Ditë “play off”-esh në Kategorinë e Dytë. 50 mijë euro premio për Shkumbinin, Besëlidhja dhe Luftëtari të bindur për fitore

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 9, 2024 | 12:13

Ditë “play off”-esh në Kategorinë e Dytë. 50 mijë euro premio për Shkumbinin, Besëlidhja dhe Luftëtari të bindur për fitore

Shkumbini është mbërthyer nga “ethet” e “play off”-it, ku sot u duhet të kalojnë provën në shtëpi ndaj Orikut. Për presidentin Ali Kasa, kampionati sapo ka nisur duke pasur parasysh synimin për ngjitjen në Kategorinë e Parë.

kategoria-e-dyte

“Ndonëse vijmë nga një humbje në ndeshjen e fundit, ekipi është në një gjendje optimale dhe me moral të lartë. Nuk do jetë aspak e lehtë, por besoj se kjo fazë “play off” prej 3 takimesh është kampionati ynë. Që ditën e parë që jam afruar në klub, kam besuar se do bëjmë diçka ndryshe. Shumë gjëra tashmë janë të prekshme, kanë ndryshuar për mirë. Kemi një ekip të mirë, që ka forca për të realizuar objektivin fillestar. Së pari, kemi provën në shtëpi ndaj Orikut, ku kam kërkuar nga djemtë një impenjim maksimal. Përpos mbështetjes maksimale që kemi treguar nga fillimi i këtij projekti, për ndeshjet e “play off”-it, kemi menduar t’i motivojmë më shumë djemtë. Për tri ndeshjet kualifikuese u kam premtuar djemve një premio prej 50 mijë eurosh dhe besoj se për kategorinë në të cilën jemi është një shifër e konsiderueshme”, deklaroi presidenti Kasa. LULZIM RESULI

Sot, ora 16:00

Besëlidhja, nga Sopoti nis plani i ngjitjes

Barazimi 3-3 në shtëpi ndaj Tërbunit bërë që Besëlidhja të përfundojë në fazën “play off” për të siguruar ngjitjen në të parën. Në prag të sfidës së parë me Sopotin që ekipi do e luaj sot në orën 16:00 në Lezhë, trajneri Dritan Smajli u shpreh: “Do të luftojmë deri në fund për ngjitjen në Kategorinë e Parë, duke nisur nga ndeshjen me Sopotin, që do ta luajmë në shtëpi. Ekipi është përgatitur seriozisht për ta përballuar me sukses kundërshtarin. Besëlidhja në seancat stërvitore është paraqitur shumë mirë. Jam i bindur se ndaj Sopotit ekipi do të japë më të mirën e mundshme. Jo vetëm ndaj Sopotit, por edhe takimet e tjera do t’i fitojmë për ta rikthyer Besëlidhjen aty ku e ka vendin”. PRENG GJIKOLA

 Mario Mërkuri : Luftëtari e kalon me sukses Butrintin

Luftëtari luan sot në shtëpi ndeshjen e parë të fazës “play off”, ku do të përballet me Butrintin. Gjirokastritëve u mjaftojnë dy rezultate, barazim dhe fitore, për të kaluar sarandjotët. Në prag të këtij takimi për “Panorama Sport”, Mario Mërkuri u shpreh: “Ndeshja me Butrintin është jetike për vazhdimësinë e objektivit. Luhet një ndeshje teke, ku në raundin tjetër na pret fituesi i çiftit Shkumbini – Oriku. Në fushë do të hyjmë vetëm fitore dhe prisni një ndeshja ndryshe nga ajo e së dielës, që e humbëm 4-2 në Sarandë. Të gjithë jemi të bindur se do e kalojmë me sukses këtë sfidë të parë të “play off”-it. Nëse shënoj nuk do të festoj, pasi e respektoj ekipin e vendlindjes”. TOMOR SHEHU 

“PLAY OFF”-et

Kategoria e  Dytë

SOT, ora 16:00

Besëlidhja- Sopoti

Iliria-Tërbuni

Luftëtari-Butrinti

Shkumbini-Oriku

PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"