“Ndeshje kontrolli”, Besa e Bubeqit dhe Flamurtari i Memushit me mendjen te fazat finale

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 9, 2024 | 14:39

“Ndeshje kontrolli”, Besa e Bubeqit dhe Flamurtari i Memushit me mendjen te fazat finale

Në stadiumin “Roza Haxhiu”, Besa mundi Flamurtarin 1-0. Një ndeshje pa shumë interes, pasi të dy ekipet e kishin të përcaktuar fatin e tyre, ku vlonjatët synojnë Superioren përmes “play off”-it. Ndërsa kavajasit diskutojnë mbijetesën me ndeshje shtesë.

besa flamurtari

Për këtë arsye në të dy ekipet u rezervuan energjitë, duke u dhënë prioritet lojtarëve që kanë pasur më pak minuta në dispozicion. Kur kishin kaluar nëntë minuta lojë nga pjesa e dytë, Denis Balla i futur në lojë në minutën e 46-të, tundi rrjetën e vlonjatëve. Fitorja nuk vlejti për asgjë për Besën, që shkon në “play-out”, për t’u njohur me kundërshtarin, që do të dalë nga ndeshjet e Grupit B të Kategorisë së Dytë. Po kështu edhe vlonjatët që janë me sytë nga ndeshja e ditës së diel, ku do të presin në Vlorë, Korabin. Pjesa e parë i ngjau më shumë një ndeshje miqësore.

Takimi nisi i qetë dhe në minutën e 11-të, vjen goditja e parë në portë nga Paulo Pjeshka, por “sfera” nuk gjen kuadratin. Pjesa e parë mbyllet me gjuajtjen e Denis Pjeshkës që përfundon jashtë. Pas pushimit, Besa kalon në avantazh në minutën e 54-ët. Balla, i futur në fushë si zëvendësues godet saktë brenda zonës. Në minutën e 64-ët, Mehmeti godet me kokë, por Kaloshi devijon topin. Në të 77-ën, Mustafa Ba godet ashpër Ramadanin, që bie në tokë. Mes dhimbjeve, ky i fundit i hedh topin Mustafa Ba. Kryesor Stolaj i ndëshkon me kartonë të verdhë. Në minutën e 80-të, Flamurtari ishte pranë barazimit, por Vitija gabon. Sfida mbyllet me fitoren 1-0 të Besës.

Trajneri Memushi-  Pas kësaj ndeshje të fundit në kampionat trajneri i Flamurtarit, Eqerem Memushi, për “Panorama Sport” u shpreh: “Duke parë renditjen, që ishim të sigurt në “play-off”, për të çlodhur edhe pak lojtarët, nuk i dhamë intensitetin e duhur lojës. Më shumë për të bërë një tip loje kontrolli. Përgëzoj Besën për fitoren që arriti, pasi ishte më e impenjuar, kishin më dëshirë se ne, prandaj edhe fituan. Rezultati ishte i drejtë. Në pjesën e dytë kemi krijuar më volum loje. Kemi qenë më shumë afër portës, por u ndëshkuam me një episod të vetëm. Duhet t’i kemi parasysh këto për ndeshjen e “play-off”-it. Gjithsesi, skuadra reagoi edhe pas golit. Flamurtarin e vërtetë ia ditës së diel, ku do të ndeshemi para sportdashësve tanë, në ndeshjen e parë të “play-off”-it kundër Korabit. Kemi besim të plotë se do ta kalojmë me sukses atë takim. Skuadra është shumë e përqendruar dhe është me shumë uri për të kaluar përpara. Në këtë takim aktivizuam edhe Hasën e Vucajn, që vijnë nga dëmtimet. I aktivizuam për të parë dhe për të na dhënë një dritë jeshile për ndeshjet që na kanë mbetur. Të shikojmë në vazhdimësi. Deri të dielën do të jemi të gjithë të impenjuar si klub, presidencë, staf dhe sportdashës. Të gjithë për ta kaluar takimin e parë”.

Dorjan Bubeqi

Trajneri i Besës, Dorjan Bubeqi, pas ndeshjes tha: “Hymë në fushë për të dhënë maksimumin dhe për ta fituar. Shpresonim, kishte një përqindje të vogël se mund të gabonte një nga rivalët tanë. Por ata nuk gabuan dhe kështu shkojmë në “play-out”. Nga kjo Besë dua që të mos më zhgënjejë në ditën e “play out”-it. Kemi kohë për ta përgatitur ndeshjen, por koha na shton edhe trysninë për të arritur mbijetesën”.

ALBAN ALUSHI- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"