madje fituan edhe Kupën e FSHV-së, event testues në prag të nisjes së kampionatit. Skënderbeu gjithashtu ishte edhe skuadra që e mbushi më së shumti pallatin e sportit, duke vijuar traditën e viteve të fundit me mijëra tifozë gjatë ndeshjeve finale. Ndërkohë, i vetmi trofe që nuk shkoi në Korçë ishte Kupa e Pavarësisë, turne 2-ditor që u mbajt në Kosovë, të cilin e fitoi Drita e Gjilanit.

MESHKUJT – Në radhët e djemve ishte pa diskutim viti i Partizanit. Të kuqtë e Ylli Tomorrit e mbyllën me tripletë, për të çuar në muzeun e klubit kupat më të rëndësishme, teksa në të tria rastet thyen Tiranën në finale, duke i festuar sukseset në derbi. Nën ritmin e sambës, me 4 brazilianë në përbërje, me Coutinhon që spikati mbi të tjerët dhe me elementë shumë të mirë vendës, si Raul Sabliqi apo Osman Qepa,

WhatsApp Image 2024-05-09 at 11.01.05 AM (2)

Partizani tregoi se kishte një marsh më shumë se të tjerët gjatë të gjithë edicionit, duke e përfunduar sezonin e rregullt me të gjitha fitore. Partizani u shpall kampion i Shqipërisë, teksa realizoi një përmbysje të çmendur në finale ndaj bardhebluve, nga 0- 2 në 3-2. Një triumf i denjë për filma, teksa të kuqtë ishin në buzë të greminës, me Tiranën që pati mundësinë e pikës së titullit.

WhatsApp Image 2024-05-09 at 11.01.06 AM

Por “demat” ia dolën të reagonin në momentin më të vështirë, u ngritën, dhe më pas e morën përpara skuadrën bardheblu, duke e mundur 3 herë në pak ditë, për t’i rrëmbyer fronin. Partizani fitoi edhe Kupën e Shqipërisë, si dhe eventin mbarëkombëtar Liga Gjergj Kastrioti. Duke kaluar te trofetë më pak të rëndësishëm, Tirana arriti të fitonte Kupën e FSHV-së, ndërsa Peja triumfoi në Kupën e Pavarësisë.

ARTIN LLESHAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"